Protesta politike dhe tensione në SHBA në përvjetorin e atentateve | Bota | DW | 13.09.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Protesta politike dhe tensione në SHBA në përvjetorin e atentateve

SHBA kujtuan më 11 shtator viktimat e atentateve të 11 shtatorit 2001. Në këtë ditë të kujtimit megjithatë nuk munguan tensionet fetare dhe protestat me zë të lartë.

Pjesëtarë të familjeve të viktimave përkujtojnë 11 shtatorin

Pjesëtarë të familjeve të viktimave përkujtojnë 11 shtatorin

Një gjë të paktën nuk iu desh ta përjetonin amerikanëve në përvjetorin e nëntë të atentateve terroriste të 11 shtatorit: pamje të kuranit që digjet në Florida. Të shtunën në mëngjes, pastori radikal Terry Jones, i cili tërhoqi për ditë të tëra vëmendjen në SHBA, tha se kishte hequr dorë përfundimisht nga aksioni i djegies. Ai premtoi në kanalin televiziv NBC:

"Ne nuk do të djegim as tani dhe as më vonë kuranë"

Si argumentim ai tha se e kishte arritur synimin e tij: që të tregonte se në fenë islame ka elemente të rrezikshme radikale. Ai tha se Zoti i kishte sinjalizuar atij se duhet ta ndalojë aksionin e djegies.

Planet e hallakatura të Jones-it gjetën disa pak mbështetës: në internet u shfaqën disa video, në të cilat digjeshin kopje të Kuranit, para Shtëpisë së Bardhë në Uashington dy burra shkulën faqe nga Kurani dhe i hodhën në një kosh plehrash. Po e gjitha kjo ndodhi jashtë fokusit të kamerave televizive dhe nuk tërhoqi shumë vëmendjen.

Po edhe pa këtë, ky 11 shtator u zhvillua nën përshtypjen e tensioneve politike dhe fetare, të tilla si nuk ishin njohur deri tani. Aq më me forcë erdhi apeli i presidentit të SHBA, Barack Obama, drejtuar amerikanëve për të qendruar së bashku dhe për të luftuar për vlera si liria dhe toleranca fetare:

"Terroristët e 11 shtatorit donin të nxisnin konflikte midis feve, por Amerika nuk ka qenë kurrë në luftë me fenë islame, dhe nuk do të jetë kurrë. Nuk ka qenë një fe, ajo që na sulmoi në këtë ditë shtatori, ishte El Kaida, një grusht burrash, të cilët e kishin përvetësuar me perversitet një fe."

Presidenti Barack Obama përkujton në heshtje viktimat e 11 shtatorit 2001

Presidenti Barack Obama përkujton në heshtje viktimat e 11 shtatorit 2001

Demonstrat pro dhe kundër ngritjes së qendrës islamike

Në Nju Jork situata ekstreme këtë vit u bë veçanërisht e qartë. Në ceremoninë përkujtimore pranë Ground Zero në Nju Jork, disa të afërm të viktimave kërkuan midis lotëve që kjo ditë t'i përkasë vetëm kujtimit të të vdekurve, jo diskutimeve politike. Familje të tjera, nga ana tjetër, e sollën politikën direkt në atë vend dhe mbanin në duar postera, me të cilat protestonin kundër ngritjes së planifikuar të qendrës islamike në afërsi të Ground Zero. Pak orë më vonë, 11 shtatori në Nju Jork u mbizotërua nga protestat politike - dy demonstrata për dhe kundër qendrës islamike tërhoqën disa mijëra vetë.

Atmosferë e acaruar ndaj myslimanëve

Amerikanë myslimanë ankohen prej kohësh se atmosfera në SHBA ndaj tyre asnjëherë nuk ka qenë kaq armiqësore sa tani- as direkt pas atentateve, kur presidenti i atëhershëm George W. Bush bëri thirrje që të mos bëhet fajtore feja islame për atë që ndodhi.

Në përvjetorin e nëntë të 11 shtatorit, plagëve të vjetra iu shtua një hidhërim i ri: hidhërimi për mungesën e ndjenjës së të qenit së bashku, ndjenjë që kishte mbizotëruar gjithmonë në këtë përvjetor, që prej vitit 2001.

Autor: Sabine Müller/ Auron Dodi

Redaktoi:

  • Data 13.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PAR5
  • Data 13.09.2010
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/PAR5