1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt i Bashkimit Europian për Drinon

Odise Kote16 Nëntor 2007

Një projekt i Bashkimit Europian ka nisur të aplikohet në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek dhe synon të përmirësojë ndjeshëm situatën në shtratin e lumit Drino, si në Greqi ashtu dhe në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/CI8r
Kufiri shqiptaro - grek
Kufiri shqiptaro - grekFotografi: picture-alliance/ dpa

Lumi Drino buron në tokën greke e pasi futet në territorin shqiptar, rrjedh drejt grykëderdhjes së Vjosës për në detin Adriatik. Një projekt i Bashkimit Europian ka nisur të aplikohet në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek. Pjesa shqiptare e lumit është dhe pjesa më e dëmtuar, prandaj projekti parashikon punime të rëndësishme, të cilat do të eleminojnë si përmbytjet masive nga shirat e dëborat ,ashtu edhe funksionalizimin e tij në liqene e rezervuare, në dobi të fermerëve. Prefekti rretheve jugore Spiro Ksera thotë se punimet për sistemimin e lumit Drino do të nisin prej kufirit shtetëror me Greqinë në Kakavijë e në vazhdim.

Shtrati lumit Drino është dëmtuar mjaft prej ndërhyrjeve, përdorimit pa kriter të inerteve, prerjes së pemëve etj, të cilat kanë sjellë një gjendje kaotike si dhe prishje të ekuilibrave ekologjikë. Për të stabilizuar lumin, por edhe krejt luginën e Drinos si dhe fushat pjellore të Dropullit, Valaresë e Kardhiqit projekti parashikon edhe masa të përbashkëta mes pushteteve vendore të të dy vendeve. Ky është projekti i parë ndërkufitar me shtrirje kaq të gjerë në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek. Investimi në shtratin e lumit Drino do të përmirësojë ndjeshëm situatën e jo vetëm në shtratin e këtij lumi, por edhe biodiversitetin, florën e faunën në të gjithë rajonin.