Rama: Bizneset serbe të mirëpritura në Shqipëri, Telekom Serbia jo preferenca jonë | Ballkani | DW | 10.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rama: Bizneset serbe të mirëpritura në Shqipëri, Telekom Serbia jo preferenca jonë

Rama: Bizneset serbe të mirëpritura në Shqipëri, Telekom Serbia jo preferenca jonë. Deklaratë ekskluzive e OTE për DW: Nuk kemi vendosur ende për Telekom Albania.

Qeveria e Tiranës nuk preferon që Telekom Albania, partnere e Deutsche Telekom, (DT)  të blihet nga Telekom Serbia. Të martën, ( 9.10.2018) kryeministri Edi Rama, deklaroi në Tiranë, gjatë një takimi me mediat: „Bizneset serbe janë të mirëpritura në Shqipëri. Por në këtë sektor strategjik (sektori i telekomunikacionit) ato nuk janë preferenca jonë."

OTE: Ende asnjë vendim për blerjen nga Serbia të Telekom Albania

Kostas Kanakaris, menaxher i larte në marrdhëniet me mediat, në korporatën greke OTE, që  zotëron 99.79 % të aksioneve të Telekom Albania, partnere direkte me DT  i pyetur nga DW , Tiranë, për ofertën e blerjes së Telekom Albania, nga Telekom Serbia, tha :

"Nuk kemi ende asgjë të  rëndësishme për të njoftuar. Korporata OTE, mbështetur në prioritetet e saj strategjike dhe qëllimet e biznesit, rivlerëson vazhdimisht asetet e saj, përfshirë edhe ato në Shqipëri. OTE po vlerëson mundësitë e tregut për të krijuar vlera për aksionerët e saj, siguruar qëndrueshmëri dhe avancuar interesat e korporatës. Procesi i vlerësimit dhe diskutime lidhur me këtë ҫështje po vazhdojnë me homologë të ndryshëm" tha për DW , Kostas Kanakaris.

Oferta e Serbisë përballë qëndrimit jo mbështetës të Ramës

Në fillim të këtij muaji Telekom Serbia, ku qeveria serbe ka 58.11 % të aksioneve,  konfirmoi interesin e saj për të blerë Telekom Albania.  Dhe që në këtë shit-blerje ka peshë edhe mendimi i qeverisë së Tiranës, e bëri të qartë, të martën, vetë kryeministri Rama..

"Qeveria shqiptare nuk është pjesë e transaksionit, që do të kryejë një kompani private si Deutsche Telekom me kompaninë që do të zgjedhë të shesë biznesin. Deutsche Telekom ka një strategji tërheqjeje nga tregjet e vogla dhe po bën shitje, jo vetëm në Shqipëri. Por ky është një sektor strategjik dhe natyrisht, qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar" theksoi kryemnistri Rama, në takimin me mediat.

Shtypi lokal i Tiranës dhe e përditshmja serbe Danas ka publikuar ofertën prej 61 milionë Eurosh , që Serbia i ka dhënë korporatës greke OTE dhe indirect DT, për të blerë Telekom Albania. Por OTE i deklaroi qartë DW në Tiranë, se nuk ka ende asnjë vendim. Fjala është edhe për oferta të tjera nga vendet e rajonit përvec Serbisë, ku tregu është më i madh se në Shqipëri, për të blerë Telekom Albania, por emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditura.

Çfarë përfaqëson Telekom Albania?

Korporata Telekom Albania u krijua 3 vjet më parë, në korrik 2015 si anëtarja më e re e familjes dhe rrjetit pan-europian të Deutsche Telekom (DT). Në lanҫimin e saj, në Tiranë, Dr. Klaus Müller, në pozicionin e Drejtorit të Operacioneve për Europën në DT tha atëhere për DW se: "Krijimi i platformës së rrjetit pan – europian, brenda vitit 2018,  me produkte dhe shërbime inovatove për një komunikim pa kufi është sfida e DT dhe e strategjisë së saj për t'u shndërruar në një operator lider në Europë në telekomunikacion”.

Aktualisht Telekom Albania është korporata lider në telekomunikacion në Shqipëri që identifikohet me brandin e DT , të njëjtë në 50 vende të botës ku DT operon.  Korporata ka më shumë se 2,1 milionë klientë në Shqipëri,  mbulon 92,5 % të territorit të vendit dhe përdor roaming me 385 vende të botës.

 

Reklamë