1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran Auseinandersetzungen

29 Dhjetor 2009

Edhe pse situata ishte e qartë që para gjashtë muajsh: mashtrimet në zgjedhjet presidenciale dhe rizgjedhjen e Mahmud Ahmadinexhadit, qeveria synon t'i shuajë protestat me dhunë. Por dhuna nuk është mjet i mirë.

https://p.dw.com/p/LG2m
Protesta ne Iran
Fotografi: AP

Masat e gabuara të qeverisë ndaj demonstruesve bënë që të shtrohet çështja e legjitimitetit të zgjedhjeve, të shkallëzojnë protestat dhe që gjendja në Iran të futet në qorrsokak.

Gjatë protestave në Iran sërish ka pasur të vdekur, për herë të parë që prej qershorit. Kjo u konfirmua edhe nga televizioni shtetëror. Opozita iraniane shfrytëzoi festën e ashures për të protestuar kundër regjimit të presidentit Mahmud Ahmedinexhad. Dëshmitarët njoftojnë se të dielën kanë demonstruar me mijëra kundërshtarë të presidentit.

Faroughi Jamsheed
Jamsheed Faroughi

Në ç'drejtim po shkon Irani? Është kjo pyetja më e rëndësishme për një shoqëri të re, të shtypur për shumë vite me radhë. Ajo shpreson për një të ardhme më të mirë, të cilën me siguri që edhe e meriton. Por kjo është një çështje e rëndësishme edhe për rajonin, i cili vuan nga dhuna, luftërat dhe konfliktet gati të pashërueshme. Madje së fundi kjo është një çështje e rëndësishme edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila është ngopur me qëndrimin provokues të Iranit në konfliktin rreth programit të tij atomik.

Ku do të përfundojë brutaliteti dhe ku do të çojnë protestat?

Në ç'drejtim po shkon Irani? Një pyetje me vend, e cila, si të gjitha pyetjet tjera me vend, nuk ka ndonjë përgjigje të mirë. Lufta për pushtet dhe paralelisht me këtë protestat në rrugët e Teheranit, po vazhdojnë që prej zgjedhjeve presidenciale në qershor të këtij viti. Lufta për pushtet madje po ashpërsohet, ndërsa protestat dhe përleshjet po bëhen më radikale dhe brutale. Po ku do të përfundojë ky brutalitet dhe ku do të çojnë protestat?

Festa e Ashures u shfrytëzua në mbarë vendin nga kundërshtarët e regjimit për të protestuar në rrugë. Ishte e qartë që opozita do të shfrytëzojë këtë shans për protesta kundër regjimit, por ndërhyrja brutale e regjimit iranian në kohën e festës, ishte një gabim i madh që mund të ketë pasoja të rënda, sepse kjo festë për myslimanët shiitë është një ditë shumë e rëndësishme. Në këtë ditë shiitët përkujtojnë vdekjen e imamit Hosein, i cili ka luftuar me guxim për drejtësi duke flijuar për për këtë edhe jetën. Ashuret pra janë dita e kryengritjes kundër padrejtësisë dhe despotizmit.

Përgjigja e vetme që i ka mbetur pushtetmbajtësit në Iran: shtimi i dhunës

Flakë dhe tym u pa rrugëve të Teheranit, të Isfahanit, të Naxhafadit, të Tebrizit apo të Shirazit. Gjakderdhje, të plagosur dhe të arrestuar. Pas tre muajsh sërish pati të vrarë në rrugë. Numri i të vrarëve ende nuk dihet, por dihet se ndër ta është edhe nipi i liderit opozitar Mirhosein Moussavi.

Duket se shtimi i dhunës është përgjigja e vetme, e cila i ka mbetur pushtetmbajtësit në Iran, ndaj paknaqësisë së drejtë të njerëzve në këtë vend. Por po shihet që përgjigja nuk është adekuate.

Diktatorët mbajnë mend pak. Nga historia ata nuk kanë mësuar asgjë, ose leksionet i kanë harruar shpejt. Është kjo përgjigja e vetme ndaj faktit që gjithmonë përsërisin të njëjtat gabime.

Një shoqëri e pakënaqur nuk mund të mbahet gjithmonë nën kontroll

Lufta mes shoqërisë dhe shtetit në Iran po vazhdon. Festa e ashures tregoi se një shoqëri e pakënaqur nuk mund të mbahet gjithmonë nën kontroll. Për zgjidhjen e problemeve dhe padrejtësisë, duhet më shumë arsye e jo dhunë. Por duket se arsyeja nuk ekziston në bllokun e udhëhequr nga ultra - konservatorët e mbledhur rreth udhëheqësit fetar Khamenei.

Autor: Jamsheed Faroughi
Redaktor: Pandeli Pani