1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qiradhënësit diskriminojnë me një buzëqeshje

Uta Steinwehr31 Maj 2016

Ka gjermanë që nuk duan një fqinj zezak. Racizëm në Gjermani ka vërtet në shumë fusha, thotë Daniel Bartel nga Shoqata kundër Diskriminimit në intervistë me DW.

https://p.dw.com/p/1IxPA
Klingelschilder Gesellschaft Symbol Zensus
Fotografi: picture-alliance/dpa

Deutsche Welle: Zëvendëskryetari i Aleancës për Gjermaninë, AfD, Alexander Gauland tha në intervistë me gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung se njerëzit nuk duan të kenë fqinj një si Jérôme Boateng (lojtar me ngjyrë i Kombëtares Gjermane). Sa të vërtetë përmban një shprehje e tillë?

Daniel Bartel: Fakt është se në Gjermani ka racizëm dhe se ka me të vërtetë njerëz, të cilët nuk dëshirojnë të kenë fqinj zezakë ose migrantë. Kjo bazohet në përshkrimet si ngjyra e lëkurës. Po sa është e përhapur kjo është e vështirë të thuhet.

Ç'pamje ka diskriminimi nga një fqinj?

Shqiptohen fyerje nëpër shkallë, shaka pa kripë, vizatime në kutinë e postës, ankesa të pajustifikuara te qiradhënësi, se fqinji bën shumë zhurmë, ose se vjen erë të keqe. Ose i bëhen edhe telefonata policisë. Banimi është një gjë shumë intime, apartamenti është një zonë ku tërhiqesh për të pasur qetësi. Këto aksione prekin ndjenjën e sigurisë dhe të rehatit që sjell qenia në shtëpinë tënde. Akuzat prekin jo vetëm të mëdhenjtë, por edhe fëmijët.

Po qiradhënësit?

Kjo mund të shtrihet në të gjitha fazat e raportit të qiradhënies dhe qiramarrjes. Kjo nis që kur aplikon për një banesë, me faktin që ftohesh apo nuk ftohesh fare ta shikosh apartamentin paraprakisht, vazhdon me dokumentat që duhet të paraqesin qiramarrësit. Vazhdon me mënyrën si ndërtohet raporti i qirasë. Vitin e kaluar patëm një rast në Berlin ku qiratë qiradhënësi i ngriti vetëm për një grup qiramarrësish. Një qiradhënës i madh ua ngriti qiranë qiramarrësve me origjinë migrante ose me përkatësi fetare myslimane, në një kohë kur qiraja te qiramarrësit gjermanë nuk u rrit. Ndoshta arsyeja e këtij veprimi ishte që qiradhënësi shpresonte që të huajt do të largoheshin nga banesat. Diskriminim është edhe kur përfundon raporti mes qiradhënësit dhe qiramarrësit dhe kur qiramarrësit i kërkohet të largohet.

Ka përjashtime ligjore për qiradhënësit, kështu që ata të diskriminojnë në mënyrë legale. Çfarë kihet parasysh me këtë?

Daniel Bartel (advd)
Daniel Bartel (advd)Fotografi: Betty Pabst

Natyrisht, qiradhënësit kanë të drejtë të zgjedhin se kujt ia japin me qira banesën. Tipare të caktuara si origjina, gjinia, ose identiteti seksual, një paaftësi fizike ose mosha megjithatë nuk lejohet të luajnë rol. Këtu ligji e ndalon në mënyrë të qartë diskriminimin. Por kur qiradhënësi dhe qiramarrësi duhet të banojnë për shembull në të njëjtën sipërfaqe toke, qiradhënësi mund të kundërshtojë. Gjithashtu qiradhënësit lejohet të kujdesen që të krijohet një strukturë e balancuar banorësh, pra që lagje të tëra të jenë sa më të larmishme dhe njëkohësisht t'ia vlejë të jetohet në to.

Cilat janë mundësitë që kanë të prekurit që të mbrohen nga diskriminimi - edhe juridikisht?

Të drejtën ata e kanë në anën e tyre. Kur ka të dhëna të mjaftueshme, ata mund ta çojnë rastin në gjyq. Por në fakt rruga deri në një aktpadije kërkon shumë kohë dhe prandaj të prekurit nuk e ndjekin. Një përqindje njëshifrore e të prekurve shkon në gjyq. Diskriminimi në shumë raste nuk është i dukshëm. Kur pyesin të prekurit për shembull për banesa, ata marrin nga qiradhënësit një përgjigje me buzëqeshje:"Na vjen keq, për fat të keq nuk kemi apartamente bosh", megjithëse ata kanë apartamente të tilla.

Daniel Bartel është Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Kundër Diskriminimit (advd). Kjo është organizata ombrellë e zyrave antidiskriminim në të gjithë Gjermaninë.