1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quo vadis Somali? - Vendi rrezikohet nga lufta guerilase

Ludger Shadomski3 Janar 2007

Ndonëse qeveria somaleze tani ka marrë kontrollin pas tërheqjes së islamistëve, e ardhmja e vendit të tronditur prej luftës civile është e pasigurt

https://p.dw.com/p/AqnY
Trupat e Etiopisë hyjnë në Somali
Trupat e Etiopisë hyjnë në SomaliFotografi: AP

Nëse qeveria e kryeministrit Ali Mohamed Gedi mund të rezistojë edhe pa mbështetjen e trupave nga Etiopia, është po aq e paqartë sa edhe hapat e mëtejshëm të milicëve islamistë, që pas tërheqjes së tyre të përkohshme mund të punojnë për sabotimin e qeverisë së re të instaluar.

Për Ali Mohamed Gedinë, duhet të jetë një ndjenjë madhështie të qenit sërish kryeministri somalez në Mogadishu. Pikërisht këtu 54 vjeçari me profesion veteriner në vitet përpara kaosit ka studiuar dhe ka dhënë mësim në universitet. Ndërsa Somalia në vitet 90-të u zhyt në anarki as që mund të mendohej më studimi dhe Gedi u angazhua në politikë. Në valën e krijimit të qeverisë në Kenia në vitin 2004 Gedi, që i përkiste klanit të fuqishëm Havije, papritur u zgjodh kryeministër i qeverisë së tranzicionit. Megjithatë Gedi nuk ia doli ta ketë nën kontroll kabinetin e tij me mbi 47 ministra dhe 42 zëvendësministra, dhe ai nuk mund të shfaqej në Mogadishu me taborën e vet të përbërë nga shumica e lordëve të luftës.

Tonet që po përdor tani Gedi, pas marrjes së kryeqytetit, janë agresive dhe të pazakonta: Nëse milicët e gjykatave të shahrisë nuk i dorëzojnë vetë armët, atëherë ato do të mblidhen me dhunë. Gedi i bëri thirrje vendit fqinj, Kenias, që të mbyllë kufijtë e përbashkët, ndërsa Unionit Afrikan i kërkoi, që sa më shpejt të dërgojë në vend trupën e premtuar të paqes.

Kryeministri duket se e ndjen veten mirë në Mogadishu, ku mendon të vendoset sa më shpejt qeveria, sipas të dhënave të veta. Por fitorja e qeverisë "së tij" në të vërtetë ka të bëjë me mëshirën e Etiopisë dhe rendi relativ i vendosur në Mogadishu shumë shpejt mund të prishet, nëse fqinji i fuqishëm ashtu siç ka njoftuar, brenda pak javësh do të tërheqë trupat. Pamjet e njerëzve që brohorasin nëpër rrugë janë të rreme: Populli i urren etiopianët, nëse ato qëndrojnë gjatë, nga çlirimtarë ata do të konsiderohen si pushtees dhe indinjata popullore është e sigurtë si ndaj tyre edhe ndaj qeverisë së Gedisë.

Edhe një tjetër front rrezikon të dobësohet, qeveria somaleze është e përçarë thellë nga brenda. Po shtohen gjithnjë e më shumë njoftimet, sipas të cilave shumë islamistë kanë hequr mjekrrën dhe kanë dalë në ilegalitet në Mogadishu. Nëse Gedi dhe ekipi i tij nuk ia dalin shpejt që të fitojnë zemrat dhe mendjet e somalezëve, çka presupozon krahas vendosjes së rendit dhe sigurisë edhe funksionimin shërbimeve sociale, atëherë islamistët do ta kenë të lehtë që të gjejnë simpatizantë për luftën guerilase të shpallur, thotë eksperti për Somalinë Mat Bryden nga "Grupi Ndërkombëtar i Krizave":

"Krahu ushtarak mundi të tërhiqet në një stad relativisht të mirë dhe udhëheqësit sipas të gjitha gjasave as nuk janë kapur dhe as nuk janë vrarë të gjithë. Ne duhet të kemi parasysh, që ata do ta vazhdojnë luftën e tyre në ilegalitet. Natyrisht që kjo është baza e lëvizjes islamiste prej nga janë krijuar gjykatat dhe prej së cilës vazhdon të ekzistojë rrjeti i xhamive, i shkollave dhe i organizatave të ndihmës. Tani që udhëheqja e këtij rrjeti ka dalë në ilegalitet ne shohim rrezikun e një lufte guerrilase dhe të terrorizmit, gjë që ata e kanë praktikuar edhe më parë, sepse ata nuk kanë shans kundrejt trupave etiopiane në një luftë konvencionale."

Se deri në ç´masë islamistët mund ta shtrijnë terrorin përtej kufijve në Etiopi ose në Kenia, kjo në radhë të parë varet prej masave të sigurisë në këto vende. Të martën autoritetet keniane të vendosura në gjendje gatishmërie të lartë prej presidentit Mvai Kibaki kapën tetë islamistë të dyshuar. Qeveria keniane është më e rrezikuar për shkak të kufirit mbi 1.500 km të gjatë që është vështirë të mbikqyret. Më e vështirë bëhët kjo pasi terroristët e mundshëm pa u diktuar duke u futur në radhët e refugjatëve mund të depërtojnë drejt Kenias. Kenia e tronditur veçanërisht pas sulmeve terroriste në Nairobi dhe në Mombasa mbështet prej amerikanëve për mbikqyrjen e hapësirës ajrore. Të dyja palët Kenia dhe ShBA janë në kërkim të tre personave që ndodhen në listën e Uashingtonit për terroristët si atentatorët e mundshëm, të cilët bëjnë pjesë në radhët e gjykatave të shahrisë.

Ndërkohë qeverisë somaleze të tranzicionit i duhet që të përgatitet për tërheqjen e trupave etiopiane. Për këtë është e nevojshme të krijohet qeveria e unitetit kombëtar dhe të avancojnë proceset politike. Por eksperti Mat Bryden nuk është optomist sa i përket zellit të qeverisë për reformat: "Qeveria ka në dispozicion edhe dy vjet e gjysmë të mandatit. Deri tani në asnjërin prej sektorëve ku duhen përballuar reformat ajo nuk ka bërë asnjë përparim, as në drejtim të kushtetutës dhe as sa u përket zgjedhjeve. Në këto dy drejtime duhet punuar. Por kjo mund të bëhet vetëm nëse ka pajtim me klanin Havie e në radhë të parë me popullsinë në Somali."