1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta kundër çmimit të banesave në Tel Aviv - Demonstruesitë vazhdojnë presionin kundër pushtetit

2 Gusht 2011

Demonstratave kundër çmimeve të larta të banesave fundjavën e kaluar (30./31.7.) iu bashkuan mijëra vetë. Me tension pritet nëse protestat do të zgjerohen edhe më shumë fundjavën që vjen.

https://p.dw.com/p/129SA
Pamje nga Tel Avivi
Pamje nga Tel AviviFotografi: picture-alliance/ZB

Është një mbrëmje e këndshme verore në Tel Aviv. Era që ka filluar të fryejë e bën pak më të durueshme vapën me zagushi. Përkundër kësaj disa qindra banorë të qytetit heqin dorë nga pushimi i mbërmjes dhe vendosen në radhën e gjatë para sallës së mbledhjeve të këshillit bashkiak. Ata në mbledhjen e rregullt mujore duan të shprehin zemërimin e tyre për gjendjen e tmerrshme të banimit dhe t'ia thonë mendimin kryebashkiakut të Tel Avivit Ron Huldai.

"Kryetari i bashkisë Huldai është fajtor që qyteti është bërë kaq i shtrenjtë në vitet e fundit. Dhe gjatë fushatës ai nuk e ka fshehur këtë. Banesat e reja sipas vullnetit të tij duhet të jenë para së gjithash apartamente luksoze. Përveç kësaj ai ka thënë se administrata e qytetit nuk duhet të ndërmarrë asgjë kundër problemeve të banimit pasi që një problem i tillë nuk ekzsiton", sqaron Shai, një pjesëmarrës në takim.

Në vend shpërthen pakënaqësia e akumuluar gjatë viteve të fundit

Shai thotë se ka qenë këtu edhe në mbledhjen pas zgjedhjeve komunale, por salla ka qenë pothuajse e zbrazët. Tani me rreth 400 apo 500 njerëz salla është e stërmbushur, bëhet fjalë për një takim mjaft të trazuar të këshillit bashkiak të Tel Avivit.

Në Izrael gjatë viteve të fundit është akumuluar një pakënaqësi e cila po shpërthen tani. Rreth 50.000 njerëz demonstruan të shtunën e kaluar vetëm në Tel Aviv, fundjavën e ardhshme mund të jenë edhe më shumë. Kjo për faktin se me të ardhurat mesatare prej 1.600 € në muaj një punëmarrës nuk mund të përballojë më shpezimet për një banesë tredhomëshe në Tel Aviv: ajo gëlltit mbi dy të treta e pagës brutto. Dhe nga ngritja marramendëse e çmimeve në tregun e banesave janë prekur të gjithë qiramarrësit.

Jetesa në Tel Aviv po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme

Kjo për shkak se kontratat mbi qiranë lidhen kryesisht vetëm për një vit. Pastaj qiradhënsit rinegociojnë me qiramarrësit çmimin e qirasë. Përveç kësaj numri i banesave që lëshohen me qira nuk është i madh. Dekadat e kaluara izraelitët kanë arritur të blejnë banesa për shkak se çmimet ishin të përballueshme. Tani për shumicën çmimet e tyre janë të papërballueshme si për blerje ashtu dhe për marrje me qira.

Prandaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak atmosfera është nxehur. Kryetari urdhëron shërbimin e sigurimit që të largojë disa vizitorë nga salla.

Nuk janë vetëm studentët dhe puntorët e rinj ata që protesotjnë me vizitën e tyre në këshillin bashkiak. Në takim ka ardhur edhe Bella, një grua rreth të 50-tave. Ajo kërkon rikthimin e programit të banesave shoqërore. Dhe kryebashkiaku duhet ta vërej se ka ardhur koha që të ndërmarrë diçka.

"Tel Avivi është një qytet i mrekullueshëm. Por më nuk mund të përballohet që të jetohet këtu."

Autor: Christian Wagner / Esat Ahmeti

Redaktoi. Bahri Cani