1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët grekë të revoltuar dhe të dëshpëruar me masat e qeverisë

Angelina Verbica24 Qershor 2010

Masat e qeverisë greke për zbatimin e programit financiar dhe evitimin e falimentimit të vendit, kujtojnë “terapinë shok”. Ndryshimet në sigurimin social, por edhe në marrëdhëniet e punës sindikatat i quajnë “mesjetare"

https://p.dw.com/p/O1l0
Fotografi: picture alliance/dpa

Me daljen para pesë muajsh në pension, marinari Sotiris Janakas, që kush e di sa herë ka bërë rrethin e botës, mendoi se ankoroi në portin më të sigurt. Por erdhi cikloni i krizës, memorandumi i “troikës” me shkurtimet drastike të pagave dhe pensioneve, që e bënë të kujtojë me nostalgji tallazet detare. “Nga sa u informova pensioni do të jetë 7.500 euro më pak në vit, nga prerja e dy pagesave mujore, por edhe falë taksës së solidaritetit, që u vihet pensioneve”, i thotë DW Janakas, që ende nuk ka marrë në dorë pensionin e parë. “Jam 58 vjeç, që kur kam lindur na çojnë nga një tunel në tjetrin. Nuk shoh dritë”, thotë me një zhgënjim të madh dhe kërkon që shkurtimet të fillojnë në radhë të parë nga deputetët, “që marrin 16 paga në vit”.

Streik Piräus Griechenland
Greva e punonjësve të portit të Pireut, 23.06.2010Fotografi: AP

E dëshpëruar që do të dalë në pension 65 vjeç

Bashkëbiseduesi ynë ndërkohë duhet ta konsiderojë veten me fat që arriti të dalë në pension sa pa hyrë 1 janari i vitit 2011, kur hyjnë në fuqi masat, që do të rrisin moshën e pensionit në 65 vjeç, për burra e gra bashkë, dhe kuotën e tij do ta ulin nga 80-110% të pagë,s që është sot vetëm në 64% të saj. Gratë dhe sidomos ato me fëmijë të mitur janë humbesit më të mëdhenj. “Jam nënë e një fëmije të mitur, 42 vjeç. Jam në kulmin e dëshpërimit, pasi mbush 25 vjet punë në vitin 2013 dhe do të dilja në pension, kurse tani më duhet të presë deri në moshën 65 vjeç”, thotë një punonjëse. Me sistemin e deritanshëm do të dilte në pension pas tre vjetësh, por tani i duhen 20 vjet të tjera punë për të marrë një pension, bile shumë më të ulët. “Me këtë ligj, që votohet, ne humbasim shumë. Dilnim në moshën 58 dhe 60 vjeç dhe tani do të dalim në moshën 65 vjeç.

"Pensioni do të jetë një asistencë e thjeshtë sociale"

Streik Piräus Griechenland
Turistët mbeten të bllokuar nga greva e punëtorëve të portit të PireutFotografi: AP

Pensioni jo vetëm që nuk do të jetë ai që prisnim, por do të jetë një asistencë e thjeshtë sociale”, thotë për DW Irini Llaka, farmaciste, një jetë të tërë në kudhrën e sindikalizmit që e skandalizon, siç thotë, kjo “barazi” me burrat për daljen në pension. “Siguracioni i ri social vjen për të përmbysur të dhënat e programimit familjar jo vetëm të gruas, por gjithë familjes dhe kryesisht të fëmijëve”, thotë edhe sindikalistja e sektorit publik Eleni Rapti, pasi është e qartë se përkeqësimi i kushteve ekonomiko-shoqërore dhe mungesa e çdo stimuli për të lindur fëmijë do të rëndojë dhe më tepër problemin demografik të vendit.

Nuk janë më pak të dhimbshme ndryshimet dhe në statusin e punës.


Ata përgjysmojnë kompesimin e shkurtimit nga puna dhe u japin të drejtë bizneseve të mëdha që të lirojnë jo 2, por 4% të pesonelit në muaj. “Kjo që është bërë këto ditë, një kombinim i çështjes së punës me atë të siguracionit social, përbën një puç social”, thotë Jorgos Romanias, ekspert i çështjeve të punës dhe bashkëpunëtor shkencor i dy organizatave më të mëdha sindikaliste të vendit, që bëjnë thirrje për rezistencë dhe për të martën kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme të përbashkët. Reagimet ishin kaq të mëdha, sa që shkaktuan dhe “rebelim” brenda deputetëve të pozitës, që kërkonin zbutje të masave dhe detyruan ministrin e Punës, Andreas Lloverdhos, t'i paraqesë ndryshimet për aprovim në parlament, së bashku me projekt-ligjin e siguracionit social dhe jo me dekret presidencial. Projektligji, që ishte parashikuar të paraqitej të martën e kaluar në parlament, do të paraqitet të henën që vjen, pasi “troika” kërkon që masat të kompletohen deri në vitin 2013 dhe jo në vitin 2015.

Griechenland Finanzkrise Akten
Një punonjës i parlamentit grek me dosjet e projektligjit të reformës së pensionev, maj 2010Fotografi: AP

Masat, që merren nuk janë veçse një “terapi shok”, që siç thotë në çdo rast ministri i Punës, kur i kujtojnë stigmen socialdemokrate të partisë në pushtet, PASOK-ut, janë të imponuara nga memorandumi i 5 marsit, që Greqia nënshkroi me “troikën” për të marrë ndihmën prej 110 miliardë eurosh dhe për të nisur njëkohësisht kalvarin, që asnjë nuk e di se kur do të mbarojë. Një gjë është e qartë se masat sjellin recesion, papunësi dhe tensione sociale. Dhe pesimizëm të madh, kur grekët sipas eurobarometrit të fundit janë të parët pasi 73% e tyre (nga 49% në B.E.) thonë se është e pamundur të gjejnë punë, në rast se shkurtohen. Bashkë me ta edhe imigrantët, që pa punë dhe përspektivë i rikthehen pasigurisë së viteve 90-të. Ndërtuesi Kujtim Kafazi: “Të gjithë vijnë e kërkojnë punë: shqiptarë kinezë, indianë. Krizë shumë e madhe”. “Është një krizë e tmerrshme dhe nuk e dimë se si do të jetë e nesermja, e ardhmja jonë”, siç thotë edhe Serafimi nga Gjirokastra. Se qytetarët në emër të shpëtimit të vendit mund t'i pranojnë masat shtrenguese, por jo përmbysjet neoliberale të konstanteve të jetës siç është puna, paga dhe pensionet. Ndaj dhe metereologjia politike parashikon një vjeshtë të nxehtë...

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica