Qëndrime diametralisht të kundërta | Politika | DW | 02.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Qëndrime diametralisht të kundërta

Raundi i fundit i bisedimeve mes serbëve dhe shqiptarëve në lidhje me të ardhmen e Kosovës përfundoi pa ndonjë afrim vendimtar të të dyja palëve në lidhje me çështjen e statusit.

Skender Hyseni, kryetari i delegacionit, Veton Surroi dhe Lutfi Haziri

Skender Hyseni, kryetari i delegacionit, Veton Surroi dhe Lutfi Haziri

Në përpjekjet tij për gjetjen e një kompromisi për të ardhmen e Kosovës ndërmjetësuesi i OKB-së Martti Ahtisaari po vazhdon të përballet me fronte të ngurtësuara. Qëndrimet e shqiptarëve dhe të serbëve në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe të statusit të saj vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta, deklaroi Ahtisari në përfundim të raundit të fundit të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës në Vjenë duke shtuar se të dyja palët këmbëngulnin në qëndrimet e tyre.

Ndërsa shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë e plotë, qeveria e Beogradit e hedh katërcipërisht poshtë këtë kërkesë. Ish-presidenti finlandez pritet të shpalosë me 10 mars propozimet e tij përfundimtare në lidhje me të ardhmen e Kosovës dhe u kërkoi palëve që të ulen edhe një herë për një raund të fundit bisedimesh.
Ahtisari tha se "Nuk ka asnjë shenje qe palët kanë ndryshuar pozicionet qe kane pasur lidhur me statusin." dhe u shpreh edhe një herë i gatshëm për të bërë ndonjë rregullim në planin e tij, por ndryshime themelore tha ai nuk do të ketë.

Sipas mendimit të Ahtisarit Kosovës duhet t'i jepet një pavarësi e kufizuar nën kujdestarinë ndërkombëtare. Kosova duhet të ketë flamurin e saj, himnin kombëtar, ushtri të vetën, një kushtetutë dhe të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare.

Serbia e hedh poshtë si të papranueshëm këtë plan. Të dyja palët janë takuar deri tani disa herë për bisedime në Vjenë për të sqaruar para së gjithash çështje teknike që lidhen me bashkëjetesën e ardhshme mes etnive në Kosovë.

Përfaqësuesit e serbëve theksuan pas takimit të sotëm në Vjenë se nuk ka pasur ndonjë afrim të qëndrimeve dhe as ndonjë pajtim në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës. "Një pajtim i tillë mes Beogradit dhe Prishtinës as edhe nuk pritej" - theksoi pas takimit Leon Kojen, këshilltar i presidentit serb Boris Tadic.

Për delegacioni shqiptar Veton Surroi deklaroi: "Ne kemi një diferencë të madhe në pozicionet mes Prishtinës dhe Beogradit. Delegacioni i Beogradit solli një sërë propozimesh të reja, që do ta ndryshonin karakterin e propozimeve të Ahtisarit."

Lufti Haziri, kryetari i delegacionit, u ankua se pala serbe ka treguar mungesë bashkëpunimi në bisedime, kurse Skënder Hyseni, gjithashtu anëtar i delegacionit shqiptar, theksoi se Prishtina dëshmoi edhe një herë në bisedime se e pranon në tërësi planin e Ahtisarit dhe e quajti qëndrimin e serbëve "zhgënjyes".

  • Data 02.03.2007
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqmo
  • Data 02.03.2007
  • Autor Pandeli Pani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqmo