1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Streiks Frankreich

20 Tetor 2010

Një ditë para aprovimit të reformës së pensioneve në senatin francez në Francë vazhdojnë protestat. Mungesës së benzinës i shtohet tani greva e personelit të aeroporteve dhe hekurudhave.

https://p.dw.com/p/PiSg
Protestuesit kanë bllokuar një rafineri
Protestuesit kanë bllokuar një rafineriFotografi: picture-alliance/dpa

"Sarko, ti ke marrë fund, rinia ka dalë në rrugë", thërrasin nxënësit e liceut Turgot në zonën e tretë të Parisit. Dhe në liceun fqinj Voltaire gjimnazistët pas një jave demonstratash të pandërprera e kanë kthyer grevën në rutinë.

Të rinj të revoltuar

„Ne kemi ardhur këtu si çdo mëngjez para orësh shtatë. Së pari kemi vënë kazanët e plehrave para dyerve, për të barrikaduar hyrjen e shkollës", tregon Clémence, e cila është krenare, që protestat në shkollën e saj kanë mbetur paqësore. Në Nanterre nga ana tjetër, në perëndim të Parisit, të rinj të maskuar zhvilluan përleshje të ashpra me policinë, qëlluan me gurë dhe ndezën bomba tymi, në Le Mans natën u dogj një shkollë.

Protestat trondisin Francën
Protestat trondisin FrancënFotografi: AP

Jean-Baptiste Prévost, i cili organizon protestat e nxënësve dhe studentëve, shpreson tani, që trazirat e ditëve të fundit të mos përsëriten. „Unë i kuptoj të rinjtë, që janë të zemëruar. Gjithsesi ky zemërim është grumbulluar prej vitesh. Por kush u vë zjarrin makinave dhe shkatërron stacionet e autobuzëve, frikëson popullsinë. Por ne na duhet simpatia e francezëve. Sa më shumë të jemi, aq më të fortë behemi, ky është objektivi ynë.“

Popullsia sipas anketimeve të fundit ka mirëkuptim për protestat

Për 71% e popullsisë është mirë që protestat kundër reformës së pensioneve vazhdojnë prej ditësh. Po e tillë është edhe pjesëmarrja: Në Toulouse dhe Marseille bëjnë grevë punonjësit e grumbullimit të plehrave, në Elzasë shoferët e kamionëve kanë bllokuar autostradat, në aeroportet e gjithë vendit avionët kanë mbetur në tokë, lidhjet hekurudhore janë ndërprerë, gazetat nuk kanë dalë, nuk ka postë dhe meqenëse edhe grevat në rafineri vazhdojnë dhe depot e karburanteve vazhdojnë të bllokohen, do të ketë mangësi në furnizimin me karburant.

Protestat trondisin Francën
Protestat trondisin FrancënFotografi: picture-alliance/dpa

„E tmerrshme", normalisht unë shkoj në punë me makinë. Por benzina më ka mbaruar dhe makinën nuk e mbush dot më. Kështu që po shkoj me tren, por edhe ai nuk niset më. Tani më duhet të marr autobuzin. Për të shkuar në punë më duhen tani gjithsej dy orë e gjysëm dhe sonte do të më duhen dy orë e gjysëm për t'u kthyer", thotë Jean-Luc.

Pakënaqësi e përgjithshme në Francë

Dy herë qeveria ka bërë përmirësime në reformën e pensioneve, duke përjashtuar rastet e vështira, si nënat dhe punëtorët, që kanë kryer punë të rënda. Tani sindikatat kërkojnë lëshime të tjera. Por Presidenti Sarkozy qëndron i paepur.

„Reforma është e pashmangshme. Ne në Francë ecim të njëtën rrugë si miqtë tanë gjermanë“, tha Sarkozy në prani të Angela Merkel në Deauville. Ai e ka të qartë se me protestat prej kohësh është fjala për më shumë se për reformën e pensioneve, se përmes këtyre shprehet pakënaqësia e përgjithshme ndaj politikës së tij, e cila përceptohet gjithnjë e më shumë si josociale. Gjithnjë e më shumë demonstrues kërkojnë, që të tërhiqet krejtësisht reforma. Por presidenti, i cili e ka përcaktuar reformën si projektin kryesor gjatë mandatit të tij, nuk mund ta lejojë dështimin e tij.

Autor: Christoph Wëß/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama