Raporti i qeverisë mbi rolin e BND-së në Irak | Gjermania | DW | 24.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Raporti i qeverisë mbi rolin e BND-së në Irak

Ka mjaft spekulime mbi aktivitetin e dy punonjësve të Shërbimit Kombëtar Informativ të Gjermanisë, BND, në Irak pasi ShBA filluan luftën në këtë vend. Spekulimet madje arrinin deri në hamendjen për pjesëmarrje gjermane, gjë që e kundërshtonte qeveria e mëparshme e socialdmeokratëve dhe ekologjistëve.

Salla plenare e Bundestagut

Salla plenare e Bundestagut

Konkluzioni, në të cilin arrin qeveria prej aktiviteteve të diskutueshme tw Shërbimit Kombëtar Informativ, BND, është: që në situata të ngjashme do të ish vepruar në të njëjtën mënyrë. Kështu është shkruar në pjesën e publikuar të raportit qeveritar që iu paraqit forumit parlamentar të mbikqyrjes. Sekretarët e përgjithshëm të partisë kristiandemokrate dhe asaj socialdemokrate në Bundestag shprehën keqardhjen, që mundën t´u shpërndajnë gazetarëve vetëm 90 faqe nga 300 që ka gjithsej dosja e këtij raporti. I ngarkuari i federatës me mbrojtjen e të dhënave "me ndërgjegjen e tij të nëpunësit" ndalon publikimin e plotë, u shpreh me keqardhje politikani socialdemokrat, Olaf Sholc. Thelbi i raportit sipas qeverisë është: angazhimi i BND-së në Irak është kryer në kuadër të mandatit qeveritar. Vetëm 25 njoftime i janë dhënë instancave të ShBA, e këto nuk kanë qenë informacione të përshtatshme për hetimet lidhur me fillimin e luftës.

Sekretari i përgjithshëm i unionit konservator Norbert Rëtgen mendon, se komisioni hetimor i parlamentit nuk mund të zbulojë më shumë se kaq. Madje kjo mund ta dëmtojë punën e shërbimeve sekrete në një kohë që informacionet e tyre nevojiten më shumë se kurrë. Përfaqësues të opozitës, që e njohin raportin të plotë mendojnë ndryshe. Parlamentari ekologjist, Hans-Kristian Shtrëbele prej raportit të qeverisë arrin në përfundimin, se BND-ja në vitin 2003 i ka njoftuar ShBA 11 objekte në Irak për sulme eventuale. Në televizionin NTV, Shtrëbele tha: "Ato kanë njoftuar një sërë objektesh, që fare qartë dhe në mënyrë të padiskutueshme kanë karakter ushtarak. Këto objekte janë komunikuar në Gjermani dhe më pas i janë përcjellë instancave përkatëse në ShBA me të ashtuquajturat koordinata, prej nga mund të kuptohet se përse është fjala. P.sh. tregohet për histori të tilla, si pozicionet e gardës republikane me armatimet përkatëse për luftë në rrjete të kamufluara."

Qeveria e pranon që ka pasur njoftime me referencë ushtarake. Por sipas saj këto nuk kanë qenë të përshtatshme për qëllimin që pretendohet. BND-ja ndër të tjera vë në dukje, se është përdorur për qëllime ushtarake një aparaturë civile jo aq e saktë navigimi. Në rastin e gardës republikane është fjala për forca mobile, që siç dihet nuk kanë qenë pjesë e gamës së objektivave të trupave të ShBA. Për qeverinë është e qartë: që punonjësit e shërbimit sekret në Irak u janë përmbajtur detyrave të tyre.

Tri partitë e opozitës në Bundestag nuk janë në unanimitet, nëse duhet angazhuar komisioni hetimor ose jo. Partia e majtë prej kohësh është shprehur për angazhimin e komisionit hetimor, edhe grupi parlamentar i ekologjistëve të premten u shpreh pro kësaj, ndërsa partia liberale FDP do të vendosë për këtë më 7 mars. Komisioni mund të shqyrtojë edhe rastet e fluturimeve të të burgosruve nga CIA përmes Gjermanisë, marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm nga pala gjermane jashtë vendit si dhe rastin e rrëmbimit të gjermano-libanezit El Masri. Por as liberalët dhe as ekologjistët ende nuk kanë vendosur përfundimisht. Vetëm partia e majtë është për angazhimin e komisionit hetimor, por ajo ka shumë pak vota për t´i arritur kësaj.

  • Data 24.02.2006
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1F
  • Data 24.02.2006
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar1F