1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Rastet e reja të korronavirusit mbyllin shkollat

10 Mars 2020

Mbërrin në shtatë numri i të prekurve nga virusi Corona në Maqedoninë e Veriut

https://p.dw.com/p/3ZAVH
China Wuhan Labor testet auf Coronavirus
Fotografi: AFP

Është rritur në shtatë numri i personave të infektuar nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut (RMV). Pas drejtores së Klinikës së Dermatologjisë në Shkup me COVID-19 janë diagnostikuar edhe tre persona të tjerë, të cilët ishin kthyer nga Italia së bashku me çiftin bashkëshortor nga Dibra, që po ashtu rezultuan pozitiv me virusin Corona.

"Në klinikën infektive në Shkup janë shtatë pacientë në formë të lehtë klinike, te të cilët është shfaqur sëmundja, por gjashtë prej tyre nuk kanë nevojë për respirim mekanik. Pacientja e shtatë, që ishte praktikisht e para e infektuar, tashmë është stabilizuar plotësisht dhe sot është dërguar material në laborator e presim  rezultatet nga testi kontrollues, testi i parë fillimisht ishte negativ. Sot nuk ka rast të ri. Testohet vetëm një paciente 16 vjeçare, e cila ka shenja jo specifike për sëmundje respiratore”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ndërkohë në izolim shtëpiak po mbahen rreth 200 persona të tjerë të cilët besohet të kenë qenë në kontakt me drejtoreshën e Klinikës së Dermatologjisë. Bëhet fjalë për kolegë të saj mjekë dhe i tërë personeli tjetër mjekësor, por edhe pacientët që ndodheshin në klinikë, që nga dita e hënë  është mbyllur deri në një vendim të ri.

Qeveria merr masa urgjente, mbyllen shkollat

Pas paraqitjes së rasteve të reja të të infektuarve me virusin Corona, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për mbylljen e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme dhe fakulteteve për 14 ditët në vazhdim,

"Të ndërpritet mësimi në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut përfshi edhe çerdhet, në 14 ditët e ardhshme, të lirohen punëtorët nga detyrimet në këto institucione. Një prind për fëmijë deri në moshën 10 vjeçare lirohet nga puna në 14 ditët e ardhshme. Ndërpritet mësimi në arsimin e lartë. Ndërpriten tubimet publike me mbi 1000 pjesëmarrës në 14 ditët e ardhshme”, ka deklaruar Venko Filipçe ministër i Shëndetësisë.

Gjithashtu me vendim të qeverisë ndalohen tubimet masive në mjedis të hapur dhe të mbyllur me mbi njëmijë pjesëmarrës në territorin e të gjithë vendit në 14 ditët e ardhshme, ndërsa rekomandohet të mos organizohen edhe të gjitha ngjarjet kulturore në nivel të RMV-së, ndalohet mbajtja e ndeshjeve sportive me publik në periudhë prej 30 ditëve të ardhshme.

Kujdes me lajmet për virusin Corona, të shmangert paniku

Informacionet e rreme shkaktojnë panik. Situata e krijuar nuk duhet të shfrytëzohet për fitimin e pikëve politike, ka thënë ministri Filipçe.

“ Ne po bëjmë gjithçka që ta mbajnë situatën nën kontroll, institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe do të reagojmë varësisht situatës. Ajo çfarë duhet të bëjnë qytetarët është që të zbatojnë të gjitha masat dhe rekomandimet të cilat po i përsërisim në vazhdimësi”, ka theksuar ministri i shëndetësis Venko Filipçe.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) i bashkohet thirrjes së Federatës Evropiane të Gazetarëve në apelin që mediat të raportojë me përgjegjësi dhe t'i shmangen krijimit të panikut të pajustifikuar në publik kur raportojnë për virusin Corona (KOVID-19). Sipas SHGM, gazetarët dhe mediat kanë përgjegjësi t'i përmbahen rregullave etike në punën e tyre dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e gënjeshtrave dhe krijimin e panikut në publik. Ata kanë për detyrim të krijojnë hapësirë për ekspertë të kualifikuar për të komentuar çështje të tilla të ndjeshme siç është rasti me virusin Corona.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut