1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Referendum vendimtar në Itali

Georg Matthes
4 Dhjetor 2016

Rreth 51 milionë votues votojnë të dielën (04.12) për reformën më të thellë kushtetuese në Itali. Synimi: Jo vetëm dobësimi i Dhomës së Dytë të Parlamentit për të lehtësuar reformat në vend.

https://p.dw.com/p/2TgEp
Italien stimmt über Verfassungsreform ab Matteo Renzi
Matteo RenziFotografi: picture-alliance/dpa/G.Fischer

"Jo" ndryshimit të kushtetutës, "Jo" planeve të kryeministrit, Matteo Renzi . Ky është mesazhi që vjen nga një rajon verior Italian, Reggio Emilia. Manlio Di Stefano, deputet i Lëvizjes së Pesë Yjeve në parlament angazhohet jo vetëm për referendumin, por më shumë për zgjedhje të reja në Itali. „Vini një kryq për lirinë, një kryq, me të cilin ta dërgoni në ferr kastën politike."

Manlio Di Stefano e ka fjalën jo vetëm për politikanët italianë, por edhe për elitën në Bruksel, si thotë ai. 35 vjeçari është euroskeptik i bindur dhe kërkon që Italia të dalë nga euro. „Europianëve u ka ardhur në majë të hundës që institucionet e tyre janë në shërbim të bankave dhe qendrave financiare. Shikoni Parlamentin Europian, 90% e punës aty bëhet vetëm për të shpëtuar bankat."

Në kërkim të fajtorit

Deklarata të tilla gjejnë vend në Itali. Pas vitesh stanjacioni ekonomik, italianët janë të zemëruar dhe duan gjetjen e fajtorit. „Europa duhet të jetë më pak teknokrate", thotë një italian, ndërsa një tjetër shton se „Europa është për bankat dhe jo për qytetarët." Manlio Di Stefano kërkon ndryshime në BE. "Po qe se BE nuk ndryshon me themel, ka për të dështuar. Kjo është kaq e dukshme.”

Katër shuplaka për establishmentin

Votues që të thonë jo, ashtu si di Stefano, kërkon edhe kreu i partisë populiste të djathtë, Liga Nord, Matteo Salfini, simpatizues i Putinit, si deputeti di Stefano. Matteo Salfini parashikon fitore. "Brexit, Trump, "Jo”-ja jonë në referendum, ah, po edhe zgjedhjet në Austri, ku fiton Hoferi. Këto janë katër shuplaka për establishmetin. Katër fitore për qytetarët."

Ndërsa Paolo, një student i fushatës Po- për referendumin e ka vështirë të besojë, se sa shumë presion i vjen qeverisë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. „Salfini dhe Grillo, janë dy liderë të të njëjtës medalje, janë njerëz që nuk bindin me faktë, por me emocione dhe frikë.” Në Itali bie erë rebelimi. Populistët shpresojnë që era e ndryshimit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe të fryjë edhe në Itali.