Protesta kundër grupit negociator në Prishtinë | Ballkani | DW | 28.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Protesta kundër grupit negociator në Prishtinë

Në Prishtinë u organizua sot një protestë kundër grupit negociator të Kosovës. Protestuesit thyen me sende të forta thyen xhamat e institucioneve qëndrore të Kosovës. Policia përdori gaz lotsjellës

Albin Kurti

Albin Kurti

Disa xhama të thyera të institucioneve qëndrore të Kosovës, është bilanci i protestës që u zhvillua në Prishtinë, kundër grupit negociator të Kosovës. Protestuesit të organizuar nga lëvizja Vetvendosje, filluan protestën në mënyrë të qetë duke marshuar rrugëve të kryeqytetit, për tu grumbulluar para institucioneve qëndrore. Aty protestuesit filluan të gjuajnë shishe me ngjyrë të kuqe, në drejtim të godinës së qeverisë, presidencës dhe parlamentit.

Thyen xhamat e këtyre godinave, ndërsa më pas marshuan drejt selisë qëndrore të administratës ndërkombëtare. E njëjta gjë ndodhi edhe me godinën e UNMIK-ut. Pasi
thyen edhe disa xhama në këtë ndërtesë, policia përdori gazin lotsjellës dhe shpërndau turmën.


Protestuesit me brohorima dhe pakarta, akuzonin udhëheqësit institucionalë, se ata nuk përfaqësojnë qytetarët përderisa siç thanë bisedojnë më autoritet serbe.

Zyrtarë të administratës ndërkombëtare, në një deklaratë për media vlerësojnë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës është në një fazë kritike dhe se bota i ka sytë e kthyer nga Kosova. Ata thonë se çfarëdo akti i dhunshëm do të mund të kthente orët prapa për Kosovën. Kjo dekleratë e UNMIK-ut, u bë në të njetën kohë, kur policia e Kombeve të Bashkuara, njoftoi se ka informacione të besueshme për disa kërcënime kundër personelit dhe pronave të misionit ndërkombëtar.

Policia nuk dha detaje tjera se për çfarë kërcënimesh bëhet fjalë dhe kush qëndron prapa tyre. Një zëdhënës i policisë së UNMIK-ut, Thomas Li, thotë se bazuar në këto informacione organet e rendit do të shtojnë masat e sigurisë. Njerëzit në Kosovë do të shohin shtimin e masave të sigurisë në ditët e ardhshme. E kemi vlerësuar të domosdoshme që njerëzit të jenë të inforuar dhe ata që kanë ndonjë informacion të kontaktojnë forcat e rendin tha Thomas Li. Sipas tij, masat e shtuara të sigurisë do të jenë të dukshme në mbarë Kosovën, nëpër qytete dhe nëpër rajone më pak të banueshme por, ato do të vlejnë për mbarë teritorin e Kosovën.

Zyrtarë të policisë së kombeve të bashkuara, protestën që u zhvillua në Prishtinë nuk e ndërlidhin me kërcënimet ndaj personelit të UNMIK-ut. Autoritet e rendit thonë se, sulmi kundër cilitdo punonjës së administartës së OKB-së në Kosovë është destruvtiv dhe kundërproduktiv, veçanërisht në këtë periudhë. Ata thonë se, gati një vit pas fillimit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit në Kosovë është arritur një përparim i konsiderueshëm dhe procesi i zgjidhjes së statusit tash ka hyrë në fazën vendimtare.

Në të njëjtën linjë shprehen edhe udhëheqësit politik kosovarë, të cilët kërkojnë nga qytetarët që të tregohen të përmbajtur nga çfarëdo veprimi. Ata thonë se këtë fazë të pritjes së zgjidhjes së statusit, në vend duhet të ruhet qetësia në mënyrë që Kosova të arrijë synimin e saj pavarësinë.

  • Data 28.11.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arar
  • Data 28.11.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arar
Reklamë