Reding: Fjalët tani duhet të pasohen nga veprat | Evropa | DW | 10.09.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Reding: Fjalët tani duhet të pasohen nga veprat

Pas kritikave të raportit të KE-së shumë shtete anëtare të BE po koordinojnë më mirë përpjekjet për të integruar romët. Megjithatë, mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim, thotë në një intervistë për DW Viviane Reding.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për integrimin e romëve në shtetet anëtare të BE-së, i prezantuar në qershor të vitit 2013, ka qenë aq shkatërrues sa ishte përmendur në mediat gjermane si "raport stanjacioni". Viviane Reding, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian dhe komisionere e drejtësisë në Bashikimin Evropian, fillimisht përmend shkakun kryesor që ka ndikuar në krijimin e kësaj gjendjeje. "Ne nuk duhet të harrojmë se cila ishte pikënisja: mungesa e koordinimit për integrimin e romëve në nivel evropian. Komisioni ka filluar një proces të mundimshëm por të domosdoshëm. Dhe presioni ka ndikuar pozitivisht sepse kjo ka bërë që shtetet anëtare të zhvillojnë strategjitë e tyre kombëtare për integrimin e romëve, të cilat Komisioni i shqyrton një herë në vit. Kështu, të paktën bëhet publike, se cili vend është duke i kryer si duhet detyrat e shtëpisë e kush nuk është", sqaron Viviane Reding.

Komisionerja e BE-së për çështje të Drejtësisë, thekson se tani janë duke u vërejtur përparimet e para: "Shumë shtete anëtare po koordinojnë më mirë përpjekjet e tyre për të integruar romët. Dhe në shumë vende në proces është dialogu me autoritetet lokale dhe rajonale". Megjithatë, mbetet shumë për të bërë, shton Reding:"Për shembull, organizatat e shoqërisë civile mund të integrohen më mirë. Dhe çdo vit për fat të keq në raportet tona të progresit ne duhet të konkludojmë se shumica e shteteve anëtare nuk ofrojnë të holla të mjaftueshme nga buxhetet e tyre kombëtare. Pa fondet e nevojshme pamundësohet edhe zbatimi i strategjive kombëtare. Investimi në arsimimin e romëve është një investim në të ardhmen: vetëm në qoftë se këta njerëz kanë punë, ata mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, të paguajnë taksat dhe kontributet sociale si dhe për fondin e pensionit", nënvizon Reding.

Fjalët tani duhet të pasohen nga veprat

Përveç kësaj Komisioni u bën thirrje shteteve anëtare që të jenë më të vendosura për të luftuar diskriminimin ndaj romëve sepse ky është synimi që përmendet në strategjitë e tyre kombëtare. "Fjalët tani duhet të pasohen nga veprat. Unë jam e shqetësuar në lidhje me deklaratat e ekstremizmit të djathtë dhe mënyrën se si shpesh në publik zhvillohet debati mbi integrimin e romëve. Me një retorikë të tillë, njeriu mund të fitojë vota, por problemi i mbi 10 milionë romëve me siguri që nuk zgjidhet në këtë mënyrë. Ato gjithashtu nuk reflektojnë vlerat e Evropës, ku respektimi i dinjitetit njerëzor vlen njëjtë si të drejtat e njerëzeve që u përkasin minoriteteve. Prandaj pres nga liderët e të gjitha shteteve anëtare, që ata të jenë këmbëngulës dhe të kundërshtojnë një populizëm të tillë", thotë Reding.

Megjithatë në raport pëmenden edhe shembuj pozitivë, të tillë si plani rajonal i veprimit i landit të Berlinit për integrimin e migrantëve romë apo rezervimi i 15.000 vendeve të studimit për romët në universitete rumune. Dhe sipas Reding këta nuk janë shembujt e vetëm pozitivë: "Ka shembuj pozitivë në shtete të ndryshme anëtare dhe unë do të theksoj vetëm disa: në Francë, për shembull, kemi një bashkëpunimi shumë të mirë në mes të autoriteteve kombëtare dhe aktorëve lokale, ndërsa në Bullgari fondet e BE-së tani janë duke u përdorur në mënyrë më efikase. Hungaria ka zhvilluar një sistem të fuqishëm për monitorimin e zbatimit të strategjisë së saj kombëtare, dhe Spanja ka trajnuar 158 policë lidhur me temën e diskriminimit etnik. Shembuj të tillë janë inkurajues, por për fat të keq ato mbeten shumë shpesh vetëm disa raste të rralla. Pikërisht për këtë arsye janë kaq të rëndësishme strategjitë nacionale dhe implementimi i tyre", kujton Viviane Reding.

Diskriminimi etnik nuk është në përputhje me vlerat e BE-së

Sinti dhe Roma në Berlin

Sinti dhe Roma në Berlin

Pasi që për Maqedoninë dhe Serbinë u hoq regjimi i vizave në 2009, me mijëra romë nga këto vende kanë kërkuar azil në Gjermani. Nën presionin e Gjermanisë, dy vendet kanë filluar të kontrollojnë romët kur dëshirojnë të largohen nga shteti dhe t'iu mohojnë atyre të drejtën për t'u larguar. Cili është qëndrimi i Komisionit Evropian lidhur me diskriminim etnik në sfondin e procesit të afrimit të këtyre dy vendeve me Bashkimin Evropian, ishte një pyetje tjetër për zonjën Reding.

"Në vendet kandidate për anëtarsim në BE (sidomos në vendet e Ballkanit dhe në Turqi), kemi përafërsisht 4 milionë romë. Prandaj është e rëndësishme që këto vende të jenë pjesë e kuadrit të BE-së për strategjitë kombëtare për integrimin e romëve dhe të rrisin përpjekjet e tyre për të integruar romët. Komisioni i vlerëson aspiratat dhe përpjekjet e këtyre vendeve në raportet e tij vjetore të progresit të zgjerimit. Këtu bën pjesë edhe luftimi i abuzimit të regjimit pa viza por pa diskriminuar pakicat. Gjithashtu Komisioni në kuadër të politikave të zgjerimit të saj për integrimin e romëve, ndan para nga një program i veçantë, i quajtur ndryshe Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit... Diskriminimi etnik nuk është në përputhje me vlerat e BE-së. Ligjërisht, Komisioni i BE-së, megjithatë, mund të ndërhyjë vetëm nëse veprohet në kundërshtim me ligjet e BE, siç kam bërë unë në rastin e Francës në verën e vitit 2010, kur direktiva e BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve nuk ishte harmonizuar drejt në ligjin francez, me të cilin Franca planifikonte dëbimin e qindra romëve", thekson ndër të tjera në intervistën dhënë Deutsche Welle-s, komisionerja e BE-së, Viviane Reding.