Referendumi në Irak & Kongresi i partisë ekologjike | Studimi në Gjermani | DW | 17.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Referendumi në Irak & Kongresi i partisë ekologjike

Temë kryesore në komentet e shtypit të sotëm është referendumi për kushtetutën në Irak. Nga politika e brendëshme analistët i kushtojnë vëmendje kongresit të partisë ekologjike gjermane.

Lidhur me referendumin për kushtetutën në Irak e përditshmja "Augsburger Allgemeine" komenton: "Shumica dërrmuese e irakianëve ka të njëjtin qëllim si edhe shumica e njerëzve në botë: të mund të jetojnë paqen. Për këtë arësye pas zgjedhjeve parlamentare në janar, për herë të dytë irakianët treguan guxim duke marrë pjesë në referendumin për kushtetutën. Me këtë ata u thonë "jo" terroristëve, që duan të pengojnë me gjak dhe bomba ndërtimin e një kombi të ri", shënon "Augsburger Allgemeine".

Në komentin e "Südwest Presse" lexojmë: "Kemi të bëjmë me një eksperiment të madh, që e ndjekin me dyshim diktaturat në hapësirën përreth. Por edhe pa kundërshtarë të tillë për dy arësye shtrohet pyetja: nëse mund të funksionojë një demokraci në Irak. E para krahasuar me Perëndimin vlera e individit ka karakter shumë të dobët në favor të strukturave të fiseve. Nga ana tjetër, vazhdon të ekzistojë terrori i sunitëve. Se ç´qëllim kanë ata, kjo u bë e qartë nga publikimi i detajeve të një letre të shkruar në korrik nga Ajvan Zahiri, numri dy i Al Kaidës. Kjo organizatë do që fillimisht në Irak dhe më pas në pjesën tjetër të botës myslimane të ndërtojë Kalifatin, sistemin që orientohet vetëm tek kurani dhe ligjet islamike", analizon "Südwest Presse".

Edhe "Nürnberger Zeitung" i kushton vëmendje referendumit në Irak duke komentuar: "Vetëdija në rritje e kurdëve dhe shiitëve qysh pas rëzimit të Sadam Huseinit nuk mund të ketë më prapaktheu. Shteti i centralizuar me damkën e vjetër tani ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Nëse udhëheqësit e sunitëve, oficerët e regjimit të Sadamit dhe antarët e partisë së urryer Baath, do t´i vlerësojnë si duhet shenjat e kohës, ato duhet të pranojnë sa më shpejt realitetin e ri, në vend që të vazhdojnë me terror dhe revolta. Ato nuk mund të kenë më kushte më të mira", shkruan "Nürnberger Nachrichten".

Ndërsa "Thüringer Allgemeine" komenton: "Eshtë sukses fakti që iu dol mbanë për të mbajtur në kufij dhunën gjatë referendumit në Irak. Kjo madje është po aq e rëndësishme sa edhe vet rezultati. Pas zgjedhjeve për parlamentin provizor, në janar edhe pranimi i kushtetutës duhet të hapë rrugën drejt normalitetit. Në dhjetor, një votë e re për deputetët mbi bazën e kushtetutës do të kish mundësuar edhe largimin e trupave të huaja nga vendi. Por një optimizëm të tillë nuk e ka më askush madje as në SHBA. Sidoqoftë sunitët, që janë bërthama e kryengritjes, mundën të vihen në lëvizje për t´u tërhequr nga bllokada e plotë, paçka se konsiderohet e sigurtë vota e tyre kundër kushtetutës" vëren "Thüringer Allgemeine".

Lidhur me temën e dytë: kongresi i partisë ekologjike në "General Anzeiger" komentohet: "Në mënyrë të trifishtë në Oldenburg u bë e qartë, se partia po shkëputet pa pikë sentimentaliteti prej kreut të saj Joshka Fisher. Por që partia me përjashtim të - dy figurave të saj Künast dhe Tritin - ka një problem me pasardhësit, këtë ajo do ta kuptojë gjatë periudhës në opozitë. Të gjelbrit janë duke kërkuar - si një instrument mbrojtës për të qenë një parti e majtë - një profil të ri social, gjë që nuk u ndje tek ata gjatë periudhës në pushtet. Të befason fakti, se sa të gatshëm janë ekologjistët për të hequr dorë tani prej paragjykimeve që kanë kundrejt kristjandmeokratëve. Në kongresin e partisë në Oldenburg, ra në sy se sa të larta janë pengesat programore për një bashkëpunim me kristjandemokratët. Por, ka shumë gjasa që zgjedhjet për parlamentin e landit në Baden - Vyrtenberg të çojnë drejt një testi të parë të një koalicioni zi/gjelbër. Sinjalet përkatëse nga Oldenburgu ishin fare të qarta", nënvizon "General Anzeiger".

"Badisches Tagblatt" të njëjtën temë e komenton me nota të ngjashme: "Të gjelbrit janë në kërkim të një identiteti të ri. Kjo punë sapo ka filluar. Ndaj përgjigjet nuk mund t´i prisje nga kongresi i partisë vetëm katër javë pas zgjedhjeve parlamentare dhe tani në prag të krijimit të qeverisë së re. Për këtë arësye ky kongres ishte kryesisht një sinjal nga brenda. Një thirrje për rrugën e re në opozitë. Të tjera çështje përmbajtësore do të pasojnë", shkruan "Badisches Tagblatt".

  • Data 17.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtL
  • Data 17.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtL