• Pushime masive nga puna në radhët e punonjësve të Deutsche Bank • MPJ amerikane viziton Gjermaninë • Boksieri i mirënjohur gjerman Max Schmeling ndërron jetë | Studimi në Gjermani | DW | 04.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

• Pushime masive nga puna në radhët e punonjësve të Deutsche Bank • MPJ amerikane viziton Gjermaninë • Boksieri i mirënjohur gjerman Max Schmeling ndërron jetë

default

Njoftimi i Bankës qendrore gjermane, Deutsche Bank, se ka vendosur të pushojë nga puna rreth 6400 punonjës është në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman, sepse këto shkrutime bëhen pikërisht në një kohë kur Deutsche Bank ka shenuar fitime tejet mëdha, sidomos pas vitit 2000. Në lidhje me këtë në gazetën "tz" të Mynihut lexojmë:

"Manaxherët gjejnë fjalë shumë të bukura për të arsyetuar pushimet nga puna. Por edhe më për të ardhur keq është fakti, se pikërisht këta nëpunës që pushohen nga puna, i kanë sjellë bankës fitime prej 2,5 miliardë eurosh. Për këtë hija e dyshimit për pushimin e 6400 punonjësve, në një kohë kur fitimet vjetore prej interesave bankare të Deutsche Bank janë shtuar me 87%, është e justifikuar. Duket se punonjësit po bëhen viktimë e planeve ambicioze të shefit të kësaj banke, Josef Ackermann, edhe pse askush nuk e detyron atë për to, sidomos kur vlera e aksioneve të DAX-it gjerman po vjen duke u rritur."

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Pas përfundimit të fjalimeve të politikanëve që dinë ta luajnë mirë rolin e të prekurit, mbeten të hapura disa pyetje: Sa duhet të shkojë fitimi i Deutsche Bank, që të heqë dorë prej pushimeve nga puna? Në debatet për fitimet e Deutsche Bank nga njëra dhe pushimet nga puna të punonjësve pasqyrohet pasiguria për raportin e drejtë mes ekonomisë së tregut dhe politikës sociale në një botë të globalizuar. Gjithkush e di se vende pune hapen vetëm kur nxirren fitime. Të gjithë gjermanët po e ndjejnë barrën e rëndë të kontributeve që u duhet të paguajnë për shtetin social. Kjo dilemë bëhet e qartë prej të dhënave të fundit, sipas së cilave Gjermania shpenzon për përkrahjen dhe subvencionet sociale 8.416 euro për frymë popullsie në vit, ndërkohë që ata që përfitojnë prej këtyre subvencioneve marrin fare pak në dorë. Ku mbeten të gjitha këto para?"

Kalojmë në temën tjetër, vizitën e MPJ amerikane Condoleezza Rice në Berlin. Lidhur me këtë temë në gazetën "General Anzeiger" të Bonit lexojmë:

"Vizita e MPJ amerikane në Berlin nuk është shumë më tepër se sa një gjest ofensiv kortezie. Uashingtoni e ka marrë vesh mjaft mirë, se demokratizimi i Irakut është shumë më i gjërë se sa dimensioni ushtarak. Për këtë oferta e Berlinit për t'u angazhuar më tepër për stabilizimin e Irakut, erdhi në momentin e duhur dhe u pranua me mirënjohje prej Condoleezza Rice. Kaq shpejt ndryshojnë gjërat: administrata e re amerikane kërkon papritur ndihmën e asaj pjese të Evropës që kishte refuzuar të merrte pjesë në luftën në Irak. Hendeku transatlantik po bëhet më i ngushtë."

Artikullshkruesi i "Ostsee Zeitung" ka një mendim tjetër për vizitat e Condoleezza Rice nëpër Evropë:

"Tonet e reja në komunikimin mes SHBA-ve dhe Evropës janë në fakt të nevojshme madje duhet të kishin ardhur prej kohësh, por nuk kanë ndonjë vlerë në vetvete. Prova e zjarrit për harmonizimin e politikës së jashtme të aleatëve, do të jetë rasti i Teheranit. Pra a do ta pranojë apo jo administrata e Bushit diplomacinë evropiane në raste krizash. Nisur prej fjalëve të ashpra të Bushit në drejtim të mullahëve, nuk mund të flitet për ndonjë ndryshim kursi. Edhe pse jo aq fort, presidenti amerikan vazhdon ta mbajë në dorë të gatshme për ta luajtur kartën e luftës. Nga ana tjetër gjermanët dhe vendet e tjera evropiane janë për amerikanet vetëm aq interesante, sa këto do të jenë në gjendje ta pengojnë përmes diplomacisë Teheranin në rrugën e çmendurisë së armëve bërthamore."

Së fundi citojmë edhe nga një artikull i "Nürnberger Zeitung" me rastin e vdekjes të bosierit të famshëm gjerman, Max Schmeling:

"Të paktën indirekt edhe Max Schmeling e ndjeu racizimin e nazistëve. Kur fitoi me k.o. ndaj Joe Louis, në qershor 1936, shtypi nazist e hymnizoi si mishërimin e superioritetit gjerman ndaj një zezaku. Kur dy vjet më vonë Joe Louis e hodhi në tokë Max Schmeling që në raundin e parë, ky i humbi të gjitha pikët tek nazistët. Fitorja e "negrit", sikurse thuhej atëhere në radiot gjermane, nuk mund të pajtohej me teorinë e errët të racave të nazistëve. Me rastin e ditëlindjes së tij të 95-të, Max Schmeling, i tha një gazetari të "Die Zeit", unë nuk pendohem për asgjë. Dhe në të vërtetë, Max Schmeling, nuk kishte asgjë për t'u penduar, gjë që nuk mund të thuhet për çdo gjerman të brezit të tij."

  • Data 04.02.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwr
  • Data 04.02.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arwr