Pyetjet duhet të jenë të lejuara | Gjermania | DW | 30.04.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Pyetjet duhet të jenë të lejuara

Franc Myntefering, sindikatat dhe dita e punëtorëve, 1 Maji

Protesta të sindikatave në Gjermani në 1 Maj 2004

Protesta të sindikatave në Gjermani në 1 Maj 2004

1 Maji është në shumë vende "Dita e Punës" dhe i kushtohet të punësuarve. Lidhja e Sindikatave gjermane (DGB) për këtë ditë ka shpallur moton "të tregojmë dinjitet!" Njerëzit nuk mund të jenë vetëm një faktor kostoje në një ekonomi të orientuar drejt fitimit maksimal, thuhet në thirrjen e DGB-së. Prej javësh tashmë kryetari i socialdemokratëve gjermanë Franc Myntefering ka ngjallur diskutime të nxehta pas kritikave të ashpra dhe të hapura ndaj dëmeve të shkaktuara nga tepritë e kapitalizmit. Bëhet vallë fjalë për një afrim të ri frontesh mes socialdemokratëve dhe sindikatave apo e gjitha s'është tjetër veçse taktikë?

Të tjerët flasin për motin, Franc Myntefering diskuton mbi kapitalizmin. Natyrisht loja e kryetarit të Partisë Socialdemokrate është e lehtë të kuptohet. Ai u ngroh zemrat shokëve të majtë për t'i mobilizuar për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 22 maj në landin e Rinit Verior dhe Vestfalisë. Myntefering u zgjat dorën sindikatave të cilat kohët e fundit kanë qenë të detyruara të shohin të pezmatuara dhe të pafuqishme politikën reformatore të kancelarit Shrëder. Kështu edhe thirrja e sindikatave për ditën e 1 Majit me një kritikë të qartë kundër planit të reformave të qeverisë gjermane të quajtur Axhenda 2010 thotë se njerëzit "nuk mund të kthehen në top loje të reformave të cilat vetëm ulin standartet në vend që t'i shërbejnë të mirës së përgjithshme."

Në pamje të parë pra duket se kemi të bëjmë me një manovër taktike të kryetarit të socialdemokratëve. Por Franc Myntefering ka vënë në lëvizje diçka akoma më të madhe. Duket se tani po shpërthen një diskutim i cili prej kohësh ishte mbytur. Me ose pa qëllim ai duhet të ketë prekur diku një nerv. Dy të tretat e popullsisë i japin të drejtë kur kritikon zhvillimet negative të kapitalizmit, organizatat e ekonomisë ankohen në kor kurse sindikatat duartrokasin, pra diçka të vërtetë duhet të ketë në kritikën e tij.

Dhe duhet të kujtojmë se mediet në vend kanë shkaktuar shumë keqkuptime kur e kanë etiketuar fjalimin e Myntefering "kritikë ndaj kapitalizmit". Kjo sigurisht është marrëzi pasi të vësh sot me themel në pikëpyetje kapitalizmin nuk është e mundur. Të gjitha projektet alternative kanë dështuar. E kush dot të dëshironte të jetonte më në Korenë e Veriut apo të qëndronte në Kubë më shumë se disa ditë pushime? Sistemi që bazohet në përpjekjet e njerëzve për dobinë personale ka ngadhnjyer pasi ai njeh realitetin. Projektet shoqërore që ndërtohen mbi mirësinë njerëzore kanë dështuar keqaz.

Më parë kapitalizmi ishte në garë me të tjera sisteme. Për t'u bërë tërheqës ai mori të paktën në Evropë formën e ekonomisë sociale të tregut. Por tani që konkurrenca e dha verdiktin e saj kapitalizmi nuk ka më nevojë të veshë petkun social. Myntefering nuk ka kritikuar kapitalizmin por tepritë e tij dhe dëmet që vijën prej tyre. Ai madje e ka personalizuar kapitalizmin pasi në fjalën e tij Myntefering ka parasysh Akermanët e kësaj bote (bëhet fjalë për shefin e bankës "Deutsche Bank", Jozef Akerman) të cilët ende mendojnë vetëm për rendimente sa më të larta dhe rezultatet financiare të tremujorit, shënojnë fitime rekord e megjithatë njoftojnë shkurtimin e disa mijëra vendeve të tjera të punës.
Myntefering ka iniciuar një debat brenda kapitalizmit të cilin sindikatat e mirëpresin: a duhet të vazhdojë shteti t'u bëjë bizneseve dhurata pa kriter apo ka ardhur koha që të kujdeset më shumë për njerëzit të cilët shumë shpejt nuk do të jenë më në gjendje të blejnë produktet e bukura të këtyre bizneseve pasi nuk kanë më punë ose u ulen vazhdimisht rrogat? A duhet të lejojë shteti që sipërmarrjet të nxjerrin në pension para kohe mijëra njerëz dhe në të njëjtën kohë të ankohen për mungesë të personelit të kualifikuar? A është e drejtë që transferimi i segmenteve prodhuese jashtë vendit t'i paraqitet fiskut si investim që zbritet nga fitimi i tatueshëm duke bërë që eksodi i vendeve të punës të subvencionohet kështu nga shteti? A duhet të lejojmë që ekonomia të përfitojë vite me rradhë dhurata nga politika ndërkohë që vazhdon të ngelet borxhlie në krijimin e vendeve të punës? Ngritja e këtyre pyetjeve duhet të jetë legjitime dhe ky debat duhet të zhvillohet pavarësisht nga 1 Maji dhe zgjedhjet e ardhshme në landin e Rinit Verior dhe Vestfalisë.

  • Data 30.04.2005
  • Autor Rolf Wenkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3y
  • Data 30.04.2005
  • Autor Rolf Wenkel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar3y