QUINT: Zgjedhjet në veri të Kosovës të qeta, por me problemet e së kaluarës | Ballkani | DW | 21.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

QUINT: Zgjedhjet në veri të Kosovës të qeta, por me problemet e së kaluarës

QUINT-i, ku bëjnë pjesë Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe e SHBA thotë se në komunat me shumicë serbe shqetësues mbetet frikësimi i partive që garojnë kundër Listës Serbe.

SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, që përmes ambasadave të tyre në Kosovë formojnë grupin e QUINT-it,  përmes një deklarate të përbashkët, thanë se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat e veriut të Kosovës kaluan në një atmosferë të qetë. Por, sipas tyre problemet mbesin të pazgjidhura që nga viti 2017, nga gjetjet e misionit vëzhgues të BE.

"Ambasadat e shteteve të QUINT-it, rikujtojnë gjetjet e misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, me të cilat u shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe "Srpska Lista”. Këto defekte si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të pa adresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj shtrojnë pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike që t'i trajtojnë urgjentisht këto defekte duke zbatuar rekomandimet e vëzhguesve të BE-së (EOM).

"Inkurajojmë qytetarët dhe shoqërinë civile që t'i bëjnë partitë përgjegjëse për përkushtimin, që partitë kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019, për forcimin e procesit zgjedhor. Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve më të industrializuara QUINT.

Vuçiç: E marrë pakënaqësia me zgjedhjet

Por, kjo deklaratë e QUINT-it nuk i pëlqeu Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në fund të ditës së zgjedhjeve përmes telefonit të hapur në një tubim gjatë festës së fitores në veri të Mitrovicës, përgëzoi serbët e atjeshëm që votuan për Listën Srpska, në të katër komunat e veriut, me mbi 90% të votave të fituara.

"Jam i habitur me deklaratën e QUINT-it", u shpreh Vuçiçi. "Nga ky njoftim mund të konkludohet se disa janë të pakënaqur që zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Dua t'i përgëzoj për shpikjen e tyre. Unë nuk kam lexuar ndonjë gjë më të marrë në jetën time", e citojnë mediet në Serbi Aleksandër Vuçiçin.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, u mbajtën të dielën e shkuar. Në to morën pjesë 42 % e rreth 58 mijë votues të regjistruar. Kryetarët e këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqjen në shenjë proteste dhe pakënaqësie për vendosjen e taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë.

Në të katër komunat, në zgjedhjet e së dielës fituan serish kandidatët e Listës Srpska, me mbi 90% të votave, subjekt politik ky që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha pas fitores së Listës Srpska, se janë ruajtuar interesat nacionale të Serbisë.

"Mendoj se pas të gjitha kërcënimeve nga shqiptarët dhe nga disa serbë, ky është konfirmimi më i mirë për unitetin politik të luftës për interesat tona vitale dhe nacionale dhe interesat tona më të rëndësishme shtetërore”, deklaroi Aleksandër Vuçiç.