Rasti Motassadeq - Ndihmësi i atentatorëve të 9/11 në SHBA | Bota | DW | 16.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Rasti Motassadeq - Ndihmësi i atentatorëve të 9/11 në SHBA

Gjurmët e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA mbërrijnë deri në Hamburg të Gjermanisë. Mounir El Motassadeq, anëtar i rrjetit terrorist ka qenë 15 vjet në burg. Tani marokeni u lirua nga burgu.

Abschiebung von Terror-Helfer Mounir El Motassadeq (picture-alliance/dpa/D. Bockwoldt)

Ekstradimi i Mounir El Motassadeq për në Marok, Hamburg më 15.10.2018

Ditë shtatori me erë në Hamburg. Trafiku zhvillohet normalisht në Steindamm, një rrugë e gjerë jo larg stacionit hekurudhor, ku parakalojnë edhe shumë turistë. Tek numri 103 gjendet një dyqan i automjeteve. Dikur ka qenë këtu xhamia Al-Quds, ku faleshin edhe anëtarët e grupit terrorist, atentatorët e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Simpatizantët e atentatorëve e kanë vizituar më pas këtë xhami, ku janë gjunjëzuar ashtu si edhe piloti vetëvrasës Mohammed Atta. Ai u turr me avion më 11 shtator në njërën nga kullat binjake të World Trade Centers në Nju Jork.

Në numrin 103 nuk falet sot askush më, por këtu gatuhet - këtu është një restorant vietnamez. Xhamia Al-Quds u mbyll përfundimisht në vitin 2010. Pikëtakimi i islamistëve radikalë ishte shndërruar në një halë në sy për atuoritetet, të cilët e mbyllën atë.

Hamburg Standort der früheren Al-Quds-Moschee (DW/N. Werkhäuser)

Ish-xhamia Al-Quds, ku faleshin anëtarët e celulës në Hamburg

Në Santa Fu

Edhe marokeni Mounir El Motassadeq është falur në xhaminë Al-Quds. Në fund të vitit 2001 ai u arrestua, nën akuzat për ndihmën e terorristëve dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. Dënimin e ka vuajtur në "Santa Fu", siç e quajnë këtë burg në Hamburg. Ai ka pasur sjellje korrekte, ka qenë i sjellshëm dhe miqësor. Një tip i qetë, thonë ata që e kanë parë. Në burg ai përfundoi studimet në elektroteknikë. Kjo ishte edhe arsyeja e ardhjes së tij në Hamburg në vitet 90-të, në Universitetin Teknik. Një universitet i mirë që me krah të hapur ka pritur shumë studentë të huaj.

DW Special Motassadeq Kombobild Hamburger Terrorzelle (picture-alliance/dpa)

Pjestarët e celulës së Hamburgut

Grupi terrorist i Hamburgut

Atje Motassadeq u njoh me egjiptianin Mohammed El Amir, të njohur si Mohammed Atta, një nga personat kryesorë në sulmet terroriste të 11 shtatorit. Motassadeq ka qenë mik me Atta dhe e ka nënshkruar testamentin e tij. Në Hamburg-Harburg ka studiuar edhe Marwan Al-Shehhi, i cili fluturoi me avion në kullën binjake jugore të World Trade Center. Më pas ky grup u bë i njohur si "celula e Hamburgut", ku bënte pjesë edhe piloti vetëvrasës Ziad Jarrah si dhe Ramzi Binalshibh, i cili gjendet në burgun e Guantanamos.

Këta të rinj u radikalizuan së bashku. Në kampet e Al Kaidës në Afganistan ata mësuan të përdorin armët. Motassadeq ka qenë në Afganistan në maj të vitit 2000. Kryesia e Al- Kaidës, e afërt me Osama Bin Ladenin, kishte përzgjedhur disa nga studentët e gatshëm për sulme terroriste. Motassadeq nuk ishte në mesin e tyre, ai vepronte në sfond. Në nëntor të vitit 2001 u arrestua dhe më pas u akuzua për anëtarësi dhe ndihmën e grupit terrorist në vrasjen e më shumë se 3000 personave, sa gjetën vdekjen në Nju Jork dhe Uashington. Një avion ishte rrëzuar në Pennsylvania, pasi pasagjrët ishin përpjekur të rimarrin nën kontroll avionin.

Gjykatësit ishin të bindur se Motassadeq ka pasur dijeni për këto plane të mëdha për sulmet terroriste. Por ai nuk e ka ditur se cilat janë caqet e sulmeve, sepse për këtë ishin informuar vetëm pak njerëz. Por ai u dënua edhe për ndihmën e atentatorëve gjatë stërvitjeve.

Procesi shumëvjeçar

Procesi kundër Motassadeq ka zgjuar interesim të madh dhe ishte shumë i komplikuar. Avokatët e tij pohonin se ai është i pafajshëm, ndërsa prokuroria e fajësonte për ndihmën e terroristëve. Një nga avokatët e tij edhe sot është i bindur se ai është i pafajshëm. Gazetarët që e kanë ndjekur këtë proces thonë, se dëshmitë kanë qenë të dobëta. Në prill të vitit 2004 Motassadeq madje u lirua përkohësisht nga burgu. Në mbarë botën u përhapën fotografi me buzëqeshjen e tij duke dalë nga burgu. Qeveria amerikane ishte e indinjuar: Motassadeq është një "tip i rrezikshëm", kumtoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme amerikane.

