1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin bën thirrje për një korridor humanitar

Amarildo Topi29 Gusht 2014

Presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë thirrje luftëtarëve separatistë pro-rusë që luftojnë në lindje të Ukrainës të hapin një "korridor humanitar" , përmes së cilit të kalojnë ushtarët e bllokuar ukrainas.

https://p.dw.com/p/1D3aM
Vlladimir Putin
Vlladimir PutinFotografi: Reuters/Alexei Druzhinin/RIA Novosti

Deklarata e Presidentit Putin u publikua në faqen online të Kremlinit në orët e para të së premtes. "U bëj thirrje forcave rebele të hapin një korridor humanitar për forcat ukrainase që janë të rrethuar për të shmangur pasoja të panevojshme dhe tu jepet mundësi atyre të tërhiqen nga zona e operacioneve", tha ai.

Me "zonë të operacioneve" ai mund t'i referohet qytetit lindor të Novoazovsk dhe zonave përreth që u pushtuan nga rebelët të enjten. Disa trupa qeveritare kanë mbetur të rrethuar nga rebelët në zonë.

Sipas agjencisë Reuters, lideri separatist dhe kryeministri i vetëshpallur i Republikës Popullore të Donetskut, Alexander Zakharchenko, tha të premten se ka rënë dakord që të hapë një korridor humanitar pas deklaratës së Putinit.

Gjendje e rëndë në Ukrainë
Gjendje e rëndë në UkrainëFotografi: Reuters

"Ne jemi të gatshëm të hapim një korridor humanitar", tha Zakharchenko duke shtuar se trupat ukrainase duhet të lenë mjetet e tyre armatosura dhe municionet.

Forca ukrainase në Rusi?

Thirrja e Putin erdhi pasi Kievi dhe Perëndimi akuzuan Rusinë se kishin hyrë në territorin ukrainas me tanke, artileri dhe trupa.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko anuloi vizitën në Turqi për shkak të "përshakllëzimit të shpejtë të situatës" në rajonin e Donetskut, "sepse trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë", tha ai të enjten.

Në një takim emergjent të Këshillit të Sigurimit të OKB për këtë zhvillim, SHBA dhe vende të tjera kërkuan një tërheqje të menjëhershme të trupave ruse.

"Nevojiten negociata serioze, por Rusia duhet të ndalojë gënjeshtrat dhe të mos i hedhë më benzinë konfliktit", tha Samantha Power, ambasadore e SHBA në OKB.

NATO deklaroi se të paktën 1000 trupa ruse janë në Ukrainë dhe publikuan fotografi satelitore të artilerisë ruse. Ndërkohë një gjë e tillë është mohuar nga zyrtarët rusë.

Të enjten kancelarja Angela Merkel, tha se ministrat e BE kishin planifikuar të takoheshin të shtunën për të diskutuar situatën në Ukrainë.

Sipas raportit të fundit të OKB-së të publikuar të premten, të paktën 2,593 persona kanë humbur jetën nga konflikti që filloi në mes të muajit prill. Raporti thekson gjithashtu se ka pasur dhunime të të drejtave të njeriut dhe tortura "të kryera më së shumti nga grupet e armatosura" që luftojnë qeverinë ukrainase.