1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

QUINT i bën thirrje Kosovës e Serbisë të rinisin dialogun

Bekim Shehu
13 Gusht 2019

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it i kërkojnë Kosovës heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë, kurse nga Serbia kërkojnë ndërprerjen e fushatës kundër Kosovës për heqjen e njohjeve.

https://p.dw.com/p/3NpVh
Kombo-Bild Kosovo Hashim Thaci und Serbien Aleksandar Vucic
Fotografi: picture-alliance/AA/EU Council

Ambasadat e vendeve më të indutrializuara në Kosovë, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rinisin dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që do të kontribuonte edhe në stabilizimin e rajonit. Vendet e QUINT-it kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të shmangin çdo veprim që pengon arritjen e një marrëveshje përfundimtare.

"Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuara në qëllimin për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, politikisht të qëndrueshme dhe ligjërisht detyruese që i kontribuon stabilitetit rajonal”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Të mbyllen konfliktet e viteve 90-të në emër të së ardhmes

Sipas ambasadave perëndimore gjendja e status quo-së e pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe thjesht ajo nuk është e qëndrueshme. Në deklaratë kërkohet që të përmbyllen konfliktet e viteve 90-të dhe të ofrohet një e ardhme e sigurt dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët.

"I bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në deklaratë.

Kosovo Parlamentsgebäude
Fotografi: DW/B. Shehu

"Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm, kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Kosova para zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që kanë ndërprerë dialogun. Aktiviteti diplomatik i Serbisë kundër Kosovës dhe si kundërpërgjigje e kësaj, vendosja e taksës nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë, janë dy faktorët që bënë që të ndërpritet ky dialog. Shkak i këtyre zhvillimeve u anulua edhe takimi i Parisit (vazhdimësi e Samitit të Berlinit), që duhej të mbahej me (01.07) në Paris dhe ku do të flitej vetëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi që do të përmirësonte raportet ndërmjet dy vendeve.

Kosova në këtë fazë po përgatitet për të hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj. E për datën 22 gusht kryesia e Parlamentit të Kosovës ka vendosur që të mbahet një seancë për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës. Pas kësaj, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.