1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokurori Clint Williamson në Kosovë

Bekim Shehu21 Korrik 2014

Prokurori Williamson ndodhet në Kosovë vetëm pak ditë, para se ai të prezantojë rezultatin e hetimeve të tij, që lidhen me raportin e Këshillit të Evropës, raport ky që flet për trafikim organesh.

https://p.dw.com/p/1Cg6g
Atifete Jahjaga me Clint Williamson dhe Bernd Borchard
Fotografi: DW/B. Shehu

Në Kosovë po qëndron Clint Williamson, prokuror special i Task Forcës, që po heton pretendimet në raportin e senatorit zviceran Dick Marti. Williamson qëndron në Prishtinë për të diskutuar me autoritetet në lidhje me hetimet, që ai ka zhvilluar gjatë dy viteve të shkuara. Këshilli i Evropës në dhjetor të vitit 2010 kishte miratuar raportin e Senatorit Dick Marti, i cili supozonte se gjatë luftës së fundit në Kosovë, pjesëtarë të UCK-së mund të kishin trafikuar organe të serbëve të zënë rob nga ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ky rast i supozuar njihet si rasti i “shtëpisë së verdhë”. Vizita e prokurorit Williamson me 21.07. në Kosovë po ndodh vetëm pak ditë, para se ai të prezantojë rezultatin e hetimeve të tij në fund të këtij muaji.

Prokurori Williamson pati vizituar Kosovën edhe në mars të këtij viti në kohën, kur po merrej vendimi final për themelimin e Gjykatës Speciale për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë për periudhën 1998-1999.

Prokurori amerikan Clint Williamson i shoqëruar nga shefi i misionit EULEX, gjermani Bernd Borchardt, takoi presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga. Presidentja në një komunikatë për media pas takimit tha se “institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me SITF në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur obligimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore”.

“Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale dhe që në momentin e konsolidimit institucionet e sapozgjedhura do të zbatojnë marrëveshjen e ratifikuar duke bërë ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese për të akomoduar krijimin e gjykatës së re”, tha presidentja Jahjaga.

Presidentja tha se “ajo është është e përcaktuar që qasja e Kosovës ndaj drejtësisë të jetë gjithëpërfshirëse dhe se hetimet, që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës nuk janë përpjekje për të gjykuar betejën tonë kolektive për liri, por mënyrë për të hetuar krimet e supozuara individuale”.

Kosova, sipas presidentes Jahjaga, është e përcaktuar që të ballafaqohet me këto akuza në një proces kredibil dhe do të përmbushë obligimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet, në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull, që do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.