1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sukses i aktivizmit qytetar kundër importit të mbetjeve nga vendet BE-së

Ani Ruci7 Mars 2013

Për herë të parë në Shqipërinë post-komuniste qytetarët aktivizohen për një çështje përtej politikës dhe partive politike.

https://p.dw.com/p/17szx
River Mat in northern Albania. The small balcanic country was converted in a turistic destination for 2 millions of visitors during 2008. Photo by Mimoza Dhima
Fotografi: Mimoza Dhima

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë miratoi ditët e fundit zhvillimin e një referendumi popullor kundër importimit dhe riciklimit në Shqipëri të mbetjeve nga vendet e BE-së. Lëvizja qytetare "Aleanca kundër Importit të Plehrave" e drejtuar nga një grup nismëtar ambientalistësh dhe aktivistësh për të drejtat e njeriut ia doli mbanë të mbledhë 50 mijë firma qytetarësh, të shoqëruara me fotokopjen e Kartës së Identitetit të secilit prej tyre. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, referendumi mund të zhvillohet kur atë e kërkon 1/5 e deputetëve , pra 28 syresh, ose 50 mijë qytetarë, me firmat e tyre. Ky është rasti i referendiumit të sapomiratuar, kundër importit dhe riciklimit të mbetjeve nga vendet e BE.

Sukses i aktivizmit qytetar

Blendi Kajsia, anëtar i grupit nismëtar të lëvizjes "Aleanca kundër Importit dhe Riciklimit të plehrave" në Shqipëri thotë për DW se vendimi pro Referendumit i Gjykatës Kushtetuese është historik, pasi është i pari në Shqipërinë post- komuniste jashtë politikës dhe organizimit të tij nga partitë politike. Por ai ka edhe një vlerë tjetër: për herë të parë qytetarët shqiptarë shkunden nga apatia dhe qëndrimi indiferent për çështje të komunitetuit. "Është një fitore e qytetarëve ndaj frikës prej makinerisë shtetërore, humbjes së vendit të punës në sektorin publik. Është shprehje e kurajos për të dalë kundër vendimeve të qeverisë, për t'u përballur me akuza, madje edhe me ndjekjen penale. Lëvizja jonë u akuzua institucionet shtetërore se kishte falsifikuar firmat e qytetarëve dhe se për këtë do të ndiqej penalisht. Atëhere i shoqëruam firmat e qytetarëve me fotokopjet e kartave të tyre të identitetit", thotë Blendi Kajsia.

1. Blendi Kajsia, Political scientist, pedagogue at European University of Tirana. Ani Ruci, shoot in Tirana, on June 4th, 2010
Blendi KajsiaFotografi: DW

Ç'ndodh me mbetjet e mbeturinave nga BE pas riciklimit në Shqipëri?

Importi i plehrave nga vendet e BE-së dhe përpunimi i tyre në Shqipëri para dy vitesh iu dha drita e gjelbër me miratimin e ligjit përkatës vetëm me votat e maxhorancës qeverisëse, me argumentin se ligji "është në përputhje me standardet europiane". Ligji parashikon importin e mbi 1 milion ton mbetjeve në vit nga vendet e BE-së. Menjëherë pas miratimit të tij u nënshkruan kontrata me Italinë, me Maltën dhe me Spanjën. Impiante të shumta të përpunimit të tyre u ngritën sidomos pranë pikave të kalimit kufitar me vendet fqinjë. Ricikimi vazhdon prej dy vitesh me kapacitet të plotë. Po ku shkojnë mbetjet e mbeturinave pas riciklimit të tyre? "Kjo është mister. Nuk ka dokumentacion se ku shkojnë, as çfarë ka hyrë dhe çfarë ka dalë në Shqipëri brenda këtyre dy viteve të fundit, as ku kanë përfunduar mbetjet: në landfielde, lumenj apo prapa maleve. Ndërkohë që në Shqipëri mungojnë mjetet teknike në pikat kufitare, kapacitetet njerëzore për të kontrolluar dhe verifikuar se çfarë mbetjesh kanë ardhur dhe vijnë nga vendet e BE-së, nëse ato janë ose jo të rrezikshme për mjedisin, burimet ujore nëntokësore dhe mbi të gjitha për shëndetin e qytetarëve. Kjo situatë e bën të pamundur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, sidomos të turizmit dhe bujqësisë pasi ndotja është gjigante", thotë Kozara Kati, anëtare e grupit nismëtar të "Aleanca kundër importit të Plehrave".

