1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarët e Kosovës duhet të mbështesin forcat paqeruajtëse

Bekim Shehu / Prishtinë 29 Janar 2008

Udhëheqësit më të lartë politikë në Kosovë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkojnë nga qytetarët e Kosovës që të jenë të vëmendshëm në veprimet e tyre gjatë kësaj fazë finale të zgjidhjes së statusit

https://p.dw.com/p/CzKj
PrizrenFotografi: Refki Alija

Qeveria ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, që të garantojnë kufijtë e Kosovës dhe të ndërmarrin të gjitha masat, që situata e sigurisë në vend të jetë në nivelin e duhur. Këtë kërkesë kryeministri i Kosovës ja bëri shefit të UNMIK-ut, Joakim Rycker dhe komandantit të KFOR-it gjeneralit,
Xavier Bout De Marnak, gjatë një takimi që u zhvillua sot në Prishtinë. Kryeministri Thaçi tha se Kosova do ta ndërmarrë shumë shpejt hapin e saj, të shpallë pavarësinë dhe për të ruajtur qetësinë në Kosovë nevojitet angazhim i të gjitha strukturave.

Shefi i UNMIK-ut Joakim Rycker, kërkoi përgjegjësi dhe maturi nga qytetarët e Kosovës sidomos në këtë fazë finale të zgjidhjes së statusit: "Javët dhe muajt e ardhshëm duhet të jenë muaj dhe javë të paqes dhe stabilitetit. Ne kemi besim të plotë tek qytetarët e Kosovës, se do të reagojnë me përgjegjësi të lartë ndaj vendimeve të rëndësishme që do të merren së shpejti në Kosovë," tha shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker.

Në të njëtën linjë shprehet edhe komandanti i forcave paqerujatëse, gjenerali Xavier Bout de Marnak: "Eshtë e nevojshme t'u thuhet njerëzve në Kosovë jo vetëm liderëve politikë por edhe qytetarëve, që të veprojnë me përgjegjësi të lartë, të mbështesin përpjekjet e forcave paqeruajtëse dhe policisë së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit," tha komandanti i KFOR-it, Xavier Bout de Marnak.

Sidoqoftë, organet e rendit thuhet se tashmë kanë hartuar një plan të gjerë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë. Operacionet me prezencë të trupave do të shtrihen gjithandej Kosovës, ndërsa trupa shtesë të NATO-s do të vendosen në pjesën veriore të Kosovës.