Rama: Shqipëria e ka për obligim ta mbështesë Kosovën | Ballkani | DW | 30.06.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Rama: Shqipëria e ka për obligim ta mbështesë Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Kosovë takoi udhëheqësit politikë kosovarë dhe bisedoi rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha në Prishtinë se Shqipëria e ka për obligim ta mbështesë Kosovën pa kushte. Por ajo nuk do të marrë detyrën e kujdestarit që t'i tregojë udhëheqësve kosovarë se çfarë duhet të bëjnë. I shoqëruar nga ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj, Rama qëndroi në Kosovë të hënën dhe të martën, ku takoi të gjithë udhëheqësit politikë kosovarë.

Rama tha se ka ardhur në Kosovë "për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve. Rama tha se nuk erdhi në Kosovë për të bashkuar në këtë fazë spektrin politik kosovar. 

"Unë nuk erdha këtu për t'i bashkuar të gjithë partitë politike apo të gjithë udhëheqësit e tyre në një tryezë, sepse e para kjo nuk është detyra ime, dhe e dyta, ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit, sipas meje, duhet të veprojë një kryeministër i Shqipërisë, kur është fjala për Kosovën apo një kryeministër i Kosovës, kur është fjala për Shqipërinë”, tha Rama. Sipas tij, Shqipëria dhe kushdo që është kryeministër i saj e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte.

"Shqipëria as nuk e ka, e as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo tutorit, mentorit, që nga lart i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë. E dimë mirë që natyrshëm nuk është që të gjithë të mendojnë njësoj për të gjithë në këtë situatë, dhe për të pasur një sens real të realitetit politik, sipas tërësisë së këtyre këndvështrimeve dhe opinioneve që përfaqësojnë këtu pjesë të caktuara të shoqërisë, unë i takova një nga një”, tha kryeministri Rama, i cili aktakuzën për krime lufte të paraqitur për opinion nga Prokurori Special kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, e quajti të "padrejtë që paraqet sprovë të natyrës kombëtare”.

"Kjo fletërrufe është e pashembullt dhe e kombinuar me momentin e publikimit. Mund të thuhet se funksionimi i Gjykatës Speciale nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik  që lidhet me paqen. Takimi në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment të rëndësishëm dhe është vijim i një përpjekjeje me shumë stacione, por edhe një mundësi për ta çuar procesin në një nivel të ri me mbështetjen e drejtpërdrejtë të SHBA”, tha Edi Rama.

Cakaj sjell mesazhe nga takimi me Grenellin

Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj  para disa dite ishte për vizitë në SHBA, ku takoi të ngarkuarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell. Gent Cakaj, që e shoqëronte kryeministrin Rama në Kosovë, shpalosi disa mesazhe.

"Kam tri mesazhe për Kosovën nga ai takim. Nuk ka marrëveshje sekrete dhe për konsum të brendshëm politik nuk është e nevojshme të abuzohet për një temë të interesit nacional. E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i ka sytë në ballë dhe këmbët në tokë, nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë, këtu po shfrytëzoj rastin edhe për ta theksuar këtë, meqë është përmendur fort, e askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën, pikë. Këtë po e sjell si mesazh nga Uashingtoni. Nuk ka asnjë nxitim për të arritur asnjë marrëveshje të shpejtë në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë”, u shpreh Gent Cakaj.

Rama tërheq padinë ndaj Ramush Haradinajt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa muaj më parë e kishte paditur për shpifje në një gjykatë në Prishtinë ish-kryeminstrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili në paraqitjet publike e kishte akuzuar Edi Ramën se ka kontribuar në një plan për ndarje të Kosovës.  Edi Rama në Prishtinë tha se e tërheq publikisht dhe zyrtarisht padinë ndaj Ramush Haradinajt edhe pse, siç tha, ”nuk e di se çfarë roli mund të ketë kjo padi në marrëdhëniet mes tyre”.

"E kam njoftuar që nuk do të bëj komunikime me mediat të vazhdueshme në çdo derë, por do të bëj një konferencë për shtyp, ku do ta tërheq padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkojë të gjithë”, tha Edi Rama.