1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta e opozitës në Tiranë - Paqësisht e pa incidente

13 Maj 2017

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shpalli „Republikën e Re“ dhe vazhdimin e protestave deri në rrëzimin e qeverisë Rama. Protesta u zhvillua pas vendimit të qeverisë, që zgjedhjet të zhvillohen më 18 qershor 2017.

https://p.dw.com/p/2cvG4
Albanien Protest der Opposition in Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Protesta që zhvilloi opozita të shtunën (13.05) në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit"  zgjati rreth 2 orë dhe u mbyll pa asnjë incident. Protestuesit paraqitën të njëjtat kërkesa të protestës së tyre 86 ditore në çadrën përballë kryeministrisë: dorëheqjen e kryeministrit Rama, formimin e qeverisë teknike që do ta çojë vendin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi qeveria aktuale, sipas PD do të blejë votat „me paratë e drogës  dhe kanabisit".

Lulzim Basha shpalli sot të ashtuquajturën „Republikë të Re" - thirrje për besnikëri

Kryetari  i PD, Lulzim Basha, e cilësoi protestën e sotme „referendum mbarëpopullor për Republikën e re". Ai njëherazi shpalli edhe mosnjohjen e Republikës së vjetër, pra të Republikës aktuale dhe bëri me dije se opozita do të zhvillojë edhe një protestë tjetër, të tretën që nga ajo e 18 shkurtit të kaluar.  Basha u bëri thirrje prostestuesve  të  përgatiten për të vazhduar protestën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

„Jam gati të mbaj premtimin para jush dhe t‘ju udhëheq drejt të ardhmes, Republikës së Re dhe të ndershme. Sot ka ardhur dita e bekuar. Le të shpallim njëzëri „Republikën e Re". Do të jemi përsëri në këtë shesh deri sa „Republikë e Re" të jetë realiteti institucional, kushtetues dhe qytetar për zgjedhjet e  lira dhe të ndershme. Ju  kërkoj vetëm  bashkim dhe qëndresë‘" tha kryetari i PD, Basha.

2000 policë të paarmatosur për të siguruar zhvillimin paqësor të protestës

Burime zyrtare nga Ministria e Brendshme bënë me dije se Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Antiterrorit kanë qënë sot në gadishmëri të lartë edhe për të shmangur akte të mundshme dhune nga eksponentë radikalë vendas apo të huaj . Në qytetet e ndryshme të Shqipërisë janë shoqëruar në polici rreth 20 persona me precedente penalë dhe për të cilët policia ka të dhëna për prirje radikale.

Berlin, Bundestag Lulzim Basha
Fotografi: DW/Auron Dodi

Rreth 2000 policë kanë siguruar zhvillimin paqësor dhe pa incidente të protestës. Sipas urdhrit të Ministrit të Brendshëm ata kanë qenë pa armë. Të dhënat për numrin e protestuesve janë kontradiktore: kryetari i  PD, Basha deklaroi se protestuesit ishin 600 mijë vetë. Por mediat lokale bëjnë me dije se nga përdorimi i programit kompjuterik Google Earth Pro rezulton se numri i protestuesve ishte 25 mijë vetë.

Protesta e sotme e PD bëhet, kur në fillim të kësaj jave, qeveria mori vendimin politik që zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor 2017 në respekt të Kushtetutës. PD nuk është regjistruar në KQZ për të marrë pjesë, Komisioneri i BE , per Zgjerimin dhe Fqinjesinë, Johannes Hahn u bëri në mes të kësaj jave thirrje qytetareve të Shqipërisë  të marrin pjesë në zgjedhje. Mospjesëmarrjen e PD ai e konsideroi pengesë për të "ardhmen më të mirë të shqiptarëve.” 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana