1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët e Maqedonisë kryesojnë listat botërore të basteve sportive

10 Qershor 2010

Varësia nga lojrat e fatit në Maqedoni është bërë e zakonshme për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve. Në prag të fillimit të Kampionati botëror të fudbollit, bastet në Maqedoni vihen nga shumë të rinj.

https://p.dw.com/p/Nn8O
Tetovë
TetovëFotografi: Petar Stojanovski

Kampionati Botëror i Futbollit “Afrika 2010” ka përfshirë bastoret që cilat janë stërmbushur me bastaxhinjë që po kalkulojnë ndeshjet e para. Rezultatet nga hulumtimi i kërkuesit të internetit “Google” dhe gazetës amerikane “Forbs” bëjnë të ditur se qytetarët e Maqedonisë kryesojnë listat botërore të basteve sportive, mbi 40 përqind e qytetarëve praktikojnë lojërat e fatit.

Kampionati i botërorit në futboll shiet si një mundësi e madhe për fitim nga pronarët e bastoreve. “Jam pronare e një bastore së bashku me shokun tim. Interesimi i qytetarëve është i madh por me fillimi e kampionatit botërorë besoj se interesimi do të jetë edhe më i madh, do të kemi risi për të rinjtë, disa prej tyre luajnë prej hallit e disa kërkojnë fatin, besoj se do të kemi punë,” thotë Arlinda Rustemi pronare e bastores “Horizont”.

Fansat e skuadrave të botërorit janë pëcaktuar që tani për favoritin e tyre për kampion, ata thonë se ndeshjet e futbollit do të jenë më intresante nëse vihet bastë për ndonjë skuadër. “Me padurim pres fillimin e Kampionatit Botëror, jam fans i Brazilit dhe Gjermanisë, luaj me shokët në bastore, këtë nuk e bëjë për fitim por për dëfrim, “thotë Visar Memeti.

“Për mua lojrat e fatit janë dëfrim, jam adhurues i futbollit pse mos ta provoj fatin, nëse fitoj do t`i qeras shokët,” thotë studenti Velibor Dimitrov.

Miniaturfußball auf Geldscheinen
Fotografi: picture-alliance/chromorange

Popullariteti i bastoreve është karakteristikë për ato shoqëri në të cilat qytetarët nuk kanë punë të rregullt dhe ku numri i të papunëve është i madh siç është rasti me Maqedoninë, thotë sociologu Ilija Acevski. “Në shoqëritë ku njerëzit nuk kanë shpresë reale për punësim tek ata dominon momenti psikologjik që përmes lojrave të fatit mund t`i ikin situatës në të cilën gjenden,” thotë Acevski.

Edhe prindërit janë kundër dukurisë që të rinjtë gjithnjë e më shumë janë vizitorë të bastoreve. Në lagjet e Shkupit ekzistojnë nga 6 deri 7 bastore, është ky numër i madh për një vend siç është Maqedonia thotë Atanas Kirovski, prind. “Njerëzit janë në garë se cili do të fitojë më shumë në mënyrë më të lehtë, e këtë e bëjnë përmes lojrave në bastore duke shpresuar se do t`i zgjidhin problemet financiare,” thotë Kirovski.

Nuk ka vend që është imun ndaj lojrave të fati dhe Maqedonia nuk mund të jetë përjashtim, por kur fitimi nga bastoret llogaritet si burim kryesor për egzistenc atëherë kjo dukuri paraqitet si problem në shoqëri, vlerëson ekonomisti Hristo Kartallov. "Shpresa për sigurimin e ekzistencës përmes lojrave të fatit është indikator serioz se standardi jetësor i qytetarëve në Maqedoni është nën nivelin e duhur dhe se ata kanë humbur perspektivat për të siguruar një vend të punës, ” thotë Kartallov.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama