Protesta në të gjithë Europën | Evropa | DW | 28.02.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Protesta në të gjithë Europën

Sindikatat reagojnë ndaj programit të shkurtimeve të Airbus-it

Shefi i koncernit EADS Louis Gallois

Shefi i koncernit EADS Louis Gallois

Shifra të sakta ende nuk ka por sindikatat druhen se prodhuesi i avionëve Airbus planifikon shkurtimin e rreth 10.000 vendeve të punës. Të martën personeli në fabrikat në Meault braktisi në mënyrë spontane punën pasi kjo qendër prodhimi rrezikon të shkëputet nga kompania. Në Bruksel federatat e sindikatave të metalurgjisë kanë kërcënuar me protesta në mbarë Europën.

Koncerni mëmë EADS kërkon të shesë katër qendra prodhimi të prodhuesit të avionëve Airbus: dy në Francë dhe dy në Gjermani, Varel dhe Nordenham. Në fabrikën në Hamburg do të shkurtohen rreth 800 vende pune. Gjithsej sipas informacioneve të medieve nga planet e kompanisë për ristrukturim janë të prekur 7900 punonjës. Sindikatat europiane të përfaqësuara në kompani presin madje që numri i vendeve të punës që do të shkurtohen të jetë 10.000 ose një e pesta e gjithë personalit të Airbus-it. Kështu u shpreh në Bruksel sekretari i përgjithshëm i sindikatave të metalurgjisë, Peter Scherrer. Scherrer pret megjithatë shifrat konkrete nga EADS:

"Të gjitha sindikatat këtu janë shprehur kundër shitjeve dhe mbylljeve të fabrikave që diskutohen."

Këshilli administrativ i koncernit europian për transportin ajror, hapësinor dhe armatimet EADS, pret një rritje të fitimit prej 2,1 miliardë eurosh në vitin 2010 ndërkohë që kapitali do të rritet deri atëherë me 5 miliardë euro. Shefi i koncernit EADS Louis Gallois ka paralajmëruar ndaj përhapjes së panikut. Fjala është vetëm për gjetjen e partnerëve për investime në fabrikat që do të eksternalizohen dhe për të prodhuar me kosto më të ulëta. Airbus duhet të ripozicionohet pasi për shkak të vonesave në prodhimin e modelit të tij të A380 për distancat e mëdha përfundoi në një situatë të pafavorshme. Sindikatat kanë njoftuar se do të kundërshtojnë planet për ristrukturim. Nuk janë punonjësit ata që kanë bërë gabime por manaxherët, është shprehur sekretari i përgjithshëm i sindikatave europiane të metalurgjisë Peter Scherrer:

"Kemi vendosur që dy-tre javët e ardhshme të organizojmë një ditë europiane veprimi në të cilën të marrin pjesë të gjitha organizatat anëtare."

Tipi i avionit A380 duhet të vazhdojë të prodhohet në Francë dhe Gjermani. Montazhi i avionit për distancat mesatare A350 do të kryhet në pjesën më të madhe në Francë. Modeli pasues i avionit për distancat e shkurtra A320 do të prodhohet në Gjermani.

Trungu i avionit A380 i cili pritet të konkurrojë me tipin Dreamliner të prodhuesit amerikan Boeing do të dalë nga fabrikat gjermane. Kështu teknologjia e së ardhmes me bazë fibrat e karbonit do të vijë në Gjermani. Mbi këtë pikë ishte debatuar gjatë. Drejtuesit e EADS është ankuar vazhdimisht për ndikimin e qeverive në Paris dhe Berlin mbi vendimet e koncernit. Nga ana tjetër ka patur akuza kundër manaxherëve për shkak të vendimeve të gabuara. Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Jacques Chirac kanë kërkuar një zgjidhje të drejtë që të mos dëmtojë qendrat e prodhimit gjermane e as ato franceze.

Ministri gjerman i ekonomisë Michael Glos e ka cilësuar konceptin e ristrukturimit të ekuilibruar dhe të drejtë për vendet e interesuara. Glos është shprehur se as ai vetë nuk ka dijeni për hollësitë. Ato pritet të bëhen të ditura nga EADS sot pasdite në Toulouse.

  • Data 28.02.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8k
  • Data 28.02.2007
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar8k