Propozimi gjerman: Reagime të përmbajtura në NATO | Gjermania | DW | 25.10.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Gjermania

Propozimi gjerman: Reagime të përmbajtura në NATO

NATO e mirëpriti propozimin e ministres gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer për zonën ndërkombëtare në Siri, por entuziazëm nuk pati në takimin e vjeshtës të NATO-s në Bruksel.

Belgien | Annegret Kramp-Karrenbauer auf Nato-Treffen

Annegret Kramp-Karrenbauer në takimin e NATO-s në Bruksel

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, njëkohësisht edhe kryetare e CDU-së, Annegret Kramp Karrenbauer bëri së fundmi një propozim të papritur, i cili e ka trazuar politikën gjermane këto ditë. Madje edhe vetë ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas me gjasë ishte informuar vetëm me sms para se ajo të dilte në media  AKK kërkon krijimin e një zone ndërkombëtare sigurie në veriun e Sirisë, ku të përfshihen europianët, rusët dhe turqit - e gjitha nën mandatin e OKB-së. Pas ndërhyrjes së Turqisë në veriun e Sirisë për të zbrapsur kurdët e YPG-së, dhe arritjes tani të një armëpushimi, duket se ministrja gjermane kërkon një zgjidhje afatgjatë në një rajon të rëndësishëm për sigurinë edhe të vetë Europës. Këtë propozim ajo e diskutoi dje edhe para ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në takimin e vjeshtës në Bruksel. Ajo nuk foli në emër të qeverisë gjermane - pasi socialdemokratët që bashkëqeverisin me kristiandemokratët ende nuk mbështesin këtë propozim.

Reagime të përmbajtura për idenë e AKK-së

Reagimet në NATO pas prezantimit të idesë së Kramp-Karrenbauerit në Bruksel ishin pozitive, por të përmbajtura. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, propozimin e zonës ndërkombëtare në veriun e Sirisë e vlerësoi si impuls pozitiv. Ka shumë mbështetje për një zgjidhje politike, tha ai. Nga Uashingtoni vijnë fjalë pozitive për iniciativën, por Mark Esper, ministri amerikan i Mbrojtjes, tha menjëherë, se SHBA-nuk do të kontribuojë në një mision të tillë me ushtarë apo në ndonjë formë. Parlamenti Europian dje e mbështeti me shumicë propozimin e ministres gjermane.

Në Gjermani socialdemokratët duket se nuk janë shumë entuziastë për idenë. Skepticizëm ka shprehur edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, (SPD) i cili tha, se nuk kemi kohë për diskutime teorike, dhe se ka pasur telefonata nga partnerë të irrituar për këtë. Me këtë Maas ndoshta ka parasysh, reagimet nga Parisi, që sipas mediave ka reaguar pak i habitur, pasi propozimi nuk është diskutuar më parë me të.

Vetëm në partinë e saj, CDU, Kramp-Karrenbauer ka pasur mbështetje. David McAllicter, kreu i komisionit të politikës së Jashtme në PE, (CDU) ka thënë se ky propozim e ndryshon debatin: Europa duhet të angazhohet në një rajon që është para derës së saj, tha ai.

Ende jo ujdi brenda qeverisë gjermane

Që kjo ide e AKK të vazhdojë të jetësohet, së pari duhet të binden partnerët për një aleancë të tillë kaq të madhe, sidomos turqit dhe rusët, shkruajnë analistët gjermanë. Një analist pyet, se pse duhet që Putini t'ua lerë tani në dorë kontrollin ndërkombëtarëve, kur ai ka fituar gjithandej ushtarakisht? Debat ka edhe lidhur me pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë aty, pasi nëse krijohet zona ndërkommbëtare e sigurisë në veriun e Sirisë,  kjo do të thotë, se ushtarët gjermanë do të merrnin pjesë në një mision të ri, e ky është së pari vendim politik. "Ende ka nevojë për të krijuar një opinion të plotë për këtë brenda qeverisë", tha zëdhënësi, Steffen Seibert.

Në mediat gjermane është diskutuar, se ky propozim i ministres së Mbrojtjes po ndryshon edhe kursin e Gjermanisë në politikën e Jashtme. Gjermania është kritikuar shpesh nga partnerët e saj ndërkombëtarë për mosangazhimin e duhur në konfliktet në botë. Sidomos presidenti amerikan, Donald Trump e kritikon këtë vend për shpenzimet e pakta ushtarake në NATO krahasuar me fuqinë ekonomike.

 

 

la/(afp,dpa,welt)