DW Special Motassadeq vor dem Strafjustizgebäude in Hamburg (picture-alliance/dpa/U. Penney)

Motassadeq para godinës së përmbarimit në Hamburg

Motassadeq: "Jam i pafajshëm"

Motassadeq nuk e ka mohuar kurrë se ka qenë mik me atentatorët dhe se është kujdesur për ta. Por ai thotë se nuk ka ditur kurrë për planet e tyre për sulme. Ai nuk është përgjigjur në kërkesën e DW për intervistë, por ka biseduar me gazetarët në vitin 2009. Gazetarit irlandez Anthony Summers ai i ka dhënë në burg një intervistë të gjatë, të cilën e ka parë edhe DW. "Të bësh përgjegjës një person të pafajshëm, nuk e ndihmon askënd - as ata që kanë vdekur, as familjet e tyre dhe as të vërtetën", thoshte Motassadeq, në intervistën e vetme që është publikuar deri tani.

Summers është autor i librit "The Eleventh Day: The Full Story of 9/11", të cilin e ka shkruar së bashku me Robbyn Swan. Ky libër në vitin 2012 ka fituar çmimin Pulicer. Në kuadër të hulumtimeve për librin, Summers ka biseduar me Motassadequn shumë orë në burg. Ai thotë, se ai ka qenë i shokuar nga këto sulme. Dy ose tri ditë më vonë i ka parë fotografitë e miqve të tij në TV: "Shoku ishte edhe më i madh ku i pashë."

15 vite burg

Por procesi zgjati me vite të tëra. Në janar të vitit 2007, ai u dënua me 15 vjet heqje lirie. Ai u shpall fajtor për bashkëverpim në një grup terrorist dhe ndihmë në vrasjen e 246 personave. Gjykatësit vendosën që pas vuajtjes së d`nimit, Motassadeq duhet të largohet nga Gjermania në Marok. Ai nuk mund ta shkelë tokën gjermane para vitit 2064.

Motassadeq është falur pesë herë në ditë gjatë kohës sa ka vuajtur dënimin në burg. Ai është rritur së bashku me pesë vëllezër dhe motra në qytetin Marrakesh. "Pa këto falje, një person si unë, do të kryente vetëvrasje", thotë ai në bisedë me Summers.

Ai gëzonte një respekt të madh në skenën ekstremiste-salafiste. Por ai vet nuk ishte i interesuar për kontakte me këtë skenë, thonë autoritetet e sigurisë. Një i njohur i tij nga Boni thotë se "besimi i Motassadeqit është aq i fuqishëm, sa që ai mendon se të gjitha që ndodhin janë vullneti i Zotit."  Të njohurit dhe autoritetet e sigurisë e konsiderojnë atë si një të ri të sjelljshëm dhe të qetë. "Por atuoritetet janë të mendimit se ai nuk i ka ndryshuar bindjet e tij", thotë një punëtor i sigurisë për Deutsche Welle.

DW Special Motassadeq (picture-alliance/dpa)

Goditja me avion e kullave binajke në Nju Jork më 11.09.2001

Nuk ka lirim të parakohshëm

Ky vlerësim i autoriteteve ka bërë që të refuzohet kërkesa e Motassadequt për lirim ta parakohshëm nga burgu. Gjykatësit ishin të mendimit se ai nuk ka hequr dorë nga bindjet e tij "islamiste dhe xhihadiste". Ai nuk ka hequr dorë as nga bindjet e tij për stërvitje ushtarake, sepse mendon se secili duhet të kryejë obligimin ushtarak. Edhe Daniel Zerbin, profeson për shkencat e kriminologjistë mendon se Motassadeq nuk i ka ndryshuar bindjet. Zerbin është marrë shumë me celulën e Hamburgut në temën e tij të doktoraturës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se Motassadeq do të arrestohet menjëherë nëse e shkel sërish tokën e Gjermanisë. Por duket se ai nuk e ka ndërmend të kthehet. Në Marok pret gruaja e Motassadequt, një ruse e konvertuar në fenë islame, si dhe tre fëmijë të moshës 11-18 vjeç. Ata janë të bindur se Mouniri ka qenë i pafajshëm në burg.

Mbikqyrja

Motassadeq me siguri që nuk do të kthehet shumë shpejt në jetën normale në Marok. Forcat e sigurisë në këtë vend janë duke ndërmarrë të gjitha masat që të mos përsëriten sulme terroriste. Vëzhgutesit janë të bindur se Motassadeq do të merret në pyetje pas kthimit në vend, e madje ndoshta edhe do të arrestohet dhe do të nxirret para gjykatave. Por është e sigurt se ai do të jetë nën mbikqyrje. Amerikanët janë të interesuar të dijnë nëse Motassadeq ende paraqet rrezik për sulme.

Hero i Al Kaidës

A ka vërtet ndonjë rrezik nga Mounir El Motassadeq, 17 vjet pas sulmeve terroriste në SHBA? Kjo nuk i intereson më thuajse askujt, thonë autoritetet gjermane. Në moshën 44 vjeç ai nuk është më i përshtatshëm për të qenë një simbol i islamistëve. Por punonjësi i shërbimeve sekrete Phil Gurski mendon ndryshe. Ai mendon se rrjeti terorrist Al Kaida edhe më tej e konsideron Motassadeq hero, sepse ai ka luajtur një rol në sulmet më të mëdha terroriste deri më sot dhe nuk e ka tradhëtuar askënd nga rrjeti. Edhe Daniel Zerbin mendon se ai mund të përdoret si figurë për propagandë: Motassadequ me siguri që nuk do të bëjë bomba me dorë. Por ai do të trajtohet si një "simbol", e simbolet e tilla janë figura të rëndësishme të terrorizmit.

Bashkëpunoi Siham Ouchtou