Rama: Ashpërsim i ligjit për bllokuesit e rrugëve | Ballkani | DW | 03.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Rama: Ashpërsim i ligjit për bllokuesit e rrugëve

Vazhdon gjendja e acaruar politike në Shqipëri. Opozita bllokoi të enjten akset rrugore kombëtare në Shqipëri si përshkallëzim të mosbindjes qytetare. Kryeministri Rama paralajmëroi ashpërsimin e ligjit për bllokuesit.

Opozita dhe mbështetësit e saj bllokuan në mbrëmjen e të enjtes, (2.05.2019), akset kombëtare rrugore në të gjithë vendin. Për rreth dy orë, nga 18.00-20-00, u ndalua qarkullimi i automjeteve dhe u paralizua lëvizja e qytetarëve. Bllokimi mbrëmë i të gjitha akseve akseve rrugore kombëtare, i nisur  të enjten e kaluar vetëm në 5 qarqe të vendit, përbën përshkallëzimin e mosbindjes qytetare, si strategji e opozitës për të larguar kryeministrin Rama dhe rrrëzuar qeverinë e tij.

Protestuesit ndezën flakadanë, hodhën shashka, dogjën goma automjetesh, shkaktuan flakë dhe tym, veprime këto të shoqëruara me thirrjen, „ Rama ik". Mosbindja qytetare përmes bllokimit për 2 orë të qarkullimit të automjeteve vjen pas serisë së protestave antiqeveritare të Partisë Demokratike, (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, (LSI) të nisura në mes të shkurtit të kaluar, kur të dyja këto forca politike braktisën parlamentin dhe dolën jashtë sistemit politik duke hequr dorë në bllok nga mandatet e tyre parlamentare.

Opozita: Qeveri kalimtare për të garantuar zgjedhje të parakohshme parlamentare

Opozita akuzon Partinë Socialiste, (PS) dhe liderin e saj, kryeministrin Rama se fituan mandatin e dytë qeverisës në zgjedhjet parlamentare 2017 përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin. Kryeministri Rama i hedh poshtë akuzat dhe deklaron se nuk do të negociojë me opozitën mandatin që i kanë dhënë zgjedhësit të qeverisë Shqipërinë deri në vitin 2021. Opozita kërkon krijimin e një qeverie kalimtare për të garantuar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo ka paralajmëruar se do të „bëjë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve lokale" të dekretuara nga Presidenti Meta për t'u zhvilluar më 30 qershor.

Basha: Bllokimi i akseve rrugore për të zhbllokuar Shqipërinë

Në këtë kontekst, lideri i PD, Basha deklaroi se protestat do të jenë të vazhdueshme derisa të krijohet mundësia për zgjedhje të lira. „Beteja vijon më 30 qershor. Ne nuk do lejojmë farsë, zgjedhje pa opozitën nuk do ketë. Proces fals për të kapur bashkitë nuk do ketë. Kjo ditë nuk do të gdhijë! 30 qershori do jetë dita e bashkimit të gjithë shqiptarëve, ku do të përcaktohet një datë zgjedhjesh për lokalet dhe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër”, tha Basha në fjalën e tij, të enjten në mbrëmje.

Basha e quajti bllokimin e akseve rrugore „jo vetëm një sakrificë, por investim për të zhbllokuar rrugën e Shqipërisë, rrugën e ҫlirimit të saj nga krimi dhe korrupsioni. Beteja jonë e drejtë do të ketë vetëm një përfundim; largimin e Edi Ramës, zgjedhje të lira dhe të ndershme", theksoi ai.

Opozita publikon platformën e qeverisë kalimtare

Opozita publikoi të enjten edhe platformën e qeverisë kalimtare, që ajo pretendon të formohet, si pasojë e protestave të saj antiqeveritare dhe mosbindjes civile. Në qendër të saj janë 10 detyra që do të garantojë, sipas saj, zgjedhje të lira e të ndershme; që nga goditja me tolerancë zero e strukturave politike dhe kriminale të përfshira në shitblerjen e votës, tek ndalimi i presionit qeveritar mbi drejtësinë dhe deri tek shkëputja e lidhjes së policisë me krimin.

Aksioni politik i opozitës nuk ka ndryshuar qëndrimin e qeverisë Rama dhe maxhorancës socialiste. Ndërkohë që opozita publikoi të enjten platformën e qeverisë së pretenduar kalimtare, kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, në grupin parlamentar socialist, i kujtoi opozites ligjin dhe paralajmëroi ndryshime në Kodin Penal që ashpërsojnë dënimet.

„Nuk mund të pranojmë si normalitet bllokimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qarkullimit në mënyrë të qëllimtë", theksoi ai.

Rama i solli në vëmendje opozitës se „e gënjen mendja se do të ndalojë Shqipërinë të bëjë zgjedhjet vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta e kësaj Republike. Për parti apo individë që i japin vetes të drejta që s'jua njeh as Kushtetuta, as ligji, për t'i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, duke u kthyer në zjarrvënës të zgjedhjeve, ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.

Opozita ka paralajmëruar zhvillimin e protestës kombëtare të radhës, javën e ardhshme, më 11 Maj.