1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qymyri i pistë i Gjermanisë nga Kolumbia

28 Maj 2022

Për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania kërkon tani që të marrë më shumë qymyr nga miniera kolumbiane, El Cerrejón. Kësaj miniere, më e madhja në Amerikën Latine, banorët e zonës i kanë vënë epitetin "Monstra“.

https://p.dw.com/p/4Bycn
Kolumbien Mine El Cerrejón
Fotografi: Cajar

Për shkak të standardeve të pamjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit banorët e zonës e quajnë minierën më e madhja në Amerikën Latine „Monstra“. Ajo shtrihet në mbi 69 mijë hektarë tokë, një sipërfaqe e madhe sa 100 fusha futbolli. Miniera gëlltit ditë përditë 30 milionë litra ujë, në një zonë të thatë gjysmë të shkretë, në rajonin e dytë më të varfër të Kolumbisë, në provincën La Guajira. Këtë e bën që të shuajë urinë për qymyr të vendeve si Gjermania, duke prodhuar 30 milionë tonë çdo vit.

Emri i minierës: El Cerrejón, miniera më e madhe e Amerikës Latine dhe një nga minierat më të mëdha të botës, pronë e sipërmarrjes zvicerane, Glencore. 

Po të ishte për kancelarin gjerman, Olaf Scholz, „Monstrës" i duhet të kujdeset më shumë që gjermanët të mos ngrijnë dimrin e ardhshëm. Në fillim të muajit prill, kancelari gjerman thirri në telefon kolegun e tij kolumbian, Ivan Duque, sepse Gjermanisë i duhet të zëvendësojë shpejt qymyrin, për të mos qenë më e varur nga qymyri rus. 

Kolumbien Mine El Cerrejón
Fotografi: Cajar

Një situatë klasike „ku fitojnë të gjithë", mendon njeriu. Por jo për njerëzit si Dulcy Cotes. Ajo thotë: „Sipërmarrjet ndërkombëtare janë duke na marrë frymën me lakminë e tyre për fitim".

Vizitë e palajmëruar e një bande të armatosur 

Cotes është një nga pothuaj 700 mijë indigjenët Wayuu, që jetojnë në Venezuela dhe në veri të Kolumbisë. Para më shumë se 500 vjetësh, ata ishin të parët që vuajtën nga pushtuesit europianë. 500 vjet më vonë ata ishin viktimat e para të kartelave të armatosura ilegale të drogës, u vranë, u shtypën dhe u dëbuan. Tani historia përsëritet për Wayuut për herë të tretë: sepse shumë prej tyre i kanë shtëpitë në afërsi të arit të zi të të El Cerrejón, dhe duhet të jetojnë sërish me rrezikun.

"Një nga udhëheqësit tanë indigjenë, që lufton që përroit Bruno të mos i ndryshohet rrjedha nga sipërmarrja që do që të nxjerrë më shumë qymyr, u vizitua para një muaji nga tre burra të armatosur, me motora. Përpjekje të tilla shantazhi janë tipike kundër atyre që luftojnë për ambientin dhe të drejtat e njeriut."

Dulcy Cotes von der indigenen Gemeinde der Wayuú
Dulcy CotesFotografi: privat

Dulcy Cotes e njeh mirë këtë armiqësim të vazhdueshëm, sepse edhe ajo është një nga shënjestrat e preferuara të sulmeve, duke qenë anëtare e organizatës "Fuerzas Mujeres Wayuu", "Forcat e grave Wayuu ", e cila lufton me të gjitha forcat për tu mbrojtur nga pasojat e minierës. Ajo thotë: "Shumë komunave u është dashur të zhvendosen, sepse miniera gërryen gjithnjë e më shumë afër tyre. Ne ndihemi të pasigurt." 

Miniera: Burim të ardhurash që sëmur njerëzit 

Por edhe komuniteti Wayuu ka marrë një të çarë: Aty ka njerëz si Cotes, që kanë dalë në barrikada. Nga njëra anë janë ata që punojnë në Cerrejón dhe kanë nevojë të madhe për paratë: Mijëra vetë punojnë atje në nxjerrjen e qymyrit, në një rajon që nuk ofron mundësi të tjera për punë dhe ku një në dy vetë jeton nën kufirin e varfërisë. Por Dulcy Cotes e di sa punë e vështirë është të punosh në minierë.

"Njerëzit që punojnë atje, punojnë në turne dymbëdhjetë orëshe, nga 6 e mëngjesit në 6 të mbrëmjes, në turnin e ditës, ose nga 6 e mbrëmjes në 6 të mëngjesit në turnin e natës, ata flenë pak. Nga kjo dhe nga pluhuri i imët ata sëmuren. Shfrytëzimi është maksimal. Nëse kur sëmuren ata kërkojnë ndonjë ndonjë shpërblim, ata duhet të hapin gjyq, firma vetë nuk jep kurrë gjë." 

Patjetër qymyr kolumbian për Gjermaninë shpëtimtare të klimës? 

Kur kolumbianët dhe kolumbianet si puna e Cotes nuk shohin më rrugëdalje në luftën e tyre si ajo e Davidid kundër Goliathit, shpresa e fundit është „Cajar", një organizatë për të drejtat e njeriut në Kolumbi, që përfaqëson juridikisht prej 40 vjetësh mijëra fshatarë të vegjël, liderë indigjenë, studentë dhe sindikalistë. 

Kolumbien Mine El Cerrejón
Fotografi: Cajar

Avokatja e "Cajar", Rosa María Mateus Parra thotë: "Është kontradiktore në vetvete, fakti që Gjermania kërkon të importojë qymyr nga një minierë me kaq shumë probleme dhe ankesa.

