- Projektbuxheti i Gjermanisë 2006 - Lajme dhe kundërlajme për arrestimin e Mladiçit | Studimi në Gjermani | DW | 23.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

- Projektbuxheti i Gjermanisë 2006 - Lajme dhe kundërlajme për arrestimin e Mladiçit

Gazetat shkruajnë se mënyra se si Ministri i Financave Steinbrück, e shet si sukses të madh projektbuxhetin e tij, është aventureske. Gjermania do të marrë këtë vit 38,3 miliardë euro borxh.

Ministri gjerman i Financave (majtas)

Ministri gjerman i Financave (majtas)

Në lidhje me projektbuxhetin e paraqitur prej Ministrit të Financave Steinbrück në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë:

"Buxheti që paraqiti Ministri i Financave Steinbrück vazhdon të jetë larg prej nivelit që duhet të ketë. Megjithatë qeveria aktuale arriti që në tre muajt e parë të saj të marrë vendime për shkurtime në sferat sociale dhe rritje të taksave, gjëra përpara së cilave paraardhësit e saj kishin dështuar. Koalicioni i madh arrin ta bëjë këtë jo vetëm për shkak të shumicës së fuqishme që ka në parlament. Në këtë mes ajo që përfiton më tepër është CDU-ja, sepse partneri tjetër i koalicionit, SPD-ja, nuk kishte guxuar gjatë fushatës elektorale që të zinte me gojë rritjen e moshës së daljes në pension apo atë të tvsh-së. Ai pak "sinqeritet" që guxoi të tregonte zonja Merkel përpara zgjedhjeve, po shkon tani në favor të CDU-së."

Gazeta "Kieler Nachrichten" kritikon vendimin e Ministrit të Financave Steinbrück për të marrë sërish 38,3 miliardë euro borxhe.

"Mënyra se si Ministri i Financave Steinbrück e shet si sukses të madh projektbuxhetin e tij, është aventureske. Gjermania do të marrë këtë vit 38,3 miliardë euro borxh, domethënë rreth shtatë milionë më tepër sesa vitin e kaluar. Peer Steinbruck thotë se megjithatë financat janë në rrugën e konsolidimit, sepse ai kishte llogaritur me më shumë borxhe. Në rast se është kështu atëhere Steinbrücku do të ketë gjithmonë fat dhe qeveria do t'i konstruktojë vetë sukseset e veta. Kryetari i grupit parlamentar të SPD-së, Peter Struck, u shpreh pak më parë për mundësitë e mëdha të koalicionit. Tani po bëhet dalëngadalë e qartë se çfarë kuptojnë me të tilla mundësi CDU-ja dhe SPD-ja."

Tone kritike gjejmë edhe në gazetën "Offenbacher Post":

"Këtë vit mali i borxheve do të jetë edhe më i lartë se sa në kohën e ministrit Hans Eichel, që deri tani mbante rekordin. Sërish do të kemi shkelje të kushtetutës dhe madje edhe me ndërgjegje. Për të katërtën herë me radhë RFGJ do ta shkelë kufirin prej 3% që parashikon pakti i stabilitetit i BE-së. Xhonglerët e financave flasin për një treshe të këndëshme, të përbërë prej investimeve, reformave dhe përmirësimeve. Në rast se i sheh gjërat me kujdes edhe tani nën koalicionin e madh gjërat janë po aq në disonancë sa në kohën e qeverisjes mes socialdemokratëve dhe ekologjistëve."

Kalojmë në temën tjetër, lajmet për arrestimin e mundshëm të Ratko Mladicit. Për këtë temë në gazetën "Neue Osnabrücker Zeitung" lexojmë:

"Kasapi i Srebrenicës së shpejti në pranga. Lajme të tilla për kriminelin e luftës Ratko Mlladiçit ka pasur rregullisht vitet e kaluara. Më pas këto lajme rezultonin si shumë zhurmë për asgjë, gjë që i bënte të vuanin ata që shpëtuan prej masakrave. Duket se tani ish-gjenerali 63-vjeçar nuk e ka shumë të gjatë. Por është tepër skandaloz fakti që krimineli më i kërkuar i Evropës mund të qëndronte për kaq kohë të gjatë i fshehur. Nacionalistin Mladiç, i cili mund të vihet pa e hiperbolizuar në të njëjtën kategori me kriminelët nazistë, e ndihmoi që të fshihet një rrjet i tërë njerëzish, që shkojnë deri në radhët e ushtrisë."

Kurse në gazetën "Ostsee-Zeitung" që botohet në Rostok lexojmë:

"Në rast se autoritetet e Beogradit i japin mundësi një krimineli lufte që të bëjë pazar, atëhere nuk ke pse të mos dyshosh se në rast po luhet diçka në prapaskenë. Të gjithës i vjen një erë e rëndë allishverishi të qelbur. Arrestimi i Mladiçit është vënë si kusht i kushteve për afrimin e Serbisë dhe Malit të Zi me BE-në. Ndjenjat idiote nacionaliste apo ëndërrat serbo-mëdha vetëm se janë pengesë në këtë drejtim."

Së fundi për këtë temë citojmë nga gazeta "Nürnberger Nachrichten"

"Allishverishet në të cilat Mladiçi luan rolin kryesor po u afrohen fundit. Për pak ditë përfundon afati që i ka vënë BE-ja Beogradit në lidhje me arrestimin e Mladiçit. Në rast se deri atëhere ish-gjenerali nuk do të jetë arrestuar, atëhere Brukseli kërcënon me ndërprerjen e bisedimeve, për të mos folur për anëtarësim në BE. Krerëve të Serbisë u janë futur këmbët në një këpucë."

  • Data 23.02.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArrF
  • Data 23.02.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArrF