1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110211 Westerwelle Mubarak-Rede

11 Shkurt 2011

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u shpreh i zhgënjyer nga fjalimi i Mubarakut në televizion. Fjalimi nuk hapi perspektiva të reja dhe nuk ishte hapi i shpresuar përpara, tha Westerwelle.

https://p.dw.com/p/10FZQ
Westerwelle bën thirrje të shmanget dhuna.
Westerwelle bën thirrje të shmanget dhuna.Fotografi: AP

Krahas zhgënjimit, ministrit të Jashtëm gjerman Westerwelle i dallohej edhe shqetësimi i madh: fjalimi i presidentit egjiptian Hosni Mubarak nuk ishte hapi i shpresuar përpara, veçanërisht për njerëzit në rrugët e Kairos, të cilët prej ditësh demonstrojnë duke kërkuar dorëheqjen e sundimtarit 83-vjeçar.

"Për këtë arsye druhem se edhe demonstruesit do të reagojnë të zhgënjyer nga ky fjalim."

Problemet e popullit duhen dëgjuar dhe zgjidhur

Guido Westerwelle përmendi vetëm indirekt që ky zhgënjim mund të ndryshojë natyrën e protestave të cilat deri tani kanë pasur karakter paqësor. Shqetësimi i bashkësisë ndërkombëtare pas fjalimit është më i madh se sa përpara tij, u shpreh Westerwelle. Demonstruesit kanë të drejtën që shqetësimet e tyre për liri, demokraci dhe një ndryshimin themelor të merren në konsideratë dhe të vihen në jetë.

Ägypten Kairo Proteste
Protestuesit nuk heqin dorë nga kërkesa për largimin e Mubarakut.Fotografi: AP

Ndryshimi duhet të fillojë tani

Westerwelle nënvizoi vlerësimin e tij se fjalimi i Mubarakut për Egjiptin nuk do të ketë një efekt "çlirues". Ministri i Jashtëm gjerman paralajmëroi që ndryshimi demokratik të mos shtyhet për kohë të gjatë. Ai nuk duhet të ndodhë dikur por duhet të fillojë tani, tha Westerwelle.

Evropa ka ofruar një partneritet për transformimin, me të cilin do të mbështetet ky ndryshim. Por veç kësaj është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të bëjë të qartë, se çfarë pret nga udhëheqja aktuale në Egjipt. Megjithatë për këtë kërkohet diplomaci: nuk duhet në asnjë mënyrë të mbështeten pretendimet se demonstruesit drejtohen nga forca jashtë Egjiptit.

Asnjë pretekst për influencë nga jashtë

"Me temën "influencë nga jashtë" bëhet aktualisht politikë në Egjipt. Ne nuk duam të ofrojmë më shumë pretekste për këtë."

Mbetet e qartë se qeveria gjermane mbështet kërkesën për demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut. Si demokratë gjermanët e shohin veten në anën e demokratëve, tha shprehimisht Westerwelle. Përballë zëmërimit dhe zhgënjimit, Westerwelle u bëri thirrje me fjalë të qarta demonstruesve dhe qeverisë në Egjipt të heqin dorë nga përdorimi i dhunës.

"Kur sheh fytyrat dhe angazhimin e njerëzve të lind shpresa se e gjithë kjo kauzë nuk do të zhgënjehet përmes përdorimit të dhunës. Dhe kjo është më rëndësishmja për ne: jo dhunë", theksoi Westerwelle.

Autor: Thomas Schmidt / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani