Qeveria Mes-I-Djathtë humbet shumicën në Letoni | Politika | DW | 08.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Politika

Qeveria Mes-I-Djathtë humbet shumicën në Letoni

Partia proruse Harmonie i fitoi zgjedhjet parlamentare në Letoni. Me këtë, qeveria aktuale e humbi shumicën. Formimi i qeverisë megjithatë do të jetë i vështirë.

Në zgjedhjet parlamentare në Letoni, zgjedhësit vendosën ndërrimin e pushtetit. Pas numërimit të të gjitha votave në këtë shtet baltik anëtar të BE dhe të NATO-s, qeveria Mes-I-Djathtë e humbi shumicën që kishte. Numrin më të madh të votave e mori partia proruse opozitare Harmonie, me 19,91 përqind, bëri të ditur Komisioni Qendror Zgjedhor në Riga.

Fituese të mëdha të zgjedhjeve janë tri grupime të reja: partia populiste KPV LV (14,06 përqind), Partia Konservatore e Re (13,6 përqind), që është pozicionuar si luftuese e korrupsionit dhe Partia liberale Për Zhvillimin (12,04 përqind), të cilat përfaqësohen për herë të parë në Parlament. Krijimi i qeverisë pa njërën nga këto parti duhet të jetë thuajse i pamundur.

Në këtë mënyrë, koalicioni i ardhshëm qeveritar në këtë shtet në kufi me Rusinë është i hapur. Nga ana matematikore janë të mundura disa opsione koalicionesh. Sipas parashikimeve të televizionit publik, Harmonie dhe KPV LV arrijnë së bashku 39 nga 100 mandate në parlament - pra nuk e arrijnë shumicën.

Kryetari i Partisë Harmonie, kryetari i bashkisë së Rigës, Nils Ushakovs u shfaq të shtunën në mbrëmje i sigurtë për fitoren: pa Harmonie nuk është i mundur krijimi i një qeverie "stabile" dhe të aftë për punë, tha ai. "Harmonie ishte, është dhe do të jetë partia më e rëndësishme e Letonisë", deklaroi kandidati kryesor Vjaceslavs Dombrovskis natën e zgjedhjeve.

Jo partia më e fortë për kryeministrin

Presidenti i vendit, Raimondis Vejonis nuk është i detyruar që kryetarin e qeverisë ta zgjedhë patjetër nga partia më e fortë. Edhe në zgjedhjet e fundit Harmonie pati fituar shumicën e votave, por u la jashtë formimit të qeverisë. Edhe këtë herë, thuajse të gjitha forcat e përjashtuan bashkëpunimin me Harmonie, e cila së fundi pati theksuar profilin socialdemokrat te vetja. Zgjedhësit e përhershëm të kësaj partie me qëndrim miqësor ndaj Moskës vijnë para së gjithash nga minoriteti i fortë rus. Ai përbën më shumë se një të katërtën e më shumë se dy milionë banorëve të Letonisë.

Aleanca qeveritare e Fshatarëve dhe të Gjelbërve e kryeministrit Maris Kucinskis, megjithë rritjen ekonomike dhe të dhënat e mira të konjukturës u ndëshkua nga zgjedhësit. Me 9,96 përqind ajo mori gjysmën e votave që pati marrë në zgjedhjet e vitit 2014, të cilat u zhvilluan në hijen ngjarjeve në Ukrainë. Këtë herë në fushatë mbizotëruan tema socialpolitike.

Gjithsej janë shtatë parti që arritën të kalojnë pragun për të hyrë në parlament. Në zgjedhje konkuruan 16 parti dhe aleanca. Me 54,6 përqind, pjesëmarrja qe më e ulëta në zgjedhjet që janë mbajtur prej vitit 1991, kur Letonia fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Të drejtë vote patën 1,5 milionë qytetarë, prej të cilëve në sondazhe shumë u shprehën të zhgënjyer nga politika.