Kozara Kati, Head of the Albanian Center for Human Rights, member of the Movement "Alliance against the import of garbage fron EU" in Albania. Author: Ani Ruci, shot on March 6, 2013, Tirana
Kozara KatiFotografi: DW/Ani Ruci

Referendumi shënon krisjen e mënyrës së vendimmarrjes në Shqipëri në rastin konkret për mjedisin pa përfshirjen e qytetarëve, thekson Blendi Kajsia për DW. Kjo mënyrë është kriter i Konventës së Kombeve të Bashkuara për mjedisin, që njihet si Konventa Aarhus, të nënshkruar edhe nga Shqipëria. Konventa që vendos një sërë të drejtash për qytetarët dhe publikun lidhur me mjedisin, për fat të keq , në Shqipëri, ka mbetur në letër: "Referendumi tregoi se ky sistem vendmmarrjeje nuk është i pathyeshëm. Ai tregoi se në Shqipëri askush nuk mund të kontrollojë gjithçka. Referendimi nxit për lëvizje të tjera, dobëson fatalizmin se 'si ka shkuar, do të shkojë', nxit aktivizmin edhe për lëvizje të tjera", thotë Blendi Kajsia.

Referendumi – sopatë pas koke për biznesin e mbetjeve

Mbështetur në Kushtetutën e Shqipërisë referendumi popullor kundër importit dhe riciklimit të mbetjeve nga vendet e BE-së do të ketë gjasa të zhvillohet aty nga pranvera e vitit 2014. Kushtetuta parashikon që referendumet nuk mund të zhvillohen në dimër, 6 muaj para zgjedhjeve apo 3 muaj pas fillimit të punës së parlamentit të ri. Shkurt, kjo do të thotë që importi dhe riciklimi i plehrave nga vendet e BE-së do të vazhdojë.

"Në Qafzotaj, në rrethin e Durrësit investitorë nga Serbia kanë ngritur një impiant që djeg makina të vjetra nga vendet e BE-së. Kompania turke "KURUM" djeg në uzinën e saj në Elbasan 600 mijë ton makina të vjetra në vit po nga BE-ja. Këto sasi janë kapacitetet e tyre të plota dhe për makinat e vjetra nga Shqipëria nuk ka asnjë mundësi që të digjen në këto impiante. Shqipëria po kthehet në një varrezë terminale të lloj- lloj mbetjeve të Europës", thotë Kozara Kati.

Albanien - Müll in der Landschaft Quelle: http://commons.wikimedia.org/wiki/File:Trash_pile_in_Berat.jpg Lizens: http://creativecommons.org/licenses/by/2.0/deed.en +++CC/Jason Rogers+++, 22.August 2007, geladen am 23. Oktober 2012 Trash pile in Berat, Albania
Fotografi: CC/Jason Rogers

Sipas të dhënave zyrtare në Ministrinë e Mjedisit kanë mbërritur 12 kërkesa të biznesit vendas për të ngritur impiante të reja pranë pikave kufitare me Greqinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe ricilimin e mbetjeve të importuara. Kjo pasi Parlamenti nuk miratoi kërkesën e Lëvizjes qytetare "Aleanca kundër importit të plehrave" për një moratorium të importit të tyre deri në zhvillimin e referendumit.

"Referendumi gjithsesi mbetet një sopatë pas koke për biznesin e plehrave. Ai do t'i stepë biznesmenët, që të investojnë pasi jemi të sigurtë për rezultatin pozitiv. Po kështu është një sopatë pas koke edhe për forcat politike opozitare, që po bëjnë premtime elektorale për abrogimin e ligjit para zhvillimit të referendumit", thotë për DW Blendi Kajsia.

Ambientalisti i njohur, Lavdosh Ferruni, thotë për DW, se "vazhdimi i importit të mbetjeve nga BE-ja deri në zhvillimin e referendumit do të shkaktojë nё Shqipёri njё ethe hemoragjike mjedisore qё do ta 'sёmurё' atë shumё rёndё , do të sjellë pasoja tё rёnda në zhvillimin e turizmit dhe tё bujqёsisё, dy sektorёt kryesorё qё premtojnё zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, pa të cilin nuk mund të ketë progres në aspiraten që një ditë edhe Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së."