1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformohet FMN-ja, mosmarrëveshje rreth eksporteve dhe kursit të monedhave

23 Tetor 2010

Ministrat e Financave të G20-s kanë rënë dakord për reformimin e FMN-së. Mospajtime serioze mes SHBA-së dhe vendeve më të mëdha eksportuese si dhe kritika ndaj Kinës për kursin e ulët të monedhës së saj.

https://p.dw.com/p/PlpZ
Fotografimi i përbashkët dhe (mos)marrëveshjet serioze.Fotografi: AP

Ministri amerikan i Financave Timothy Geithner kërkoi uljen e tatimeve në ditën e parë të takimit me homologët e tij nga dhe shefat e bankave qendrore nga 20 vendet më të zhvilluara industriale dhe atyre në ekspansion, që po zhvillohet në Korenë e Jugut. Ideja e tij ishte që në këtë mënyrë të evitohen tepricat e mëdha tek vendet e mëdha eksportuese. Ai ishte ndër të parët që përshëndeti nikoqirin e takimit Yoon Jeung-Hyun dhe së bashku me homologun e tij kanadez përpiqej të fitonte mbështetje për pozicionin amerikan.

Mosmarrëveshjet e SHBA-së me Gjermaninë dhe fuqitë e tjera eksportuese

G20 Finanzministertreffen in Südkorea
Timothy Geithner përpiqet t'i bindë të tjerët.Fotografi: AP

Në një letër të dërguar më parë, ai ka kërkuar që të përcaktohen sakt kufijtë e tepricave tregtare dhe deficiteve. Kërkesa ishte e drejtuar në radhë të parë drejt fuqive më të mëdha eksportuese si Gjermania, Kina dhe Japonia. Gjatë vitit të kaluar teprica tregtare e Gjermanisë, për shembull, ishte rreth pesë per qind e prodhimit të përgjithshëm. Ministri amerikan i Financave kërkonte që kufiri më i lartë të jetë katër per qind, që u refuzua jo vetëm prej Gjermanisë, por edhe prej vendeve të tjera eksportuese. "Për këtë çështje ne duhet të flasim, por synimet e përcaktuara nuk janë reale", theksoi ministri japonez i Financave, Yoshihiko Noda.

G20 Finanzministertreffen Südkorea
Lee Myung-bak kërkon marrëveshje.Fotografi: AP

Mes SHBA-së, e cila tradicionalisht më shumë importon se sa eksporton mallra, dhe vendeve eksportuese ka grindje prej kohësh lidhur me politikën ekonomike. Për momentin këto grindje po zhvillohen në formën e luftës për kursin e monedhës në këto vende.

Kritika të shumta ndaj Kinës

SHBA-ja dhe vendet e tjera të industrializuara janë të mendimit se Pekini zyrtar artificialisht po mban një kurs të ulët të Yuanit për të përfituar nga tregjet botërore. Presidenti i Koresë së Jugut Lee Myung-bak apeloi që të kihet më shumë kujdes dhe të zgjidhet problemi me kurset e këmbimit të monedhave. „Të gjitha vendet duhet të përfitojnë në mënyrë që të kemi një situatë win-win për të gjithë“, tha ai. Presidenti i Koresë së Jugut kërkoi që pjesëmarrësit t'u përmbahen premtimeve edhe për reformimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

G20 Finanzministertreffen Südkorea
Rainer BruderleFotografi: picture alliance/dpa

Evropa është e gatshme të heqë dorë nga dy vende në FMN dhe mbështet idenë që ato t'u jepen Kinës dhe Indisë, në mënyrë që të shtohet influenca e vendeve në ekspansion. Këto të dhëna i ka konfirmuar dhe ministri gjerman i Ekonomisë, Rainer Brüderle i cili në këtë takim po zëvendëson ministrin e sëmurë të Financave, Wolfgang Schäuble. Bruderle konfirmoi se FMN-ja gjendet para një reforme të thellë, sepse vendet e industrializuara kanë rënë dakord për rishpërndarjen e pushtetit në këtë organizëm.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi