1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrimi i gjermanëve ndaj të huajve është përmirësuar

Dorotheya Miteva21 Mars 2008

Sipas një anketimi të fundit përfytyrimet dhe mendimi që kanë gjermanët për të huajt nuk janë patjetër më pozitive se më parë, por ato bazohen më tepër në përvojën individuale dhe më pak tek paragjykimet dhe klishetë.

https://p.dw.com/p/DSBo
Dy gra turke dhe një gjermane në nj rrugë tregtare të Duisburgut
Dy gra turke dhe një gjermane në një rrugë tregtare të DuisburgutFotografi: dpa

Ide të tilla si ato të krijimit të „shoqërive paralele“, të „ndërtimit të xhamive“, apo të kriminalitetit në radhët e të rinjve me prejardhje të huaj duket se po ndikojnë gjithnjë e më pak në opionionin social gjerman. Këto janë të dhënat e një anketimi të institutit për demoskopinë Allensbach. Sipas këtyre të dhënave në Gjermani numri i atyre që kanë frikë prej emigrantëve vazhdon të jetë i madh, por nga ana tjetër po shtohet edhe numri i atyre që e konsiderojnë pluralizmin dhe diversitetin kulturor si diçka pozitive.

Instituti për demoskopi Allensbach
Instituti për demoskopi AllensbachFotografi: dpa - Fotoreport

Në krahasim me vitin 1984 sot numri i atyre që mendojnë se ardhja e të huajve e dëmton Gjermaninë ka rënë nga 79 në 53%. Kjo e dhënë bëhet edhe më interesante po të mendojmë se në të njëjtën periudhë numri i të huajve që jetojnë në Gjermani është rritur nga 4,4 në 7,3 milionë.

Dr. Edgar Piel, një nga hartuesit e studimit sqaron: „Ndonjëherë numri më i madh të huajve çon në shtimin e kontakteve dhe besoj se me këtë fenomen kemi të bëjmë në këtë rast, pra kemi më tepër kontakte mes të huajve dhe gjermanëve, gjë që ka çuar në uljen e paragjykimeve. Përvoja e përbashkët dhe e drejtpërdrejtë ka bërë që sot të ndeshemi më rrallë me paragjykime negative krahasuar me para 20 vjetësh.“

Rezervë e qartë ndaj emigrantëve turq


Edhe pse shoqëria gjermane nuk karakterizohet nga ndonjë qëndrim në thelb racist, të dhënat e anketimit të institutit Allensbach tregojnë një rezervë të qartë ndaj emigrantëve turq.

Shumica e të anketuarve janë të mendimit se në shumë gjëra turqit mendojnë krejtësisht ndryshe nga gjermanët. Në këtë pikë duket se gjatë viteve të fundit kanë ndryshuar shumë pak gjëra. Megjithatë turqit karakterizohen si mikpritës dhe të gatshëm për të ndihmuar.

Sipas të dhënave të anketimit në Gjermani është shtuar qartë numri i gjermanëve që kanë miqësi me emigrantë apo të huaj të tjerë që jetojnë në vend.

Nga ana tjetër sipas anketimit në fjalë në krahasim me të dhënat e anketimit të vitit 1997 është shtuar me 20% numri i atyre që mendojnë se përqindja e madhe e të huajave nëpër shkolla sjell me vete probleme të mëdha.

Por në një pikë duket se gjermanët janë të gjithë të një mendjeje. 97% e të anketuarve ishin të të njëjtit mendim, se ata të huaj që duan të jetojnë për një kohë të gjatë apo përgjithmonë në Gjermani, duhet të mësojnë gjuhën gjermane.

Shqetësues është fakti se 44% e të anketuarve kanë përshtypjen se të huajt kanë diçka kundër gjermanëve. Sipas Edgar Piel, kjo lidhet me efektin që shkatojnë mediat bulevardeske duke botuar lajme të tilla, si p.sh. „...një i huaj që u kap nga policia, se po qëndronte ilegalisht në Gjermani, paska thënë se i urren gjermanët.“


Si përfundim mund të thuhet se përfytyrimi dhe mendimi që kanë gjermanët për të huajt nuk është patjetër më pozitiv se në vitet e mëparshme, por se këto bazohen më tepër në përvojën individuale dhe më pak tek paragjykimet dhe klishetë.