1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PS-PD të palëkundura në qëndrimet e tyre

15 Shkurt 2010

Analistët përveç qëndrimeve të skajshme të dy palëve shohin dhe interesimin e tyre për të dalë nga kriza duke gjetur zgjidhje. Si determinues për arritjen e kompromisit ato shohin dhe presionin e faktorit ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/M1xe
Pllakata elektorale ne Tirane
Fotografi: DW / Aida Cama

Pas negociatave të së shtunës së kaluar në Tiranë mes PD dhe PS në prani të Presidentit të Republikës palët u dukën dhe në këtë fillim jave si të palëkundura në qëndrimet e tyre. Kryeministri Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar se mbetej i hapur për çdo zgjidhje por pa plotësuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive. Ndërkohë që kjo e fundit u shpreh sërish se hapja e kutive të votimeve të fundit parlamentare mbetet e panegociueshme.

Palët nuk lëvizën asnjë centimetër nga qëndrimet e mëparshme

Karakteristikë e negociatave PD–PS në prani të Presidentit të Republikës, sipas analistit Andi Bushati është se palët nuk lëvizën asnjë centimetër nga qëndrimet e mëparshme. Kështu mazhoranca mbetet e hapur për çdo opcion kompromisi, përveç kërkesës kryesore të opozitës që është hapja e kutive. Nga ana tjetër opozita shprehu palëkundshmërinë për nevojën e hetimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare duke përfshirë dhe hapjen e kutive te votimit.

"M'u duk se tryeza ishte më shumë një thyerje e akullit në komunikimin mes personave se sa një zgjidhje konkrete politike," - thotë Bushati për DW. Sa i takon perspektivës së dialogut mes mazhorancës dhe opozitës dhe kompromisit të kërkuar ai mendon se megjithëse palët në dukje janë larg njera-tjetrës, agresive me njera-tjetrën, ato në thelb janë të interesuara për të arritur zgjidhjen.

Andi Bushati
Andi BushatiFotografi: DW

As Berishës as Ramës nuk u intereson destabiliteti i vendit

"Sepse kryeministrit Berisha, ashtu si për çdo drejtues politik të mazhorancës nuk i intereson destabiliteti i vendit. I duhet të gjejë një kompromis qoftë dhe për fasadë. Në radhë të dytë kompromisi i duhet për t'i thënë komunitetit ndërkombëtar që Shqipëria nuk është një vend në krizë dhe kjo t'u hapë rrugë proceseve të reja. Por dhe liderit të opozitës Edi Rama, gjithashtu i duhet kompromisi. I duhet në radhë të parë për t'i dhënë fund një rruge pa krye të bokjotit ku e ka futur opozitën. Gjithashtu dhe për të mbyllur krizat brenda partisë së tij. Kur dihet se një pjesë e deputetëve të PS kanë thënë se do të hyjnë në parlament, për mbylljen e krizave në lidhje me Kushtetutën. Për të mos humbur mandatet e opozitës në rast se ajo nuk hyn në parlament para fillimit të marsit." Për këtë arësye, analisti Andi Bushati shikon dy palë në konfliktin aktual politik që në fasadë janë tepër larg për zgjidhjen e krizës dhe që qëndrojnë në pozita të ngurta. Por nga ana tjetër është dhe përpjekja e tyre për një mënyrë për të dalë nga kriza.

Angazhim ekspertësh politiko-teknikë

Për analistin Artan Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, ulja në tryezë e përfaqësuesve kryesorë të politikës është më pozitivisht se replikat në distancë nga foltoret e partive. Hoxha është optimist se pavarësisht asaj që u arrit në takimin e parë Berisha–Rama, mbetet për t'u parë angazhimi konkret i tyre për të lëshuar pe nga qëndrimet aktuale. Vijueshmëria e negociatave nuk mund të jetë produktive vetëm me prezencën e kryetarëve të partive, pasi do të kishim deklarata të njëpasnjëshme dhe qëndrime pa tentuar afrimin, vetëm shkëmbim slloganesh, thotë Artan Hoxha per DW. Ai shikon si efikase në vijim angazhimin e ekspertëve politiko-teknikë.

Artan Hoxha
Artan HoxhaFotografi: DW

"Që palët i kanë dhe këta bashkë me presidentin dhe stafin e tij dhe ekspertët ndërkombëtarë, të mund të eksplorojnë për hapësirat e mundshme të një hetimi parlamentar të logjikshëm dhe të dobishëm. Në takimin që mbajti Rama pas negociatave me aleatët e tij qëndrimi ishte se duhet vazhduar negociatat vetëm në nivelin e dy liderëve, pa hequr dorë nga kushti i hapjes së kutive. Kjo do të thotë se nuk pranohet ajo që ka thënë presidenti i Republikës që palët do të eksplorojnë për hapësirat e mundshme."

Kjo sipas Hoxhës e vështirëson vijimin e negociatave dhe i çon ato drejt rezultatit zero. Ndërkohë që drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore shikon si determinues në ditët që vijnë presionin e shtuar të komunitetit ndërkombëtar "që do të ketë efekte mbi dy forcat kryesore politike në vend dhe do t'i detyrojë ato të ndryshojnë qëndrimin aktual."

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani