1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pushimi i madh në Bruksel - Sezoni veror në qytetin e politikës evropiane

3 Gusht 2010

Thuajse asnjë qytet nuk ndryshon kaq shumë gjatë pushimeve të verës sa Brukseli. Jo vetëm politikanët dhe nëpunësit e BE-së kthehen në atdheun e tyre për pushime, por edhe vendasit largohen nga qyteti

https://p.dw.com/p/OaLM
"Grand Place" në Bruksel
"Grand Place" në BrukselFotografi: EU

Brukseli normalisht është një qytet që zien. Këtë e ndien pikë së pari në qarkullimin rrugor. Atyre që ngasin makinat të nervozuar u duhet të presin në bllokimet e pafundme të qarkullimit, këmbësorët që nxitojnë duket sikur bëjnë jogging, rregullat e qarkullimit rrugor shkelen rëndom. Vazhdimisht dëgjohen sirenat e policisë dhe të urgjencës. Krejt ndryshe është gjendja gjatë pushimeve të verës. Në këto ditë Brukselin mund ta përjetosh me një tjetër pamje.

Salla plenare e Parlamentit Evropian
Salla plenare e Parlamentit EvropianFotografi: DW

Pushimet e shkollës zgjasin gjatë gjithë korrikut dhe në gusht. Pushimet e verës nisin vërtetë pas festës kombëtare belge më 21 korrik. Pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm flamando-valonez festa e madhe mbarë Belgjikës është mjaft e preferuar. Por pasi mbaron parada ushtarake dhe mbreti e ka hequr uniformën, Brukseli papritur shndërrohet në një qytet krejt tjetër.

Metropoli i BE-së "në gjumin e verës"

Brukseli ofron atraksione për turistët - Shatrivani "Männeken Pis"
Brukseli ofron atraksione për turistët - Shatrivani "Männeken Pis"Fotografi: picture-alliance / dpa

Antipodi i Brukselit të vrullshëm është i mpirë: Madje edhe në mëngjes rreth orës tetë e tridhjetë mund të qarkullosh lirshëm kudo me veturë, mund të gjesh parkim, njerëzit janë të ngeshëm dhe kanë kujdes, vërehet zemërgjerësi dhe çtensionim, shkurt: Në metropolin Bruksel në verë mund ta marrësh veten prej stresit që të shkakton qyteti i madh.

Por disavantazhi i kësaj atmosfere pushimi është se përballesh me shërbime publike të kufizuara. Zanatçinjtë i gjen me vështirësi. Disa dyqane të specializuara për javë të tëra i kanë qepenat e mbyllura, sepse thuajse askush nuk shkon të blejë. Madje edhe pse për belgët një bagetë e freskët çdo ditë është një e drejtë themelore disa dyqane buke qëndrojnë gjithashtu të mbyllura në periudhën e pushimeve të verës.

Selia e Komisionit të BE-së
Selia e Komisionit të BE-sëFotografi: DW

Si qëndron puna me Evropën?

Çfarë bëjnë institucionet evropiane në Bruksel këto ditë? Në fund të korrikut bie ndjeshëm ritmi i aktivitetit të madh të Këshillit, të Komisionit dhe të Parlamentit Evropian dhe në gusht nuk lëviz më asgjë, në Komision e mban stafetën vetëm një grup i tkurrur nëpunësish. Kuartieri i Evropës, që normalisht është gjatë javës destinacion për dhjetra mijëra punonjës, ndodhet tani në gjumin e verës.

Qyteti i politikës së Evropës është me pushime: Tani në Bruksel përjeton javët më të qeta të vitit.

Autor: Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora
Redaktoi: Aida Cama