Rammstein: Abuzim apo liri artistike? | Gjermania | DW | 29.03.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Rammstein: Abuzim apo liri artistike?

Një videoklip i grupit gjerman Rammstein ka ngjallur polemika të mëdha. Aty këngëtarët pozojnë si të burgosur kampesh përqendrimi.

Till Lindemann dhe tre kolegët e tij nga grupi Rammstein pozojnë të rreshtuar, në një kulisë të zymtë dhe të rëndë, me litar në qafë dhe të veshur me kostume të burgosurish nga kampet e përqendrimit të periudhës së nazizmit. Kamera pastaj lëviz ngadalë në përgjatë trekëmbëshit. Kështu prezantohet Rammstein në një videoklip të shkurtër prej 35-sekondash. Dhe me këtë rocker-ët kanë ngjallur një reagim të madh në opinionin publik.

"Inskenimi si të burgosur kampesh përqendrimi e shkel vijën e kuqe", i tha gazetës "Bild" i ngarkuari i qeverisë gjermane për anti-semitizmin, Felix Klein. Nëse kjo është bërë thjesht për të promovuar videon, atëherë kemi të bëjmë me një "përdorim pa shije të lirisë artistike".

Charlotte Knobloch, e mbijetuar e Holokaustit dhe ish-kryetare e Këshillit Qendror të hebrenjve në Gjermani, i tha gjithashtu gazetës "Bild": "Shfrytëzimi dhe rëndomtësimi i Holokaustit, siç tregohet në foto, është i papërgjegjshëm. Ky keqpërdorim që i bën "Rammstein" vuajtjes dhe  vrasjes së miliona njerëzve thjesht për qëllime argëtimi,  është arrogante dhe e neveritshme.

Deutschland 2018 | Konzert der Band Rammstein (picture-alliance/Geisler-Fotopress)

Rammstein gjatë një koncerti në Hannover, ne dhjetor 2018

"Holokausti nuk duhet të ofendohet

Zëdhënësja e Përkujtimores së  Holocaustit në Jerusalem, Yad Vashem, bëri thirrje për një përdorim të përgjegjshëm të kujtimit të hebrenjve të vrarë. Iris Rosenberg i tha gazetës "Bild" se është legjitime të përdorësh Holocaustin për qëllime artistike, por ai nuk mund të shërbejë "vetëm si instrument" për të tërhequr vëmendjen."

Joachim Trebbe, profesor për publicistikë në Berlin, është i mendimit, se përpara se të dënohet ky publikim i Rammstein-it duhet të sqarohet se çfarë kanë dashur ata të thonë me këtë? "Është ende herët të gjykohet, sepse kjo vjen nga Rammstein. Nga një grup si ky duhet pritur se çfarë do të ndodhë më tej. Për zemërim është ende herët", tha Trebbe në një intervistë me Deutsche Welle-n.

Grupi i rock-ut, Rammstein, provokon herë pas here. Albumet e tij, që trajtojnë tema si sado-mazokizmi, homoseksualizmi, incesti, abuzimi, nekrofilia, piromania, kanibalizmi dhe dhuna seksuale, janë bërë shpesh temë polemikash. Për shkak të glorifikimit të sado-mazokizmit, albumi Liebe ist fuer alle da (Dashuria është për të gjithë) në vitin 2009 u ndalua nga Enti Federal i Medias, duke u konsideruar i dëmshëm për të rinjtë dhe u hoq nga qarkullimi.