1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raund i ri bisedimesh në Kazakistan për konfliktin atomik iranian

(dpa, reuter) Mimoza Cika-Kelmendi5 Prill 2013

Grupi i "gjashtëshes" negocion këtë të premte në Kazakistan lidhur me konfliktin atomik të Iranit. Teherani këmbëngul në njohjen e të drejtës së prodhimit të energjisë bëthamore për qëllime civile.

https://p.dw.com/p/18AWR
Fotografi: Reuters

Në hapje të një raundi të ri negociatash për programin atomik iranian, bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Teheranit të ofrojë përkrahje për propozimet e bëra në adresë të tij. Pesë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-s, SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca si dhe Gjermania presin gjatë bisedimeve në Almaty të Kazakistanit një përgjigje pozitive nga negociatorët iranianë. Ata po bëjnë përpjekje që ta nxisin Teheranin të përgjysmojë prodhimin si dhe përqëndrimi i uraniumit të pasuruar të jetë në 20%, masa këto që e mbajnë Iranin larg mundësisë për të krijuar armë bërthamore. Grupi 5+1 i kërkoi Iranit po ashtu të mbyllë edhe impiantin nëntokësor në Fordo.

Perëndimi dyshon se Irani nën mantelin e shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile po punon për prodhimin e armëve bërthamore. Por Teherani nga ana e tij e hedh poshtë këtë akuzë dhe këmbëngul që t'i njihet e drejta e zhvillimit një programin atomik për qëllime civile dhe t'i heqë sanksionet kundër vendit. Kryenegociatori iranian Saed Jalili tha para takimit se bashkësia ndërkombëtare duhet të pranojë të drejtat e Teheranit për pasurimin e uraniumit sepse sipas tij qëllimet janë tërësisht civile. “Jemi duke folur për energji bërthamore paqësore”, theksoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun shpreson “për një progres domethënës” nga këto negociata, duke i nxitur iranianët të provojnë me fakte se programi është për qëllime paqësore. Nga ana e tyre, gjashtë vendet më të fuqishme në botë kanë premtuar se do t'i zbusin sanksionet e ashpra ekonomike kundër Iranit nëse Teherani vepron sipas propozimeve të bëra. Në mars të këtij viti, vetë presidenti amerikan Barack Obama i pati ofruar Iranit një “zgjidhje praktike”, nëse vërtet ka qëllime paqësore për pasurimin e uraniumit, dhe jo krijimin e armëve bërthamore.