1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime në Shqipëri pas raportit të progresit të Komisionit të BE-së

13 Tetor 2011

Publikimi i Progres Raportit nga Komisioni i BE-së është në qendër të debatit politik në Shqipëri. Për analistët e pavarur alternativa është vetëm një: ulja në tavolinë e palëve pa humbur kohë.

https://p.dw.com/p/12rGw
Ettore Sequi, shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri.
Ettore Sequi, shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri.Fotografi: DW

Menjëherë pas publikimit të Progres Raportit për Shqipërinë nga ana e Komisionit Europian nisën reagimet mbi përmbajtjen e tij. Kryeministri Sali Berisha në prani të shefit të delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, ambasadorit Ettore Sequi, tha se nuk i kishte lexuar ende vlerësimet më të fundit të Brukselit, por siç u shpreh ai “apriori, unë e garantoj ambasadorin se, sikundër dhe në vite të tjera, raporti përbën një program të vërtetë pune, për sa u përket reformave të qeverisë sime dhe të çdo agjencie përkatëse. Çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do ta shndërrojë në plan pune”.

Ndërkohë shefi i opozitës Edi Rama, pasi mori në duar tekstin e progres raportit nga ambasadori Sequi, dha një deklaratë për median nëpërmjet zëdhënësit të PS.

“Kryetari Rama falenderon shërbimet e Komisionit Europian për analizën e kthjellët në këtë raport, që është një vazhdimësi e detyrave të lëna për vendin tonë nga opinioni i vitit të kaluar. Si drejtues i opozitës, Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë” – thuhej në deklaratën që lëshoi zëdhënësi i partisë më të madhe të opozitës.

Analistët: raporti i progresit me nota tejet kritike për politikën

Gazetari Ilir Alia që drejton Qendrën për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve e shikon klasën politike shqiptare në një nga momentet më kritike në këtë periudhë të tranzicionit. Nuk është vlerësuar ndonjëherë me nota të tilla kritike në mënyrë të drejtëpërdrejtë puna dhe roli i saj për zhvillimin e vendit, sa në rastin e publikimt më të fundit të progres-raportit nga ana e Komisionit Evropian, thotë ai për DW, duke shtuar se, një alternativë ka mbetur për tejkalimin e ngërçit: ulja në tavolinë pa humbur më kohë.

Gazetari Ilir Alia në bisedë me Deutsche Welle-n.
Gazetari Ilir Alia në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW/Arben Muka

“Punët e Shqipërisë do t'i zgjidhim ne shqiptarët, nuk mund të na i zgjidhë askush në Evropë a në SHBA. Kjo do të ishte një kërkesë e madhe dhe e tepërt besoj. Nuk ka ndonjë gjë të madhe dhe të tepërt që të ulen dy shqiptarë që flasin shqip, që nuk kanë ndonjë problem më të madh se integrimi i Shqipërisë. Problemet e tyre individuale mund t'i zgjidhin diku tjetër dhe të mos e lënë peng Shqipërinë të problemeve të tyre dhe mosdëshirës që kanë ndaj njëri – tjetrit.”

Ilir Alia mendon se ulja në tavolinë me predispozitë konkrete do të sjellë gradualisht shqyrtimin dhe përmbushjen e 12 pikave të adresuara nga Komisioni Evropian.

“Pra, axhenda është në tryezë dhe me atë janë dakord të gjitha palët. Duhet vullneti që në një hark kohor të mirëpërcaktuar të nisë dialogu dhe me kompromis të kapërcehet çdo hap. Nga BE nuk do të rreshtë asistenca për cilëndo pjesë të reformës ku ka mëdyshje a paqartësi. Ato janë reforma të nevojshme për këtë vend, që ky vend të ecë përpara. Është e vërtetë që ne i kemi ndjerë më pak efektet e krizës ekonomike se vendet e tjera të rajonit. Por nuk duhet të mbetemi këtu, duhet të ecim me hapa më të shpejtë përpara, sepse Shqipëria për afër 50 vjet ka qënë më prapa dhe më e izoluar se të tjerët dhe për këtë duhet të lëvizim shpejt përpara”.

Demokratizimi brenda partive kryesore, mundësi për daljen nga ngërçi politik

Analisti Zamir Alushi, kryeradaktor i revistës “One” ka një këndvështrim tjetër për atë, që ai e quan zgjidhje afatgjatë të ngërçit politik në Shqipëri. Mendoj se krahas reformave të domosdoshme duhet të ketë lëvizje edhe brenda kampeve të politikës, thotë Alushi për Deutsche Welle-n.

Analisti Zamir Alushi, në bisedë me Deutsche Welle-n.
Analisti Zamir Alushi, në bisedë me Deutsche Welle-n.Fotografi: DW/Arben Muka

“Konkretisht kjo ka të bëjë me zgjerimin dhe demokratizmin e këtyre partive, në mënyrë që t'u hapet rrugë mendimeve alternativave dhe të detyrohen të dy lidership-ët që të dalin nga pozicioni i ngërçit ndaj njëri tjetrit, që ka bllokuar për një kohë të gjatë procesin e integrimit të vendit për në BE”.

Për Zamir Alushin një nga pikat nga duhet të fillojë punë është realizmi i reformës zgjedhore. Ky është interesi i dy partive, por ky është dhe interesi më i madh i demokracisë shqiptare. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka institucione të besueshme dhe funksionale, thotë ai për Deutsche Welle-n.

“Më tutje kjo do t'i hapë rrugën trajtimit të pikave të tjera që kanë sërish interesa konkrete, siç mund të jetë zgjedhja e Avokatit të Popullit, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatorit të Bankës dhe pikave të tjera që do ta çtensionojnë situatën mes dy partive kryesore në parlament.”

Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani