Prof. Tarifa: Shqipëria europiane në dorë të brezit të ri | Ballkani | DW | 16.12.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Prof. Tarifa: Shqipëria europiane në dorë të brezit të ri

Në intervistë për DW, Prof. Fatos Tarifa flet për aspiratat e realizuara të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 por edhe zhgënjimet, si edhe adreson kritika ndaj qeverisjes dhe opozitës së sotme.

DW: Prof.Tarifa, jemi në dhjetor, 30 vite pas Lëvizjes Studentore dhe pluralizmit politik 1990, që çuan në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri; jemi 30 dekada në demokraci dhe ekonomi tregu. Cila është trashëgimia e tyre?

Prof. Fatos Tarifa: 30 vite janë një periudhë relativisht e shkurtër, e pamjaftueshme në jetën e një kombi për zhvillimin dhe konsolidimin e institucioneve të cilitdo rend ekonomiko-shoqëror. Si arritje të prekshme në 3 dekadat e fundit janë zgjedhjet pluraliste, çmontimi i aparatit të vjetër shtetëror, fytyrat e reja që u ngjitën në skenën politike pas vitit 1990, liria e besimit, fjalës dhe shtypit, hartimi i kushtetutës së parë post-komuniste dhe legjislacioni demokratik, restaurimi i pronës private, reformimi kapitalist i ekonomisë, përpjekjet për të reformuar sistemin e drejtësisë, të arsimit të lartë apo atë të shërbimit shëndetësor, reformimi i ushtrisë dhe forcave të rendit sipas standardeve demokratike dhe atyre të një vendi anëtar të NATO-s, krijimi i një kulture të re demokratike. Por nëse e krahasojmë progresin demokratik dhe ekonomik në Shqipëri në tri dekadat e fundit me atë të  vendeve ish komuniste të Europës Qendrore e Lindore mund të them se tranzicioni post-komunist në Shqipëri ka qenë më i vështirë, më i dhimbshëm, me kthesa prapa dhe kohëzgjatje më të madhe.

DW: Në raportin "Nations in Trasition, 2020”, të Freedom House, Shqipëria klasifikohet "një vend në tranzicion, me një regjim hibrid”. Nëse tranzicioni ka mbaruar pse përdoret ky klasifikim ?

Prof. Fatos Tarifa: Me lejoni, së pari, të shpreh publikisht dyshimet e mia për metodologjinë e përdorur dhe, sidomos, për ekipet e njerëzve të zgjedhur nga Fredom House dhe nga organizata të tjera jo qeveritare ndërkombëtare për të bërë sondazhe ose raporte në vendet e rajonit tonë dhe vende të tjera. Nga përvoja ime në Shqipëri kam konstatuar një mungesë të theksuar ekspertize dhe probleme etike serioze të një pjesë të madhe të individëve të kontraktuar për t'i realizuar këto sondazhe dhe ndihmuar në përpilimin e raporteve periodikë. Gjithë sa këto sondazhe dhe raporte paraqesin nuk dëshmon, patjetër dhe kurdoherë, realitetin. Shumë herë raportet nuk janë të paanshme, ndikohen nga këndvështrime dhe simpati politike të individëve të kontraktuar.

Që Shqipëria vazhdon të ketë një "regjim hibrid”, sistem demokratik të brishtë, të pakonsoliduar e tregojnë zhvillimet politike në vend dhe jo klasifikimi në Raportet e Freedom House. Vetëm legjislacioni demokratik, zgjedhjet pluraliste periodike dhe retorika antikomuniste nuk mund të legjitimojnë një qeveri. Karakteri demokratik dhe legjitimiteti i një qeverie burojnë dhe kushtëzohen nga praktikat aktuale të qeverisjes. Shqipëria bën pjesë në atë grup vendesh, kryesisht të Ballkanit Perëndimor si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnia, që konsiderohen ende "vende në tranzicion me një regjim hibrid”. Këtij grupimi i është bashkuar vitet e fundit edhe një vend anëtar i BE-së, si Hungaria. Sistemin demokratik në këto vende do e quaja më saktë, si një demokraci nominale ose elektorale. Jam kundër shprehjes "demokraci autoritariste” që përdoret ndonjëherë për të karakterizuar formën e regjimit në Shqipëri ose në vendet e sipër përmendura.

DW: Le të flasim për atë që ju sapo e quajtët "demokraci nominale/elekorale” në Shqipëri. Çfarë nuk shkon?

Prof. Fator Tarifa: Mënyra e qeverisjes së sotme në Shqipëri nga kryeministri Edi Rama mund të kritikohet për autoritarizmin e tij, mungesën e frymës së kolegjialitetit në qeverisjen e vendit, monopolizimin thuajse të të gjithë funksioneve të shtetit dhe administratës, mospërfilljen shpesh të opinioneve të ndryshme ose të kundërta, sidomos, mos dëgjimin e zërave të qytetarëve të pakënaqur, simpatizantë ose jo të Partisë Socialiste, antagonizmin herë-herë të pajustifikuar ndaj opozitës, mënyrën konfliktuale në komunikimin dhe marrëdhëniet me opozitën, pavendosmërinë për t'u shkuar deri në fund disa prej reformave shumë të rëndësishme, që qeveria e tij ka nisur, mungesën në mjaft raste të transparencës në marrjen e vendimeve të rëndësishme, që kanë të bëjnë me interesa jetike të qytetarëve dhe përdorimin e fondeve publike, pavarësisht dukjes dhe narrativës së përdorur.

DW: A ka sot një hendek mes pritshmërisë së shqiptarëve në dhjetorin 1990 dhe situatës së tanishme? A janë realizuar aspiratat kryesore, ato të rëndësishmet? A ka zhgënjime të mëdha?

Prof. Fatos Tarifa: Shumë njerëz, jo vetëm në Shqipëri, besuan dhe shpresuan se, me shembjen e sistemit të socializmit shtetëror, ai sistem do të zëvendësohej, thuajse brenda natës, nga një sistem i konsoliduar demokratik, gjë që nuk ndodhi askund dhe nuk mund të ndodhte. Shumë nga tiparet e rendit të vjetër, sidomos mendësitë e vjetra vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Në Shqipëri dhe në vende të tjerë ish komuniste të Europës Lindore pati shumë njerëz, që sinqerisht besuan se sapo rendi komunist të shembej, progresi drejt lirisë, demokracisë dhe prosperitetit do të ishte linear dhe i pandalshëm. Kur u kuptua që kjo ishte praktikisht e pamundur, zhgënjimet, ishin në proporcion të drejtë me shkallën në të cilët njerëzit e kishin besuar këtë ëndërr. Sa më të mëdha të jenë shpresat dhe sa më i sinqertë të jetë besimi në realizimin e tyre, aq më i thellë është zhgënjimi që provohet nga dështimi i tyre. Një tjetër arësye ka të bëjë me natyrën moniste të shpresës dhe me pluralitetin e zhgënjimeve. Shumë shpresa të fillimit ishin "moniste”: fundi i komunizmit do të mundësonte krijimin e çdo gjëje që popujt e Europës Lindore dëshironim dhe të asgjëje që ishte/është e padëshiruar për ta.

Shumë gjëra që erdhën nga përmbysja e sistemit të vjetër ishin rezultati i dëshiruar nga të gjithë, por kishte dhe vazhdon të ketë dukuri, që mbeten të padëshiruara për shoqërinë ose grupe të caktuara të saj. Edhe pse disa nga shpresat, që ngjalli periudha postkomuniste në Shqipëri, janë realizuar, kjo nuk ka mundur t'i shmangë zhgënjimet. Sistemi komunist është përmbysur dhe nuk mund të rikthehet më; liria e besimit dhe e fjalës janë bërë realitet; radhët e dikurshme në dyqane janë zhdukur; produktet ushqimore dhe mallrat e konsumit gjenden me bollëk; kushtet e jetesës janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme për një pjesë të madhe të popullsisë; kapitali i huaj ka hyrë në çdo vend por, megjithatë, shumë njerëz vazhdojnë të mbeten të zhgënjyer nga zhvillimet e derisotme. Shumë nisma dhe reforma postkomuniste janë pritur me zhgënjim nga një pjesë e madhe e popullsisë jo vetëm për shkak se ato kanë dështuar të kënaqin shpresat jorealiste të tyre, por edhe sepse  këto reforma ndonjëherë janë ndërmarrë për t'u dhënë zgjidhje të pamenduara mirë problemeve të rëndësishme të shoqërisë si ato të pronësisë, sistemit të drejtësisë etj. Zgjidhjet e pamenduara mirë kanë krijuar probleme të reja, në vend që të zgjidhnin të vjetrat, duke i bërë kështu edhe më të thella zhgënjimet që vazhdojnë të përjetojnë shumë qytetarë në Shqipëri dhe vendet e tjera postkomuniste.

DW: Gjithsesi, cilët kanë përfituar më shumë në këto 30 vjet nga demokracia dhe ekonomia e tregut në Shqipëri: qytetarët apo elitat politike?

Prof. Fatos Tarifa: Ekonomia e tregut ka mundësuar sipërmarrjen e lirë private dhe krijuar mundësi të shumta, si për zhvillimin e ekonomik të vendit, ashtu edhe rritjen e mirëqenies së një pjese të madhe të popullsisë. Por, nga ana tjetër, ekonomia e tregut ka thelluar edhe më tej pabarazinë ekonomike, e ka bërë më të spikatur dislokimin social, psikik dhe ekonomik të një pjese të madhe të shoqërisë, duke mos krijuar shanse të barabarta për të gjithë, ndërkohë që një grup i vogël njerëzish, pasuria e të cilëve është vënë me aftësi dhe punë të ndershme, por shumë herë edhe përmes korrupsionit, mashtrimit dhe krimit, kanë krijuar një shtresë njerëzish shumë të pasur, ndikimi i të cilëve ndihet shumë edhe në politikë.

DW: Çfarë duhet bërë që pritshmëritë e shqiptarëve, sidomos të rinisë, të mos vazhdojnë të kthehen në zhgënjime?

Prof. Fatosa Tarifa: Qytetarët shqiptarë janë sot në një marrëdhënie të dëshpëruar me partitë politike, jo në një marrëdhënie besimi me to. Besimi tek partitë dhe ata që zgjidhen t'i drejtojnë ato ose vendin, është dobësuar, madje më keq, ka humbur në atë shkallë, sa do të duhen shumë kohë, shumë garanci dhe shumë prova për t'u mëkëmbur e për të ngjallur një shpresë të re. Gjendja e sotme, sigurisht, nuk mund të ndryshojë nëse fatalisht justifikohemi se "Shqipëria nuk bëhet”. Një sistem politik e shoqëror më i mirë sesa ky që është krijuar në këta 30 vitet e fundit është i mundur edhe për shqiptarët, siç e kanë krijuar atë shumë popuj europianë, të cilët, ashtu si ne, kanë patur një histori gjysmëshekullore nën diktaturën e proletariatit. Mefshtësia, mungesa e kurajës qytetare dhe fatalizmi ushqejnë të keqen në politikë dhe në çdo aspekt të jetës dhe veprimtarisë shoqërore. Ata janë aleatët kryesorë të korrupsionit, të nepotizmit, autoritarizmit dhe armiqtë më të mëdhenj të një Shqipërie europiane, demokratike e të zhvilluar që shqiptarët duan të ndërtojnë. Kjo do të thotë se është në duart e qytetarëve të këtij vendi, në radhë të parë të brezit të ri të Shqipërisë dhe të askujt tjetër që ata të mos zhgënjehen, si deri më sot, nga shpresat dhe mundësitë që u ofron vendi i tyre për zhvillim e prosperitet.

 

Fatos Tarifa është profesor i Sociologjisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.