1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët sfida e Europës - Samit vendimtar për BE

28 Qershor 2018

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian konsultohen për mbylljen e kufijve të jashtëm të BE dhe kthimin e azilkërkuesve të refuzuar. Kancelarja Merkel ka nevojë për suksese që të stabilizojë qeverinë.

https://p.dw.com/p/30SlQ
Bulgarien EU-Balkan-Gipfel in Sofia | Donald Tusk NEU für Karussel
Fotografi: picture alliance/AP Photo/V. Mayo

Të paktën 60 samite ka ndjekur kancelarja Angela Merkel në 12,5 vitet e saj si kancelare gjermane. Ajo është kryetarja e qeverisë më në moshë dhe vjen këtë të enjte në Bruksel në një samit që mund të shihet si më vendimtari në karrierën e saj. Për herë të parë bëhet fjalë për mbijetesën e saj si kancelare. E vetëm me një rezultat të kënaqshëm nga samiti i BE, ajo mund ta mbajë partinë konservatore, CSU në qeveri. Presioni ndaj Merkelit pra është shumë i madh. Dy ditë pas samitit, ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer do të vendosë, nëse rezultatet e samitit janë të kënaqshme. Po qe se ai vepron kundër kancelares e jep urdhër për kthimin e refugjatëve në kufi, të cilët janë regjistruar në një vend tjetër të BE, Merkel në një rast të tillë duhet ta shkarkojë ministrin e saj. Koalicioni dështon.

Por sinjalet për një "zgjidhje europiane" mes 27 vendeve të BE në këtë çështje nuk janë shpresëdhënëse. Merkel këtë e pranoi që në takimin e 16 vendeve të BE në samitin e javës së shkuar për refugjatët. "Për fat të keq", tha ajo nuk do të ketë ujdi as në Këshillin e BE. Pozicionet e vendeve anëtare janë shumë të ndryshme.

Bundestag - Angela Merkel
Fotografi: Reuters/C. Mang

Merkel pa përkrahje

Një grupim i drejtuar nga qeveria populiste e Italisë kërkon të shfuqizojë rregulloret e Dublinit për përgjeësinë e procedurës së azilit. një grup tjetër, vendet lindore të drejtuar nga kryeministri, Viktor Orban nuk pranon kurrsesi refugjatë dhe mund të bëhet solidarizues vetëm financiarisht. Përgjegjës mund të jenë të gjithë të tjerët, por jo ata. Edhe Austria ka kaluar në këtë pozicion.

Veç Francës dhe Spanjës, Merkel nuk ka aleatë të vërtetë për strategjinë e saj për politikën e azilit. Përpjekja e saj për marrëveshje bilaterale me vende të veçanta të BE nuk është zhvilluar sa duhet, thonë funksionarë qeveritarë gjermanë. Duket e papërfytyrueshme që brenda pak ditësh si Austria, Italia dhe Greqia të jenë të gatshme për pranimin e refugjatëve. Kryeministri italian, Giuseppe Conte ka lënë të hapur mundësinë për këtë, por ministri i Brendshëm, radikali i djathtë, Matteo Salvini nuk do lejojë asnjë refugjat të vetëm më në Itali.

Italien - Innenminister Matteo Salvini
Matteo SalviniFotografi: Reuters/S. Rellandini

Kampet për migrantët - të kontestuara

Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk ka propozuar "qendra zbarkimi" jashtë BE për migrantët që shpëtohen në det. Disa vende europiane e mbështesin këtë ide, disa duan që këto qendra të vendosen brenda BE. Por sidoqoftë asnjë vend nuk është i gatshëm deri më tani për të pranuar qendra të tilla. Libia dhe Shqipëria i kanë refuzuar këto qendra. Madje edhe kancelarja gjermane, Merkel është skeptike, sepse ato sjellin me vete një sërë problemesh juridike dhe organizative. Ajo që dihet është se edhe këto qendra nuk do ta ndihmonin dot kaq shpejt, partinë simotër CSU dhe Merkelin.

Tusk paralajmëron nga përçarja

Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk që e drejton takimin ka paralajmëruar se çështja e migracionit dhe ajo e solidaritetit që lidhet me të mund ta përçajë shumë thellë BE. Numri i refugjatëve, sipas Tusk, qëndron 96% më i ulët se ai i vitit 2015, kur erdhën 1,6 milionë vetë në Europë. Megjithatë njerëzit kanë përshtypjen se kufijtë nuk po mbrohen.

Bulgarien EU und Westbalkan Gipfel - Ungarischer Premierminister Orban
Fotografi: picture alliance/AP Photo/S. Nenov

Sipas një qëndrimi të përhapur fajin e ka "demokracia liberale" me vulë europiane. "Ne kemi parë se janë krijuar lëvizje të reja politike që paraqesin zgjidhje të thjeshta për probleme mjaft komplekse. Thjesht, radikal, atraktiv", tha Tusk të mërkurën në Bruksel. "Nëse njerëzit besojnë, se vetëm këto lëvizje e kanë përgjigjen e duhur për krizën e migracionit, atëherë ata do të besojnë gjithçka pretendojnë këto lëvizje. Koha është e shkurtër", tha Tusk.

Kriza e BE

Në mënyrën e përballimit me politikën e migrimit kuptohet qartë edhe kriza e brendshme e BE, shkruan gazeta belge, Le Soir. Një ditë para samitit ajo nënvizon: "Europa po mendon si të shpërthejë nga brenda". Për herë të parë BE është e kërcënuar jo nga kërcënimet e jashtme, por nga brenda. Rregulloret e dikurshme nuk vlejnë më, populistët përsillen me një dëshirë shkatërrimi, solidariteti mes vendeve nuk vlen më. Armiku ka një emër "demokraci i-liberale". Këtë e ka propoganduar dhe ngritur në formë shteti, kryeministri hungarez, Orban. Prandaj ky samit nuk është vetëm samit vendimtar për Merkelin, por edhe BE.

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE