Referendum në Rumani: Grindje për martesën mes homoseksualëve | Evropa | DW | 07.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendum në Rumani: Grindje për martesën mes homoseksualëve

A duhet të mbrohet me kushtetutë lidhja martesore „burrë“ dhe „grua“? Rumunët votojnë në fundjavë për këtë çështje. Në mesin e një krize politike dhe një debati që ndan shoqërinë.

„Mbroni familjen dhe fëmijët e Rumanisë!" Nëse nuk shkon në votime dy burra do ta marrin fëmijën tënd për adoptim!" Kjo lexohej në një pllakat të një fasade pallati në qendrën e qytetit rumun, Timisoara. Pas disa ditësh ky pllakat u hoq, kryebashkiaku kishte kërkuar që ai të hiqej. Megjithatë atmosfera në Rumani është e ndezur. Në familje, në rrethe miqsh dhe mes kolegëve në punë. Prej javësh debatohet ashpër për homoseksualitetin, martesat me të njëjtën gjini apo adoptimet për çiftet e së njëjtës gjini.

Nga e shtuna, edhe të dielën (6-7.10), rumunët votojnë përmes një referendumi, nëse në kushtetutë martesa do të duhet të përcaktohet si lidhje mes burrit dhe gruas. Deri më tani ka ekzistuar nocioni neutral „bashkëshort".

Në vitin 2015 konservatorët dhe grupet fetare u mblodhën në një „koalicion të familjes". Ata mblodhën 3 milionë nënshkrime për të kërkuar nga politika një referendum në shtetin 20 milionësh për këtë çështje. Parlamenti dhe senati votuan me një mazhorancë të qartë edhe me vota nga opozita për ndryshimin e kushtetutës. Vetëm partia Unioni për Shpëtimin e Rumanisë ishte kundër.

Paul Grigoriu: Martesa homoseksuale do të kërcënojë „të gjithë shoqërinë"

Vërtet që në kodin civil rumun martesa përcaktohet si martesë mes „burrit dhe gruas". Por kjo nuk mjafton, mendon muzikani dhe përkthyesi Paul Grigoriu, mbështetës i „koalicionit për familjesn. „Në Rumani sot është shumë e lehtë të ndryshosh ligjet." Partia Socialdemokrate, PSD bashkë me partnerin e saj liberal të koalicionit, ALDE, ka marrë vendime që shkaktuan ndryshimet e kontestuara në drejtësi dhe që çuan në protestat masive në fillim të vitit 2017. „Nëse diçka është e vendosur në kushtetutë nuk mund të ndryshohet lehtë", thotë Grigoriu.

Ai thotë, se nuk ka asgjë kundër homoseksualëve. „Gjithsecili mund të bëjë në jetën private atë që do, dhe aq më shumë në dhomën e gjumit. Por ajo që shteti e njeh si martesë është diçka tjetër." Përmes legalizimit të martesës homoseksuale „kërcënohet e gjithë shoqëria." Hapi tjetër është që familjet e së njëjtës gjini mund të adopotojnë fëmijë. „Gruaja dhe burri janë të barabartë, por jo identikë, dhe një fëmijë ka nevojë për të dyja ndikimet për të ruajtur ekuilibrin psikik.", mendon Paul Grigoriu që është kundër adoptimeve për çiftet e së njëjtës gjini.

Vlad Viski: "Valë urrejtjeje" kundër homoseksualëve

Para referendumit në opinionin publik flitej gjithmonë për homoseksualët që duan „t'u marrin" të tjerëve fëmijët, kritikon aktivisti i LGBT-së, Vlad Viski, drejtor i organizatës, MozaiQ në Buedapest. Nën moton „Për dashurinë nuk ka votë. Mos voto më 6-7 Tetor", MozaiQ kërkon të bojkotojë referendumin. „Kohët e fundit kanë ardhur shumë njerëz tek ne që kanë raportuar se janë fyer apo sulmuar fizikisht në rrugë", thotë Vlad Viski në bisedë me Deutsche Wellen. Para referendumit ka pasur „një valë urrejtjeje" kundër homoseksualëve në hapësirëin publike.

Nga ana tjetër ka edhe shumë mbështetje. „Shumë heteroseksualë, që nuk kishin pasur më parë ndonjë opinion për këtë çështje, na mbështesin dhe na kanë thënë se do ta bojkotojnë referendumin." Nga ana tjetër Kisha Ortodokse Rumune bën thirje për të votuar me „Po", me qëllim që martesa mes homoseksualëve të mos jetë e mundur as në të ardhmen.

Rumänien LGBT-Aktivist Vlad Viski (Privat)

Vlad Viski

Vlad Viski thotë se komuniteti LGBT sot nuk kërkon martesën brenda së njëjtës gjini, siç u fut ajo në Gjermani para një viti. Qëllimi është një ligj që mundëson partneritetin jetësor për çiftet e së njëjtës gjini. Në Gjermani partneriteti u miratua në vitin 2001, në të të njëjtin vit, kur në Rumani u hoq ligji nga kodi penal që e dënonte homoseksualitetin me burg, një ligj i mbetur nga diktatura komuniste.

Armand Gosu: "Elita rumune ndjehet e poshtëruar nga Brukseli "

Kritikët e partisë PSD dhe kreut të saj me vepra penale, Liviu Dragnea shohin tek referendumi një manovër të qeverisë për të drejtuar vëmendjen e popullsisë në një çështje tjetër që nuk lidhet me problemet me drejtësinë. Sipas politologut rumun, Armand Gosu, studiues me bursë në „Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme" bëhet fjalë për më shumë. „Ky është manifestimi antiperëndimor i Rumanisë. Elita që qeveris Rumaninë nga viti 1989 dhe që i ka rrënjët në nomenklaturën e vjetër ndjehet e poshtëruar nga Brukseli."

Tek kjo elitë bëjnë pjesë politikanë me probleme të mëdha me drejtësinë. BE u prish punë atyre, më shumë se opozita në vend, mendon Gosu. „Brukseli nuk ndal së përsërituri, se qeveria rumune po largohet nga shteti ligjor dhe drejtësia e pavarur." Por pas këtij referendumi, Rumania mund të largohet edhe më shumë nga Brukseli  dhe „të rikthehet në Lindje", thotë politologu Armand Gosu. Më afër civilizimit bizantin-ortodoks dhe Rusisë së Putinit.