1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punimet e samitit të presidentëve të Evropës Qendrore në Ohër

Fatos Musliu, Ohër2 Maj 2008

Procesi i zgjerimit të BE-së, ndikimi i tij procesi në ekonomitë kombëtare, perspektivat energjetike dhe sfidat e rajonit janë temat kyçe, që do të diskutojnë presidentët e 17 vendeve të Evropës Qendrore në Ohër.

https://p.dw.com/p/DsLT
Nga salla e punimeve të samitit në OhërFotografi: Petr Stojanovski

Në takimet bilaterale dhe ato jo formale do të jetë në fokus edhe situata aktuale politike dhe sigurimit në Ballkan. Presidenti i Maqedonisë, Branko Crvenkovski, deklaroi, se në shtëpinë e përbashkët evropiane ka vend për të gjithë ata që janë të gatshëm t´i ndajnë vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe përgjegjësisë. Prezenca e 17 burshtetasve në Samitin e Ohrit është një sinjal i mirë për qytetarët në rajon se procesi i zgjerimit dhe bashkimit të familjes evropiane po vazhdon.

Mazedonischer Präsident, Branko Crvenkovski
Presidenti i Maqedonisë Branko CrvenkovskiFotografi: Petr Stojanovski


Crvenkovski: “Pa marrë parasysh statusin dhe nivelin e çdo shtetit të rajonit që ka në këtë moment, përkrahja e institucioneve të Bashkimit evropian është më se e domosdoshme”


Vendet e Ballkanit perëndimor kanë hyrë në një fazë specifike të bashkëpunimit rajonal meqë shtetet kanë kuptuar se bashkëpunimi rajonal është rruga më e sigurtë për integrimin e kësaj hapësire në Bashkimin Evropian.Por gjithnjë sipas presidentit Crvenkovski në Ballkanin perëndimor ende ekzistojnë reziqe të cilat nuk duhet të nënvlerësohen. “Me këtë rast do të theksoja çështjen e Kosovës për kompleksitetin e së cilës flet edhe fakti se në vet Bashkimin evropian nuk u arrit të formohet një qëndrim unik. Maqedonia është e interesuar që në fqinjësinë e saj të ketë stabilitet dhe paqë të qëndrueshme,”- tha Branko Crvenkovski

.

Në planin rajonal Maqedonia tani më një kohë është profiluar si promotor kryesor për përkrahjen e projekteve dhe iniciativave rajonale.Funksionimi i shoqërive multietnike është një përparësi e shteteve në rajon.Crvenkovski ka thënë se Maqedonia do të vazhdojë të luaj rol aktiv në zgjidhjen e kontestit për emrin, por në asnjë mënyrë vendi nuk do të përkulet ndaj trysnive të Greqisë propozimet e së cilës mund të cenojnë identitetin kombëtar dhe kulturor të maqedonasve.


Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se bota po përballet me sfida globale të cilat reflektohen edhe në rajonin e Balkkanit perëndimor. Me forca të përbashkëta këto sfida mund të tejkalohen më lehtë, thotë Gruevski. “ Çështjet ekonomike dhe energjetike edhe pse jo në masë të njëjtë kanë ndikim në ekonominë e çdo shteti.Këto çështje mund t´iu përgjigjemi vetëm të bashkuar dhe me veprime të harmonizuara,”- tha Gruevski.


Samiti i shteteve të Evropës qëndrore vazhdon punimet edhe gjatë ditës së nesërme, kur pritet të nxirren edhe konkluzionet e samitit.