Qytetet evropiane bashkohen kundër racizmit | Evropa | DW | 28.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Qytetet evropiane bashkohen kundër racizmit

Në metropolet moderne të Evropës kthehn në rend të ditës racizmi, antisemitizmi dhe ksenofobia

Qytetar i huaj në Moskë

Qytetar i huaj në Moskë

Konferenca u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t'i kundërvihen mendimit, shprehjes dhe veprimit antisemitik e diskriminues - thuhet në apelin mbyllës të konferencës së Nyrembergut për të drejtat e njeriut. Edhe Evropa e mirëinformuar e liberale është ende larg normalitetit, thotë Serguei Lazarev, drejtor i sektorit të UNESCO-s "për luftimin e diskriminimit dhe racizmit":

"70 vjet më parë u shpallën në Nyremberg ligjet raciste të nacionalsocialistëve dhe këtu po zhvillohet sot me nismën e UNESCO-s takimi "Koalicioni i qyteteve evropiane kundër racizmit", i cili synon të luftojë racizmin dhe diskriminimin e çdo lloji. Fatkeqësisht kjo sëmundje kronike e njerëzimit është kthyer përsëri në pjesë të jetës së përditshme."

Ka ende disa faktorë që ia vlen të luftohen, tha i ngarkuari i Kombeve të Bashkuara Doudou Diene. Nga njëra anë është "banalizimi i shprehjeve ksenofobe si pasojë e ndikimit në rritje të partive ekstremiste", fjalori i të cilave po zë vend ngadalë në gjuhën e politikanëve dhe të medies. Nga ana tjetër është shtimi i numrit të grupeve neonaziste të gatshme për dhunë, të cilat kërkojnë epërsinë e një race si dhe shtimi i nxitjes së urrejtjes kundër myslimanëve apo të krishterëve.

A janë shkaqe të terrorizmit edhe racizmi, antisemitizmi dhe ksenofobia? Ka shumë gjasa. Ky përfundim çoi në formimin në dhjetor 2004 të "koalicionit të qyteteve evropiane kundër racizmit", në të cilin bëjnë pjesë sot 26 qytete. 40 komuna të tjera kanë shfarur gjithashtu interesim. Rritja e interesimit për një punë të tillë në nivel komunal ka rëndësi të jashtëzakonshme, mendon Serguei Lazarev:

"Sepse punonjësit komunalë, qytetet, formojnë zakonisht rrafshin administrativ më të afërt me qytetarët. Është fakt i njohur që shumica e banorëve, veçanërisht në Evropë, jeton në qytete."

Sipas parashikimeve, në vitin 2030 dy të tretat e popullsisë së botës do të jetojë në qytet. Madje në Evropë do të jenë 80 për qind, thekson Hans Hesselmann, drejtor i zyrës së qytetit të Nyrembergut për të drejtat e njeriut:

"Natyrisht që mund të numërohej edhe një numër argumentesh të tjera, por edhe vetëm shifrat tregojnë se sa i rëndësishëm është rrafshi komunal kur kërkon të realizosh të drejtat e njeriut. Këtë e kanë dalluar edhe organizatat e mëdha si ajo e Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-ja. Pikërisht në qytete ndodhin shkelje të të drejtave të njeriut, sepse atje jetojnë në hapësirë të ngushtë njerëz me prejardhje të ndryshme kombëtare, etnike, fetare e kështu me radhë. E këtu ka shpesh shprehje racizmi dhe diskriminim. Kur synohet respektimi i të drejtave të njeriut në rrafsh ndërkombëtar nuk mund të lihet pas dore rrafshi lokal."

Prandaj koalicioni i qyteteve hartoi një katalog prej dhjetë pikash, i cili po zbatohet në terren nga organizatat joqeveritare dhe nga politika komunale. Një nga pikat më të rëndësishme të këtij planveprimi është "luftimi i racizmit dhe i diskriminimit". Rritjen dhe mbështetjen që në kopshte të mirëkuptimit midis fëmijëve dhe të rinjve me gjuhë amtare dhe fe të ndryshme - këtë synojnë shumë projekte gjermane dhe të huaja të paraqitura gjatë konferencës. Këtu bën pjesë edhe oferta për arsimim e akademisë rinore të qendrës Caritas-Pirckheimer në Nyremberg, thotë drejtuesi i projektit Zeno Ackermann:

"Të mësojmë të jetojmë së bashku" quhet projekti. Ky është njëfarë formimi politik për shoqërinë e imigrimit. Për ne ka rëndësi të bëjmë të qartë potencialin saj; të tregojmë së pari se shoqëria e imigrimit është fakt dhe si i tillë duhet njohur e pranuar; se ajo paraqet një shans në rast se trajtohet siç duhet. Ne zhvillojmë një diskutim pedagogjik me të rinj nga të dyja anët e këtij procesi migrimi. Duam t'i arrijmë të dy krahët: migrantët dhe anëtarët e familjeve të shoqërisë shumicë; t'u drejtohemi atyre si dy pjesëve të së njëjtës shoqëri, siç edhe e ndeshim në klasat e shkollave këtu në Nyremberg."

Por angazhimi lokal për më shumë tolerancë synon të shfrytëzojë edhe ngjarjet me rëndësi ndërkombëtare, si për shembull Kampionatin Botëror të Futbollit, Gjermania 2006. Këtë rast nuk mund ta humbin sportistët dhe funksionarët, u tha në konferencë, sepse në Gjermani fluturojnë ende bananet në fushë kur hyn një lojtar me ngjyrë dhe tifozët e huaj shpesh nuk guxojnë të hyjnë në stadium sepse u ruhen sulmeve.

  • Data 28.09.2005
  • Autor Elena Beier
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDE
  • Data 28.09.2005
  • Autor Elena Beier
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArDE