Prostitucioni i detyruar - fenomen shqetësues në Evropë | Evropa | DW | 01.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Prostitucioni i detyruar - fenomen shqetësues në Evropë

Mbeten edhe 128 ditë deri sa të fërshëllejë bilbili i parë i Kampionatit Botëror në Gjermani. Këtij kampionati nuk po i gëzohen vetëm pronarët e hoteleve por edhe ata të bordeleve, kështu flitet të paktën në Bruksel.

Biznesi me seksin lulëzon

Biznesi me seksin lulëzon

Ana është bullgare, 20 vjeç dhe e trafikuar ilegalisht në Bruksel. Ajo u deyrua të punojë kundër vullnetit të saj tri vite me rradhë, deri sa më në fund mundi t´u arratiset tutorëve të saj. Policia e dërgoi Anën tek Pag-Asa, një organizatë që u vjen në ndihmë viktimave të trafikut njerëzor: "E gjithë kjo situatë është shumë e vështirë për mua, por Pag-Asa po bën të pamundurën që unë dhe njerëzit që kanë pësuar fatin tim të ndjehen pak më mirë. Besoj se tani gjithçka do të rregullohet" - tregon Ana.

Ana ka dëshmuar kundër tutorëve të saj dhe tani ka shansin të fillojë një jetë të re në Belgjikë. Deri sa të përfundojnë hetimet ajo do të rrijë në Belgjikë ku do të ndjekë një kurs gjuhe dhe do të punojë. Në rast se pas përfundimit të procesit gjyqësor, do të rezultojë se ajo ka qënë viktimë e trafikut njerëzor, atëherë Ana ka rë drejtë të marrë një leje qëndrimi të pakufizuar për në Belgjikë. Ky rregull vlen brenda Evropës vetëm për Belgjikën dhe Italinë. Në Gjermani Ana nuk do të kishte asnjë shans për të qëndruar sido që të vendosnin gjykatësit. Lissy Gröner e fraksionit social demokrat të Parlamentit Evropian kërkon që në Gjermani të ndryshojë pikërisht ky rregull: "Ne në Gjermani i lejojmë gratë dhe viktimat e tjera të trafikut njerëzor të qëndrojnë në vend deri sa të përfundojë procesi gjyqësor. Por kur një grua është e gatshme të dëshmojë kundër tutorëve të saj, atëherë vendi ku ndodhet kjo grua duhet t´i ofrojë asaj disa privilegje dhe mbështetje. Eksperienca nga vendet e tjera na ka dëshmuar se kjo metodë është shumë efikase për t´i kapur ata që janë përgjegjës për trafikun njerëzor" - thotë ajo.

Edhe Sally Beeckmann, e cila punon për organizatën Pag-Asa në Bruksel e konfirmon këtë. Ajo punon si kriminologe dhe i ndihmon viktimat në çështjet që kanë të bëjnë me fushën juridike apo administrative: "Shumica e hetimeve bazohen në dëshmitë e njerëzve. Dëshmitarët janë shumë të rëndësishëm për proceset gjyqësore. Ky është një sistem që funksionon në bazë të principit "dhënie dhe marrje", pra viktimat dëshmojnë kundër të akuzuarve dhe shteti belg kujdeset që ata të marrin një leje qëndrimi."

Por prostitucioni i detyruar nuk është një temë shumë e politizuar në Gjermani. Kjo temë trajtohet në pothuajse çdo land gjerman ndryshe, ankohet Lissy Gröner: "Sidomos në landet ku gratë nuk luajnë ndonjë rol të veçantë në fushën politike, kjo temë evitohet nga qeveria përkatëse lokale. Në Evropën Lindore ka vende që nuk e trajtojnë fare këtë temë. Por unë nuk dua të përmend vende në mënyrë të veçantë tani."

Edhe policia evropiane, Europol nuk mund të veprojë pa kërkesën e vendeve përkatëse. Dhe kështu lufta kundër trafikut njerëzor mbetet e kufizuar. Shumë shoqata joqeveritare nuk besojnë se Gjermania do t'a ndryshojë politikën e saj ndaj të huajve kaq pak kohë përpara Kampionatit Botëror të Futbollit, edhe pse presioni nga Brukseli është rritur. Por Ana ka fat. Pas të gjitha peripecive që kaloi, ajo tani ka vetëm një dëshirë: "Dua vetëm një punë të rregullt dhe një shtëpi ku mund të rris fëmijën tim. Një jetë normale, si të gjithë njerëzit, kjo do të ishte një jetë e mirë për mua"- thotë ajo.

  • Data 01.02.2006
  • Autor Marlis Schaum
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCB
  • Data 01.02.2006
  • Autor Marlis Schaum
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArCB