1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria duhet të mendohet mirë

Anke Hagedorn29 Mars 2006

Përmes një greve të përgjithshme në mbarë Francën të martën (28.03) u organizuan qindra manifestime protetste. Sindikatat dhe organizatat studentore janë duke rriur presionin ndaj kryeministrit Dominik dë Villëpen, për të tërhequr projektligjin mbi kontratat e reja të punës.

https://p.dw.com/p/ArBY
Një grua e veshur si Marianë, simbol i Republikës Franceze
Një grua e veshur si Marianë, simbol i Republikës FrancezeFotografi: AP

Atmosferë e zhurmshme në sheshin Zhysjë të martën në mesditë, në afërsi të Universitetit të Parisit të rrethuar me blloqe metalike dhe betoni. Duke kënduar dhe duke ngrënë supë, grupi i studentëve protestues përgatitet për demonstratën e madhe. Qysh prej pesë javësh ata e kanë bllokuar universitetin duke bërë roje nëpër postblloqet me stola të vjetër druri. Studenti 19 vjeçar Adrien, ndodhet që nga ora gjashtë e mëngjesit në njërin prej stolave, e bashkë me dy shokë të tij ai shpërndan fletushka dhe jep informacion në pikën e improvizuar të informacionit. Gjithçka ka të bëjë me kryeministrin dë Villëpen dhe reformën në tregun e punës të planifikuar prej tij. Kjo parashikon që të sapopunësuarit t´i nënshtrohen një periudhe prove dy vjeçare, çka presupozon pushimin e tyre të menjëhershëm nga puna brenda kësaj periudhe pa asnjë paralajmërim dhe pa qenë nevoja për arugmentim. Sipas dë Villëpen, ky është një mjet fleksibël për të rritur kuotën e vendeve të punës. Por Adrien dhe shokët e tij mendojnë ndryshe: "Situata në tregun e punës ka qenë gjithmonë e pasigurtë, ndërsa tani pasiguria po institucionalizohet. Ata na konsiderojnë ne si idiotë, kur thonë, se me këtë reformë mund të hapen vende pune. Kjo vetëm sa lehtëson procedurën e pushimeve nga puna, sepse sipërmarrësi nuk ka më nevojë që të japë kontrata të përhershme. E pra do të ketë vetëm kontrata në këtë formë."

Adrien dhe shoku i tij Mishel, edhe ky student për histori, shpresojnë që demonstrata masive do ta detyrojë qeverinë t´i verë gishtin kokës. Në rast të kundërt ligjin mund ta rrëzojë vetëm këshilli kushtetues, pra gjykata kushtetuese në Francë, thotë Misheli: "Gjykata kushtetuese do të japë vendimin të enjten. Nëse ky ligj konsiderohet si antikushtetues, atëherë dë Villëpen mund të shpëtojë prej kësaj afere pa u diskretituar, por karriera e tij politike me këtë merr fund."

Një burrë i moshuar, që sheh me kuriozitet informacionet e protetsuesve, nuk e vlerëson këtë ligj, por ai mendon ndryshe nga studentët: "Unë drejtoj një zyrë të madhe pronash të patundshme dhe mendoj, që ky ligj është vetëm një pengesë e re burokratike. Ai është shpikur prej një burokrati, që s´ka idenë e realitetit të sipërmarrjes. Problemi im është, që të gjejë njerëz të kualifikuar mirë me njohuri për ndërmarrjen, të cilët mund t´i punësoj. Më mirë do të ishte, nëse çdo ndërmarrje mund të kontraktojë lirshëm me punonjësit, pa ndërhyrjen e shtetit."

Dita e martë paralizoi jetën publike në shumë qytete franceze. Fakti që në Paris nuk funksiononte as posta, as bankat si dhe shumë institucione të tjera publike, nuk shqetëson askënd, një gjë e tillë është mëse normale në Paris. Kështu ndodh rëndom edhe me grevat e metrosë apo të qarkullimit urban. E veçanta kësaj here është pezullimi i mësimit nëpër universitete. Qysh prej pesë javësh askush nuk mund të studiojë, gjë që mund të influencojë edhe në shtyrjen e semestrit. Kjo i preokupon shumë studentë. Në demonstrata kanë marrë pjesë disa qindra mijëra studentë e sindikalistë. Në përgjithësi ata janë të kënaqur për efektin. Një sukses i madh, mendojnë Adrien dhe shoku i tij Mishel. Por këtë ata e bëjnë të qartë më shumë përmes gjesteve, sepse nga thirrjet në protestë s´u ka mbetur më zë.