Çdo vend i Europës do qëndronte larg një vendi me këtë prehistori. Por Gjermania, një vend që bën reklamë në gjithë botën për të mos përdorur më qymyr, kërkon tani që të marrë më shumë qymyr nga Kolumbia?" 

Çfarë duhet të dijë Olaf Scholz për El Cerrejón 

Mateus Parra mund t‘i tregojë shumë gjëra kancelarit gjerman Scholz, historitë nuk janë të bukura, janë më shumë kalim nga njëri kapitull i tmerrshëm tek tjetri: ato flasin për shfrytëzime dhe çpronësime, për zhvendosje të detyrueshme dhe dëbime, por edhe për shkatërrime dhe dëmtime të pariparueshme të ambientit. Përveç këtyre, edhe vdekshmëria e fëmijëve është rritur shumë vitet e fundit: 5000 fëmijë wayuu kanë vdekur nga uria dhe etja në rajonin rreth minierës. Një numër i tmerrshëm, me të cilin po merret madje Komisioni Interamerikan për të drejtat e njeriut.

Kolumbien I Tagebau Cerrejon
Fotografi: Georg Ismar/dpa/picture alliance

"Përgjegjëse për këtë është mungesa e ujit, sepse lumejtë dhe përrenjtë janë ndotur ose janë tharë. Dhe mungesa e ushqimeve, sepse atje ku komunat indigjene mbillnin perimet e tyre, tani nxirret qymyr. Fëmijët që shpëtojnë nga vdekja, vuajnë nga sëmundje të lëkurës dhe të rrugëve të frymëmarrjes, për shkak të ndotjes me pluhurin e imët, të gjitha këto ne i kemi dëshmuar para Gjykatës," thotë avokatja e të drejtave të njeriut.

Shpresa e fundit: një president i ri 

Po shteti kolumbian çfarë bën? Mateus Parra bën me dorë, shpresa të mëdha janë mbështetur tani tek fitorja e Gustavo Petros, në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen të dielën e ardhshme. Ish luftëtar gueril, ekonomist dhe ish-kryetar bashkie i kryeqytetit Bogota, ai është shpresa e vetme për t‘ i bërë rezistencë vjedhjes së natyrës. Kandidatët e tjerë përkundrazi, thotë avokatja e të drejtave të njeriut, bëjnë propagandë për vazhdimësi, për eksportim qymyri si mjet për të vënë nën kontroll krizën ekonomike të vendit.

"Qeveria e provincës së Guajiras është një nga më të korruptuarat e vendit dhe ajo që shohim në politikën e Bogotas është një politikë që i nënshtrohet interesave ekonomike dhe interesave të sipërmarrjeve! Nuk shihet me kujdes, kur firma si ajo 'Carbones del Cerrejón' rrahin gjoksin me mbrojtjen e florës dhe faunës dhe me ripyllëzimin, në një kohë kur realiteti është krejt tjetër." 

"Garzweiler është si kopësht fëmijësh në krahasim " 

Stefan Ofteringer e ka parë me sytë e vet "monstrën", ai ka qenë afër minierës disa vjet më parë. Këshilltari për të drejtat e njeriut në Kolumbi i organizatës ipeshkvore Misereor, i erdhi vërdallë vërdallë minierës në të nxehtin përvëlues të La Guajiras dhe ato që pa nuk i hiqen as sot nga mendja: "Nga njëra ana shkatërrimi masiv i atjeshëm. Dhe nga ana tjetër ngarkesa e madhe me pluhur të imët, të krijuar si nga nxjerrja e qymyrit ashtu edhe nga transporti. Dhe tronditja e tokës dhe zhurma e krijuar nga shpërthimet e përditshme. Miniera gjermane Garzweiler është si kopësht fëmijësh në krahasim me minerën El Cerrejon." 

Misereor është një nga 160 organizatat nga 30 vende të botës, që me fushatën „Jetë në vend të qymyrit" të inicuar në fillim të muajit maj, i bëjnë thirrje Scholzit dhe Duques, që më mirë sot se sa nesër, të largojnë duart nga qymyri i El Cerrejonit. Dhe para se të bëjnë këtë, të shohin që standartet e të drejtave të njeriut dhe të ambientit të respektohen. „Zhvendosja e rrjedhës së përroit, siç kërkojnë të bëjnë manaxherët e minierës, për të nxjerrë më shumë qymyr, do të sihte një katastrofë socio-ekologjike."

A përballohet me sukses kontrolli i ligjit të zinxhirit të furnizimit?  

Ofteringer ka shpresa të mëdha tek ligjit i zinxhirit të furnizimit të aprovuar vitin e kaluar nga Parlamenti gjerman. Sipas tij, firmat gjermane janë të detyruara edhe në importimin e qymyrit që të ndjekin dhe luftojnë kushtet e këqija. Bëhet fjalë për ndërmarrjet energjetike si Steag dhe EnBW, por edhe Uniper dhe RWE që blejnë qymyr nga Kolumbia.

Kështu që "Monstra" El Cerrejón mund të mos jetë më e frikshme, nëse gjithçka do eci mirë. Miniera do të qëndrojë në punë deri në vitin 2034. Por aktivisti i të drejtave të njeriut thotë edhe se: "Deri tani sipërmarrjet nuk kanë vendosur standarte që të jenë të përshatshme për popullsinë lokale. Dhe përfitimet nga nxjerrja e qymyrit në Kolumbi i ka marrë gjithnjë kapitali, dhe kurrë popullsia e varfëruar.” 

Një burrë i gjatë i hollë me flokë verdha dhe këmishë të zezë duke parë serioz në drejtim të kamerës
Oliver Pieper gazetar për politikën dhe shoqërinë gjermane, si dhe për çështjet e Amerikës së Jugut.