Pushime me doktorin: Turizmi mjekësor në Hungari | Evropa | DW | 21.10.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Pushime me doktorin: Turizmi mjekësor në Hungari

Hungaria është „Meka“ e europianëve për trajtimet shëndetësore, sidomos ato të dhëmbëve. Çmimi i leverdisshëm, cilësia e lartë. Vetëm në 2017-n Hungaria pranoi 2,5 milionë turistë për trajtime shëndetësore e wellness.

Kur aktorja e komedisë, Chris Reuter vendosi të udhëtojë nga Berlini në Hungari për një trajtimit kompleks të dhëmbëve, ajo nuk e dinte se po vinte në lëvizje një makineri ekonomike. Të paktën për një shoqëri fluturimi, një hotel, pak restorante në Budapest qendra e wellnesit që ajo vizitoi, dentisti në klinikën hungareze, agjencia gjermane që organizoi udhëtimin, - të gjithë këta të lartpërmendur morën pjesën e tyre nga torta. Të mos harrojmë botuesin e një libri gatimesh të gulashit tipik hungarez që ajo e mori me vete si suvenir.

Rritet turizmi mjekësor

Turizmi mjekësor, i cili përbën 5% të të gjithë zbritjeve në aeroportet ndërkombëtare dhe vendore në BE pritet që të shënojë rritje, sipas një studimi të Parlamentit Europian. Veçanërisht nga viti 2014, pas një direktive europiane për lejimin e trajtimit shëndetësor mes vendeve të BE. Shuma e përfituar nga ky turizëm mjekësor kap shifrën e 47miliardë eurove, 0,33% e prodhimit të përgjithshëm bruto të vendeve të BE-së.

Për Chrisin vendimi nuk ishte i vështirë, megjithëse ajo nuk kishte qenë asnjëherë në Hungari – çmime të ulta për një buzëqeshje të re, standarte të larta mjekësore, dentisti fliste rrjedhshëm gjermanisht. E gjitha kjo në dekorin fantastik të Budapestit. As siguracioni shëndetësor i Chrisit nuk kishte gjë kundër këtij trajtimi, sepse për të dyja palët ujdia ia vlente. „Siguracioni nuk ka pasur asgjë kundër trajtimit shëndetësor. Klinika në Hungari i dërgoi shpenzimet që rimbursoheshin në Gjermani dhe unë e mora lejen me faks për disa ditë. Kostot u mbuluan saktësisht, sikur do ta kisha bërë këtë trajtim në Gjermani", thotë aktorja për Deutsche Wellen.

Flash-Galerie Ungarn EU-Präsidentschaft Land und Leute Budapest Termalbad (Jürgen Sorges)

Banjo termale, Budapest

„Meka" europiane për trajtimet e dhëmbëve

Hungaria ka kohë që është kthyer në një destinacion të preferuar për turistët mjekësorë dhe ata që duan trajtime wellness. Por në vitet e fundit është kthyer në destinacionin më të rëndësishëm për trajtimet dentale. Të paktën për qytetarët nga vendet veriore të BE-së që paguajnë 50-80% më shumë për një trajtim të tillë në vendet e tyre. Trajtimin e Chris e organizoi agjencia „Klinika e Dhëmbëve-Hungari" me qendër në Potsdam që ka organizuar deri më tani 20.000 trajtime për pacientë gjemanë dhe zviceranë.

Sipas statista.com numri i klinikave dentare dhe dentistëve në Hungari shënon rritje. 6.083 dentistë ishin të punësuar në vitin 2016. Edhe numri i klinikave në afërsi të kufirit me Austrinë shënon rritje. Oferta është përshtatur për klientët – personeli flet perfekt anglisht dhe gjermanisht. Chris Reuter kujton se „njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të gjithë flasin gjermanisht. Trajtohesh sikur të jesh pacient privat."

Ndjesia e të trajtuarit mirë si një pacient privat tërheq edhe paciantë të tjerë, si Iasmina Carstea, një ekonomiste nga vendi fqinj, Rumania, e cila shkon rregullisht në klinikën e Szeged, një qyteti juglindor të Hungarisë. „Gjithmonë kam zgjedhur të shkoj tek doktorët hungarezë", i tha ajo Deutsche Welles. Jo vetëm ajo, shumë pacientë rumunë shkojnë për trajtim në Hungari. Standartet e jetës në Hungari janë më të larta se në Rumani, kështu që ndryshe nga pacientët austriakë apo gjermanë, kostot nuk janë impulsi që i tërheq rumunët, por trajtimi i duhur.

Të bësh banjë aty ku dikur ishin romakët

Por çdo cent i shpenuzar ia vlen, thotë Lorena Garoiu, një piktore rumune që shkon rregullisht në Budapest për trajtime wellness. „Ujërat termale në Banjat e Gellert kanë qenë shumë të rëndësishme për hernien diskale. Kam pasur përmirësim që nga hera e parë që kam qenë aty", thotë ajo. 60% e turistëve që vijnë në Budapest e zgjedhin qytetin për wellnesin, thotë Szilvia Czinege, kryetare e marketingut të Budapest Spa. Jo vetëm që ky vend është një pikë e rëndësishme për klinikat dentale, por në Budapest ka edhe 100 burime natyrore të llixhave, që janë përdorur nga romakët që në kohët e lashta.

Vetëm në vitin 2017, Hungaria pranoi 2,5 milionë turistë për trajtime mjekësore dhe ato wellness, bën të ditur Zyra Hungareze e Statistikave. Aktorja berlineze erdhi një vit më vonë për kontroll në Hungari. „Trajtimi ishte i suksesshëm", thotë Chris, me një buzëqeshje ku dhëmbët ndriçojnë.